Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A janë për mua lojërat elektronike?

A janë për mua lojërat elektronike?

Të rinjtë pyesin

A janë për mua lojërat elektronike?

LOJËRAT elektronike nuk janë vetëm një zbavitje që ofron teknologjia e përparuar. Ato vënë në provë aftësitë e tua dhe s’të lënë të mërzitesh. Por jo vetëm kaq. Lojërat elektronike mund të të mprehin reflekset, dhe studimet tregojnë se këto lojëra përmirësojnë përqendrimin e syve. Madje disa prej tyre mund të të zhvillojnë aftësitë në matematikë e në lexim. Veç kësaj, ka shumë të ngjarë që sa herë del ndonjë lojë e re, ajo bëhet tema e bisedave në oborrin e shkollës. Në rast se e ke provuar atë lojë, ke ç’të bisedosh me shokët.

Sigurisht e kanë në dorë prindërit nëse do të të lënë të luash me lojëra elektronike. (Kolosianëve 3:20) Po qe se të lejojnë, duhet të gjesh ndonjë lojë që edhe të kënaq, edhe nuk ka diçka të gabuar nga ana morale. Po përse duhet të kesh shumë kujdes?

Ku qëndron rreziku?

Bojkeni 16-vjeçar thotë: «Lojërat në kompjuter të përpijnë, janë yll fare.» Por, siç mund ta dish, jo të gjitha lojërat janë të padëmshme. Bojkeni pranon: «Kur luan, mund të bësh gjëra që nuk do t’i bëje kurrë në realitet​—domethënë, s’do t’i bëje nëse nuk do të doje telashe.» Ç’lloj sjelljeje nxitin këto lojëra?

Shumë lojëra nxitin haptazi imoralitetin, të folurit e ndyrë dhe dhunën, e të gjitha këto Bibla i dënon. (Psalmi 11:5; Galatasve 5:19-21; Kolosianëve 3:8) Disa lojëra lartësojnë spiritizmin. Adriani 18-vjeçar thotë se një nga lojërat e preferuara ka «banda që luftojnë, abuzim me drogën, skena me seks, fjalë të pista, dhunë të egër, skena me gjak». Dhe sa herë del ndonjë lojë e re, të vjetrat nuk ngjallin më emocione. Klajdi 19-vjeçar thotë se lojërat më të pëlqyera mund të luhen bashkë me të tjerë në Internet. Kështu loja merr përmasa të reja. Klajdi thotë: «Që nga kompjuteri i shtëpisë mund të matësh forcat me njerëz që jetojnë në anën tjetër të botës.»

Lojërat me role janë përhapur shumë. Në këto lojëra pjesëtarët krijojnë personazhe në Internet, qofshin këto njerëz, kafshë ose një ndërthurje e të dyjave. Këto personazhe banojnë në një botë që ekziston vetëm në kompjuter, ku ka mijëra lojtarë të tjerë. Në këtë botë gjen dyqane, makina, shtëpi, klube nate, shtëpi publike, pra në thelb është një imitim i botës reale. Lojtarët mund të komunikojnë në çast me mesazhe e ndërkohë personazhet e tyre japin e marrin me njëri-tjetrin.

Çfarë ndodh në këtë botë virtuale? Një gazetar thotë: «Njerëz të zakonshëm bëjnë gjëra që nuk do t’i bënin ose nuk do të mund t’i bënin në jetën reale. Seksi është i zakonshëm, po ashtu edhe prostitucioni.» Vetëm duke shtypur ca taste, lojtarët mund të bëjnë që personazhet të kryejnë akte seksuale e ndërkaq vetë lojtarët flasin me mesazhe për seksin. Gjithashtu, sipas revistës New Scientist, kjo botë është «plot krime virtuale, mafiozë, tutorë prostitutash, zhvatës, falsifikues dhe vrasës». Një revistë tjetër thotë se «kritikët kanë ngritur shqetësime për aktivitete, që në botën reale do të ishin të kundërligjshme, të tilla si përdhunimet që kryejnë personazhet në shtëpitë publike ose aktet seksuale me personazhe fëmijë».

Pse zgjedhjet e tua kanë rëndësi?

Ata që luajnë këto lojëra ku ka skena të gjalla me dhunë a seks, mund të thonë: ‘Nuk dëmtohet njeri. Nuk është reale. Është veç lojë.’ Mos u gënje nga ky arsyetim mashtrues!

Bibla thotë: «Një djalë njihet edhe nga veprimet e tij: nëse veprat e tij janë të kulluara dhe të drejta.» (Proverbat 20:11) Nëse e bën zakon të luash lojëra elektronike të dhunshme dhe imorale, a mund të thuash se mendimet e tua janë të kulluara dhe të drejta?! Vazhdimisht studimet tregojnë se ata që shohin dhunë për zbavitje bëhen më agresivë. Kohët e fundit revista New Scientist tha: «Vetë natyra e lojës kërkon të komunikosh me të tjerë, prandaj ajo ndikon më shumë se televizori.»

Të luash lojëra me dhunë ose imoralitet është si të luash me mbeturina radioaktive: pasojat e dëmshme mund të mos duken menjëherë, por do t’i kesh se s’bën. Në ç’kuptim? Kur ekspozohesh ndaj rrezatimit me doza të mëdha, mund të të shkatërrohet cipa e brendshme e stomakut, dhe kështu bakteret e zorrëve vërshojnë në gjak e sëmuresh. Po njësoj, kur sheh skena të gjalla me seks e dhunë të llahtarshme, mund të të dëmtohet ‘ndjesia morale’ dhe në mendimet e veprimet e tua do të mbizotërojnë dëshirat e mishit.​—Efesianëve 4:19; Galatasve 6:7, 8.

Ç’lojëra duhet të zgjedh?

Nëse prindërit të lejojnë të luash me lojëra elektronike, si ta kuptosh çfarë të zgjedhësh dhe sa kohë duhet të harxhosh me to? Bëji vetes këto pyetje:

A do të fyhet Jehovai nga zgjedhja ime? Lojërat që zgjedh mund të ndikojnë tek ajo që ndien Perëndia për ty. Te Psalmi 11:5 thuhet: «Jehovai heton edhe të drejtin, edhe të ligun. Atë që do dhunën, shpirti i Tij e urren.» Për ata që përfshihen në praktika spiritiste, Fjala e Perëndisë thotë: «Ata që i bëjnë këto, janë të pështirë për Jehovain.» (Ligji i përtërirë 18:10-12) Në qoftë se duam të jemi miq të Perëndisë, duhet të ndjekim këshillën e Psalmit 97:10: «Ju që doni Jehovain, urreni të keqen.»

Si do të ndikojë loja te mendimet e mia? Pyet veten: ‘Kjo lojë, a do të ma bëjë më të lehtë apo më të vështirë që “të iki nga kurvëria”?’ (1 Korintasve 6:18) Lojërat që të vënë para skenave ose bisedave eksituese nuk të ndihmojnë ta mbash mendjen te gjërat e drejta, të dëlira e të virtytshme. (Filipianëve 4:8) Ema 22-vjeçare thotë: «Shumë lojëra të bëjnë të pandjeshëm ndaj gjërave të tilla, si dhuna, i foluri i pistë dhe imoraliteti, e mund të të bëjnë më të dobët përballë tundimeve në aspekte të tjera të jetës. Duhet të kesh shumë kujdes se çfarë lojërash zgjedh.»

Sa kohë do të harxhoj duke luajtur? Bora 18-vjeçare thotë: «Nuk them se të gjitha lojërat në kompjuter janë të këqija. Por të hanë shumë kohë, e të bëhen si drogë.» Edhe lojërat elektronike më të padëmshme mund të të harxhojnë shumë kohë. Pra, mbaj shënim sa kohë harxhon duke luajtur dhe krahasoje me kohën që kalon në veprimtari më të rëndësishme. Kjo do të të ndihmojë të mbash në vend të parë gjërat më me vlerë.​—Efesianëve 5:15, 16.

Bibla nuk kërkon që ta kalosh gjithë jetën duke studiuar e punuar. Ajo na kujton të gjithëve se ka «një kohë për të qeshur; . . . dhe një kohë për të kërcyer». (Eklisiastiu 3:4) Vlen të thuhet se shprehja «për të kërcyer» nuk do të thotë vetëm të luash, por edhe të merresh me aktivitet fizik. Pra, pse të mos e kalosh një pjesë të kohës së lirë me lojëra që të vënë në lëvizje, në vend që të ngulesh para ekranit të kompjuterit?

Zgjidh me mençuri

Pa dyshim, lojërat elektronike mund të jenë argëtuese, sidomos nëse ia ke marrë dorën. E pikërisht këtu fshihet arsyeja kryesore përse duhet të zgjedhësh me mençuri. Pyet veten: ‘Në çfarë lëndësh jam më mirë në shkollë?’ A nuk janë zakonisht lëndët që të pëlqejnë? Në fakt, shpesh ndodh që sa më shumë e pëlqen një lëndë, aq më shumë të ngulitet. Tani pyet përsëri veten: ‘Cila nga lojërat elektronike më pëlqen më shumë? Çfarë më mëson ajo lojë?’

Që të zgjedhësh me mençuri, përse të mos shkruash pak rreshta për lojërat që të pëlqejnë? Përmend aty qëllimin e lojës dhe strategjinë e saj. Krahasoji ato që ke shkruar me parimet biblike të përmendura në këtë artikull, e pastaj vendos nëse një lojë është apo jo e përshtatshme.

Në vend që të luash një lojë vetëm se kështu bëjnë shokët, tregohu aq i fortë sa të bësh një zgjedhje të peshuar mirë. Mbi të gjitha, zbato këshillën e Biblës: ‘Sigurohu se çfarë është e pranueshme para Zotërisë.’​—Efesianëve 5:10.

PËR TË MENDUAR

▪ Ç’do të thoshe nëse një shok të fton të luani një lojë elektronike me dhunë ose me imoralitet?

▪ Si të sigurohesh se lojërat elektronike nuk po të pengojnë për aktivitetet më të rëndësishme?

[Diçitura në faqen 19]

Të luash lojëra me dhunë ose imoralitet është si të luash me mbeturina radioaktive: pasojat e dëmshme mund të mos duken menjëherë, por do t’i kesh se s’bën

[Kutia në faqen 18]

Sa shpesh luan me lojëra elektronike?

□ Rrallë

□ Një herë në javë

□ Çdo ditë

Sa kohë kalon me to?

□ Pak minuta

□ Maksimumi një orë

□ Më shumë se dy orë

Cilat lojëra të pëlqejnë më shumë?

□ Garat me makina

□ Lojërat me sport

□ Lojërat me armë

□ Të tjera

Shkruaj emrin e një loje elektronike që e di se nuk është e mirë për ty.

․․․․․

[Kutia dhe figura në faqet 20, 21]

DY FJALË PËR PRINDËRIT

Siç mund ta kesh kuptuar nga artikulli, lojërat elektronike kanë ndryshuar mjaft që nga koha kur ti ishe adoleshent. Si prind, në ç’mënyrë mund ta ndihmosh fëmijën tënd të dallojë rreziqet dhe t’i shmangë?

Nuk fiton gjë duke i dënuar tërë lojërat elektronike ose duke thënë prerë se ato janë vetëm humbje kohe. Mbaj parasysh se jo të gjitha lojërat janë të këqija. Megjithatë, ato mund të harxhojnë kohë dhe të bëhen si drogë. Prandaj, ulu të shqyrtosh sa kohë kalon fëmija yt me këto lojëra. Gjithashtu, mendo se çfarë lloj lojërash e tërheqin. Madje mund t’i bësh fëmijës pyetje si këto:

Cilën lojë preferojnë më shumë shokët e shkollës?

▪ Çfarë ndodh në lojë?

▪ Si mendon, pse kjo lojë është kaq e preferuar?

Ndoshta do të shohësh se fëmija di më shumë nga ç’mendoje ti për lojërat elektronike. Mbase ka luajtur edhe lojëra që ty të duken të papranueshme. Në një rast të tillë ruaj gjakftohtësinë. Kjo është një mundësi e mirë për ta ndihmuar fëmijën të zhvillojë aftësitë perceptuese.​—Hebrenjve 5:14.

Bëj pyetje që do ta ndihmojnë fëmijën të kuptojë përse e tërheqin këto lojëra të papërshtatshme. Për shembull mund të bësh pyetje si kjo:

A ndihesh i veçuar nga shokët ngaqë s’duhet ta luash atë lojë?

Siç u tregua në fillim të artikullit, të rinjtë mund ta luajnë një lojë që të kenë ç’të bisedojnë me shokët. Në rast se fëmija luan për këtë arsye, situatën nuk do ta trajtoje si në rastin kur kupton se atë e tërheqin lojërat me dhunë të përgjakshme ose me seks.​—Kolosianëve 4:6.

Po nëse fëmijën e tërheqin aspektet negative të lojës? Disa të rinj menjëherë ta kthejnë duke ngulur këmbë se skenat me gjak nuk ndikojnë tek ata. Ata arsyetojnë: ‘Vetëm se e shoh në kompjuter nuk do të thotë se do ta bëj me të vërtet.’ Në qoftë se fëmija mendon kështu, drejtoja vëmendjen te Psalmi 11:5 që citohet në faqen 20. Siç e tregojnë qartë fjalët e shkrimit, miratimin e Perëndisë nuk e humbet vetëm ai që është i dhunshëm, por edhe ai që e do dhunën. I njëjti parim vlen edhe për imoralitetin ose çdo ves tjetër që Fjala e Perëndisë dënon.​—Psalmi 97:10.

Disa specialistë japin këto sugjerime:

▪ Mos e lër fëmijën të luajë lojëra elektronike në vende të veçuara, si dhoma e vet.

▪ Vër disa rregulla bazë (për shembull, s’ka lojëra pa mbaruar detyrat e shtëpisë, ushqimin ose ndonjë aktivitet tjetër të rëndësishëm).

▪ Thekso vlerën e aktiviteteve të tjera që të vënë në lëvizje.

▪ Kontrolloji fëmijët kur luajnë lojëra elektronike​—ose më mirë akoma, nganjëherë luaj edhe ti me ta.

Sigurisht, që ta drejtosh fëmijën për zbavitjet që zgjedh duhet të kesh liri fjale. Ndaj, pyet veten: ‘Çfarë programesh dhe filmash shoh në TV?’ Mos mashtro veten: nëse ndryshe bën e ndryshe thua, fëmijëve nuk do t’u shpëtojë kjo gjë!