Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse të kujdesemi për mjedisin?

Pse të kujdesemi për mjedisin?

Pikëpamja e Biblës

Pse të kujdesemi për mjedisin?

SOT më shumë se kurrë aktiviteti i njeriut po dëmton planetin tonë. Probleme të tilla si ngrohja globale po bëhen gjithnjë e më alarmuese, ndaj shkencëtarët, qeveritë dhe industrialistët po intensifikojnë përpjekjet për të ndrequr situatën.

Po si individë, a kemi përgjegjësi të kujdesemi për mjedisin? Nëse po, deri në ç’masë? Bibla na jep arsye të forta që të veprojmë në të mirë të planetit. Njëkohësisht na ndihmon të jemi të ekuilibruar në këtë drejtim.

Të mbështetim qëllimin e Krijuesit

Perëndia Jehova e bëri tokën që të ishte për njeriun një shtëpi e bukur si një kopsht. Ai tha se gjithçka që kishte bërë, ishte «shumë mirë» dhe i dha si detyrë njeriut «që ta punonte [tokën] e të kujdesej për të». (Zanafilla 1:28, 31; 2:15) Si ndihet Perëndia kur sheh tokën sot? Patjetër është tejet i indinjuar kur sheh sa keq e kanë trajtuar njerëzit mjedisin, pasi te Zbulesa 11:18 parathuhet se ai ‘do të rrënojë ata që rrënojnë tokën’. Pra, nuk duhet të jemi indiferentë ndaj gjendjes së mjerueshme të tokës.

Bibla na siguron se, kur Perëndia ‘të bëjë çdo gjë të re’, nuk do të mbetet asnjë gjurmë e dëmeve që shkaktojnë njerëzit. (Zbulesa 21:5) Megjithatë, s’duhet të nxjerrim si përfundim se meqë Perëndia në të ardhmen do ta ripërtërijë tokën, ajo që bëjmë tani nuk ka rëndësi. Përkundrazi, ka rëndësi. Si mund të tregojmë se kemi pikëpamjen e Perëndisë për planetin tonë dhe se mbështetim qëllimin e tij që ai të jetë një parajsë?

Të mbrojmë mjedisin

Nga veprimtaritë që bëjmë normalisht, krijohen mbeturina. Me mençuri, Jehovai projektoi ciklet natyrore që të përpunonin këto mbeturina dhe të pastronin ajrin, ujin dhe tokën. (Proverbat 3:19) Veprimet tona duhet të jenë në harmoni me këto procese. Prandaj duhet të tregojmë kujdes që të mos i rëndojmë më kot problemet e mjedisit. Ky kujdes tregon se i duam të tjerët si veten. (Marku 12:31) Ja një shembull interesant nga kohët biblike.

Perëndia i udhëzoi izraelitët që t’i groposnin jashtëqitjet e tyre «jashtë kampit». (Ligji i përtërirë 23:12, 13) Kjo ruante higjienën e kampit dhe përshpejtonte dekompozimin. Edhe sot, ata që i binden Perëndisë, bëjnë çmos t’i eliminojnë plehrat dhe mbeturinat e tjera siç duhet dhe pa humbur kohë. Duhet pasur kujdes sidomos për eliminimin e lëndëve helmuese.

Shumë mbeturina mund të ripërdoren ose të riciklohen. Nëse riciklimi kërkohet nga ligjet e vendit, atëherë bindja ndaj këtyre ligjeve është një mënyrë për t’i dhënë «Cezarit gjërat e Cezarit». (Mateu 22:21) Riciklimi mund të kërkojë më tepër përpjekje, por tregon se duam ta mbrojmë mjedisin.

Të mos shpërdorojmë pasuritë natyrore

Për të jetuar kemi nevojë për ushqim, strehim dhe lëndë djegëse, prandaj shfrytëzojmë pasuritë natyrore. Mënyra si i përdorim këto pasuri tregon nëse i shohim si dhurata nga Perëndia. Kur izraelitët kërkuan mish në shkretëtirë, Jehovai u dha shkurta me bollëk. Lakmia dhe egoizmi i shtyu që ta shpërdoronin këtë dhuratë, dhe kjo e zemëroi shumë Perëndinë Jehova. (Numrat 11:31-33) Perëndia nuk ka ndryshuar. Ja pse njerëzit e përgjegjshëm që besojnë te Perëndia, nuk i shpërdorojnë të mirat e tokës, pasi kjo do të ishte shenjë lakmie.

Ndoshta disa mendojnë se është e drejta e tyre të harxhojnë sa të duan energji ose të mira të tjera. Por pasuritë natyrore nuk duhen harxhuar pa kriter, vetëm ngaqë na e mban xhepi ose ngaqë janë me bollëk. Pasi ushqeu një turmë të madhe me anë të një mrekullie, Jezui tha të mblidheshin buka dhe peshku i mbetur. (Gjoni 6:12) U kujdes të mos shkonte dëm ajo që u dha Ati i tij.

Të tregojmë ekuilibër

Çdo ditë marrim vendime që ndikojnë te mjedisi. A duhet të shkojmë në ekstrem dhe të veçohemi nga njerëzia që të mos i sjellim kurrfarë dëmi tokës? Kjo nuk thuhet askund në Bibël. Të marrim shembullin e Jezuit. Kur ishte në tokë, ai bëri një jetë normale, e kështu mund të kryente veprën e predikimit që i caktoi Perëndia. (Luka 4:43) Ndërkaq, Jezui nuk pranoi të merrej me politikë për të zgjidhur problemet shoqërore të kohës së tij. Ai tha qartë: «Mbretëria ime nuk është pjesë e kësaj bote.»​—Gjoni 18:36.

Gjithsesi, është me vend të mendojmë si ndikojnë te mjedisi vendimet tona për gjëra të tilla, si blerjet, transporti dhe zbavitja. Për shembull, disa vendosin të blejnë produkte që janë prodhuar ose funksionojnë në mënyrë të tillë që e dëmtojnë sa më pak mjedisin. Të tjerë mundohen të përfshihen sa më rrallë në veprimtari që shkaktojnë ndotje ose që shpërdorojnë pasuritë natyrore.

S’ka pse dikush t’u imponojë të tjerëve vendimet e tij në mbrojtje të mjedisit. Rrethanat ndryshojnë sipas individëve dhe nga njëri vend në tjetrin. Prapëseprapë, personalisht mbajmë përgjegjësi për vendimet tona, pasi Bibla thotë: «Secili do të mbajë ngarkesën e vet.»​—Galatasve 6:5.

Krijuesi u besoi njerëzve përgjegjësinë të kujdesen për tokën. Vlerësimi për këtë detyrë e respekti plot nderim për Perëndinë dhe krijimin e tij, duhet të na nxitin të marrim vendime të peshuara mirë për mënyrën si e trajtojmë mjedisin.

A DONI TË DINI?

▪ A do të ndërhyjë Perëndia për të zgjidhur problemet e mjedisit?​—Zbulesa 11:18.

▪ Cilën përgjegjësi u ka besuar Perëndia njerëzve në lidhje me tokën?​—Zanafilla 1:28; 2:15.

▪ Çfarë shembulli la Jezu Krishti për të mos shpërdoruar asgjë?​—Gjoni 6:12.