Arsye për të besuar te Bibla
2. Sinqeritet dhe ndershmëri
Ndershmëria hedh themelin e besimit. Dikush që njihet si njeri i ndershëm mund t’jua fitojë besimin, por nëse ju gënjen qoftë edhe një herë të vetme, mund ta humbasë besimin tuaj.
SHKRIMTARËT e Biblës ishin njerëz të ndershëm që shkruan me çiltërsi zemre. Sinqeriteti tregon qartë se shkrimet e tyre janë pasqyrë e së vërtetës.
Gabime dhe të meta.
Shkrimtarët e Biblës i pranuan hapur gabimet dhe dobësitë e veta. Moisiu rrëfeu një gabim që i kushtoi shtrenjtë. (Numrat 20:7-13) Asafi tregoi se për njëfarë kohe e pati zili begatinë e të ligjve. (Psalmi 73:1-14) Jonai foli për mosbindjen dhe qëndrimin e gabuar që shfaqi në fillim kur Perëndia u tregoi mëshirë mëkatarëve të penduar. (Jonai 1:1-3; 3:10; 4:1-3) Mateu e tha troç se e braktisi Jezuin natën kur e arrestuan.—Mateu 26:56.
Shkrimtarët e Shkrimeve Hebraike folën pa dorashka për ankimet dhe rebelimin e vazhdueshëm të popullit të tyre. (2 Kronikave 36:15, 16) Ata nuk bënë asnjë përjashtim, madje as për njerëzit me pushtet. (Ezekieli 34:1-10) Me një sinqeritet të tillë, letrat e apostujve treguan problemet serioze që kishin disa të krishterë, përfshirë edhe ata me përgjegjësi, si dhe disa kongregacione në shekullin e parë të e.s.—1 Korintasve 1:10-13; 2 Timoteut 2:16-18; 4:10.
Shkrimtarët e Biblës, si Jonai, i shkruan gabimet e veta
E vërteta pa lustër.
Shkrimtarët e Biblës nuk u përpoqën ta zbukuronin të vërtetën kur ajo mund t’u dukej e sikletshme disave. Të krishterët e shekullit të parë e pohuan hapur se bota nuk i admironte, por i përçmonte si të marrë dhe të papërfillshëm. (1 Korintasve 1:26-29) Shkrimtarët thanë se apostujt e Jezuit shiheshin si «të pashkolluar e të thjeshtë».—Veprat 4:13.
Shkrimtarët e ungjijve nuk i lustruan faktet që ta bënin më tërheqëse figurën e Jezuit. Përkundrazi, treguan me ndershmëri se ai lindi në një ambient modest, në një familje punëtore, nuk studioi në shkollat me emër të kohës dhe shumica e dëgjuesve i hodhën poshtë fjalët e tij.—Mateu 27:25; Luka 2:4-7; Gjoni 7:15.
Është e qartë se Bibla jep boll prova se është vepër e shkrimtarëve të ndershëm. A jua ka fituar besimin ndershmëria e tyre?