Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Botimi i plotë i Shkrimeve të Shenjta—Përkthimi Bota e Re ka dalë në 43 gjuhë dhe në 3 versione të gjuhës braile; botimi Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re është edhe në 18 gjuhë të tjera, si dhe në 1 version tjetër të gjuhës braile. Në korrik të vitit 2007, tirazhi i përgjithshëm ishte 143.458.577 kopje.

Teksti më i vjetër biblik i njohur gjer më sot është i ashtuquajturi Bekimi Priftëror i Numrave 6:24-26. Ai u gjet i mbishkruar në dy hajmali argjendi, të mbështjella si rrotulla, që datonin nga fundi i shekullit të shtatë ose fillimi i shekullit të gjashtë p.e.s.​—BIBLICAL ARCHAEOLOGY REVIEW, SHBA.

Më 31 dhjetor 2006 numri i gjuhëve dhe i dialekteve në të cilat u regjistrua botimi i të paktën një libri të Biblës ishte 2.426, që do të thotë 23 për qind më shumë se vitin pararendës.​—SHOQATAT E BASHKUARA TË BIBLËS, BRITANI.

Rreth 28 për qind e amerikanëve e konsiderojnë Biblën «vërtet fjalën e Perëndisë . . . dhe që duhet marrë fjalë për fjalë», 49 për qind si «fjalën e frymëzuar të Perëndisë, por jo gjithçka në të duhet marrë fjalë për fjalë», kurse 19 për qind e konsiderojnë një «libër me përralla».​—AGJENCIA E LAJMEVE GALLUP, SHBA.

Bibla më e vjetër kineze?

«Dëshmia më e hershme e përkthimit të Biblës Hebraike në gjuhën kineze është mbishkrimi i gjetur në një shtyllë guri [majtas] që daton nga viti 781 i e.s.»,—thotë studiuesi Jiji Çen, pranë Universitetit të Pekinit. Kjo shtyllë guri, e ngritur nga të krishterët nestorianë, doli në dritë në qytetin e Sheanit në vitin 1625. «Emri në gjuhën kineze i kësaj shtylle të mbishkruar, fjalë për fjalë përkthehet ‘Përmendorja për përhapjen në Kinë të fesë dritëdhënëse nga Daçini’ (. . . Daçini është termi në gjuhën kineze për Perandorinë Romake),—shpjegon Çeni.—Në mbishkrimet në gur, gjejmë shprehje në gjuhën kineze, si ‘kanuni i vërtetë’ dhe ‘përkthimi i Biblës’.»

[Burimi i figurës në faqen 30]

© Réunion des Musées Nationaux/​Art Resource

Thesar në një moçalishte

Më 2006, punëtorët që po gërmonin në një moçalishte me torfë në Irlandë zbuluan një libër të Psalmeve, që mendohet se daton nga shekulli i tetë i e.s. Ky dorëshkrim në latinisht, një nga të mbijetuarit e paktë të kohës së tij, shihet si thesar. Rreth 100 fletë pergamene, që janë ende të lidhura siç kanë qenë në fillim, janë mjaft cilësore. «Mbetjet e një çante lëkure ku ishte futur libri dhe të një mbulese që i kishin vënë përsipër, të bëjnë të mendosh se këtë libër e kishin fshehur qëllimisht, mbase për ta mbrojtur nga një mësymje e vikingëve 1.200 vjet më parë»,—thotë gazeta The Times e Londrës. Ndonëse faqet janë ngjeshur dhe pjesërisht janë kalbur, specialistët janë të sigurt se do të arrijnë t’i ndajnë e t’i ruajnë.

Pirgje dheu me copëza historie

Sipas të dhënave, arkeologët që sitin pirgjet e dheut të marra nga zona e tempullit të Jerusalemit, kanë gjetur mijëra punime që datojnë qysh nga kohët para izraelitëve e deri në ditët tona. Ndër këto punime ishte një majë shigjete si ato që përdorte ushtria e Nabukodonosorit që shkatërroi tempullin e parë judaik në atë zonë. Zbulimi më interesant është një vulë argjile, që daton nga shekulli i shtatë a i gjashtë p.e.s. Thuhet se në të gjendet emri hebraik Gedaljahu Ben Imer Ha-Kohen. Sipas arkeologut Gabriel Barkai, pronari i saj «mund të ketë qenë ndonjë nga vëllezërit e Pashkur Ben Imerit që në Bibël [Jeremia 20:1] thuhet se ishte prift dhe njeri me përgjegjësi në tempull».