Arsye për të besuar te Bibla
5. Profeci të përmbushura
Mendoni për një parashikues të motit që prej shumë kohësh i ka dalë i saktë çdo parashikim. Ta zëmë që thotë se do të bjerë shi, a nuk do ta merrnit çadrën?
BIBLA është plot parashikime ose profeci. * Siç e dokumenton historia, profecitë biblike dalin gjithmonë të vërteta.
Veçori dalluese.
Profecitë biblike shpesh janë specifike dhe janë plotësuar deri në hollësitë më të vogla. Zakonisht bëjnë fjalë për çështje shumë të rëndësishme dhe parathonë të kundërtën e asaj që mund të kenë pritur njerëzit që jetuan në kohën kur u shkruan.
Një shembull i jashtëzakonshëm.
E ndërtuar në një pozicion strategjik, në dy anët e lumit Eufrat, Babilonia e lashtë është quajtur «qendra politike, fetare dhe kulturore e Orientit të lashtë». Rreth vitit 732 p.e.s., profeti Isaia shkroi një profeci të kobshme—rënien e Babilonisë. Isaia jepte edhe hollësi: pushtuesi do të ishte një udhëheqës me emrin ‘Kir’, ujërat mbrojtëse të Eufratit do të ‘thaheshin’ dhe portat e qytetit ‘nuk do të mbylleshin’. (Isaia 44:27–45:3) Afro 200 vjet më vonë, më 5 tetor 539 p.e.s., profecia u plotësua me pikë e me presje. Historiani grek Herodoti (shekulli i pestë p.e.s.) konfirmon mënyrën si ra Babilonia. *
Një hollësi e guximshme.
Isaia paratha diçka tjetër tronditëse për Babiloninë: «Ajo nuk do të banohet më kurrë.» (Isaia 13:19, 20) Ishte vërtet e guximshme të parathoshe se një qytet i madh me një pozicion strategjik do të shkretohej përgjithmonë. Normalisht do të prisnim që një qytet i tillë të ndërtohej sërish edhe po të rrënohej. Ndonëse Babilonia ekzistoi për njëfarë kohe pas pushtimit të saj, në fund, fjalët e Isaisë u bënë realitet. Siç thotë revista Smithsonian, trualli i Babilonisë së lashtë «është djerr, i nxehtë, i braktisur dhe tërë pluhur».
Drithërohesh kur mendon seriozitetin e profecisë së Isaisë! Çka paratha ai, do të ishte njësoj sikur të parathuhej pikë për pikë si do të rrafshohej një qytet modern si Nju-Jorku ose Londra pas 200 vjetësh, dhe të deklarohej me bindje se nuk do të banohej më kurrë. Sigurisht, më i jashtëzakonshëm është fakti që profecia e Isaisë doli e vërtetë! *
Bibla paratha me saktësi se një udhëheqës i quajtur Kir do të pushtonte Babiloninë e fuqishme
Në këtë seri artikujsh kemi shqyrtuar disa nga provat që kanë bindur miliona njerëz se Bibla është e denjë për besim. Prandaj ata e shohin si një udhërrëfyese të besueshme për të drejtuar hapat në jetë. Përse të mos mësoni më shumë për Biblën që të vendosni vetë nëse dhe ju mund t’i besoni?
^ par. 4 Parashikimet e motit janë gjasa. Profecitë e Biblës janë të frymëzuara nga Perëndia, i cili i drejton gjërat vetë nëse vendos ta bëjë këtë.
^ par. 6 Për më shumë hollësi rreth përmbushjes të profecisë së Isaisë, shih faqet 27-29 të broshurës Një libër për të gjithë njerëzit, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
^ par. 8 Për shembuj të tjerë të profecive biblike dhe të fakteve historike që dokumentojnë plotësimin e tyre, shih faqet 117-133 të librit Bibla—Fjala e Perëndisë apo e njerëzve?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.