Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Gaboni​—Strehë për botën e gjallë

Gaboni​—Strehë për botën e gjallë

Gaboni​—Strehë për botën e gjallë

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË GABON

A PËRFYTYRONI dot një plazh tropikal ku elefantët kullotin buzë detit, hipopotamët notojnë, kurse balenat dhe delfinët mblidhen pranë bregut? Në bregdetin afrikan, ka 100 kilometra plazhe, ku pamje të tilla janë ende të zakonshme.

Është e qartë se kjo zonë e rrallë bregdetare duhej mbrojtur që këto pamje të shijohen edhe në të ardhmen. Sa mirë që planet për mbrojtjen e zonës morën udhë më 4 shtator 2002, kur presidenti i Gabonit shpalli se 10 për qind e vendit, përfshirë edhe zona të virgjëra përgjatë vijës bregdetare, do të ruheshin si parqe kombëtare.

Kjo hapësirë me natyrë të paprekur, që zë rreth 30.000 km2, pra një sipërfaqe sa Belgjika, fsheh mrekulli natyrore. «Gaboni mund të bëhet një tempull i natyrës dhe të tërheqë nga të katër skajet e botës njerëz të pasionuar pas mrekullive të fundit natyrore që kanë mbetur»,​—tha presidenti Omar Bongo Ondimba.

Përse janë kaq të rëndësishme këto rezervate? Afro 85 për qind e Gabonit është ende e mbuluar me pyje dhe 20 për qind e llojeve të bimëve nuk gjenden tjetërkund. Gjithashtu, pyjet e tij ekuatoriale janë një strehë për gorillat e ultësirave, shimpanzetë, elefantët e pyjeve dhe për shumë lloje të tjera të rrezikuara. Parqet e krijuara rishtazi do ta kthejnë Gabonin në një mbrojtës të rëndësishëm të shumëllojshmërisë natyrore në Afrikë.

Loangoja​—Bregdet që s’ka të krahasuar

Parku Kombëtar i Loangos ndoshta është ndër vendet më fantastike për të shijuar natyrën e Afrikës. Aty ka kilometra të tërë me plazhe të virgjëra që kufizohen me laguna me ujë të ëmbël dhe nga një pyll i dendur tropikal. Por ato që i bëjnë vërtet unike plazhet e Loangos janë kafshët që baresin nëpër rërë: hipopotamët, elefantët e pyjeve, buajt e egër, leopardët dhe gorillat.

Përse plazhet i bëjnë për vete këto kafshë pylli? Përgjatë plazheve të bardha ranore të Loangos ka kullota për hipopotamët dhe buajt. Palmat e Palmirës që rriten anës detit janë plot fruta. Këto fruta ua bëjnë me sy elefantëve njësoj si akullorja fëmijëve. Por më e rëndësishme nga të gjitha është qetësia. Mbi rërë sheh veç gjurmët e kafshëve.

Ngaqë s’ka këmbë njeriu, disa breshka deti gjigante zgjedhin këto plazhe të vetmuara për të shtruar vezët. Edhe bletëngrënësit kuqalashë parapëlqejnë vende të qeta për të ngritur foletë. Këta zogj gërmojnë në rërë për të ndërtuar foletë e kolonive të tyre, fare pak metra larg vendit ku ndalet batica. Gjatë verës mbi një mijë balena me gungë mblidhen në ujërat e paqta të Loangos për t’u çiftuar.

Dy laguna mjaft të mëdha ndajnë plazhet e Loangos nga pylli ekuatorial dhe krijojnë një habitat ideal për krokodilët dhe hipopotamët. Në këto pjesë deti të izoluara, brigjet e të cilave kanë pyje pemësh rrënjëmëdha, gjen peshq me shumicë. Shqipet peshkngrënëse dhe skifterët e Afrikës u bien kryq e tërthor ujërave të lagunave për ushqim, kurse disa lloje bilbilash uji shumëngjyrësh kërkojnë peshq nëpër cekëtina. Elefantët, që vdesin për ujin, notojnë gjithë qejf përmes lagunave për të arritur në plazh e për t’u dendur me frutën e tyre të preferuar.

Në pyllin ekuatorial, majmunët lodrojnë në kurorën e pemëve, kurse fluturat ngjyra-ngjyra sillen nëpër lëndinat gjithë diell. Lakuriqët e natës frutangrënës, ditën rrinë në pemët e preferuara, kurse natën i futen punës për të shpërndarë fara anembanë pyllit, një shërbim vërtet jetësor. Në skajet e pyllit zogjtë vezullues të diellit thithin nektarin nga pemët dhe kaçubat e lulëzuara. Kuptohet përse Loangoja është përshkruar me të drejtë si «një vend ku mund të shijosh ajkën e Afrikës ekuatoriale».

Lopeja​—Ndër vendbanimet e fundit të gorillave

Parku Kombëtar i Lopesë ka hapësira të mëdha me pyje shiu të paprekura, kurse në veri gjenden ngastra savanash dhe breza pyjesh përgjatë ujit. Ky është një vend ideal për dashuruesit e natyrës, të cilëve u pëlqen t’i shikojnë gorillat, shimpanzetë e mandrilët në natyrë. Në këtë zonë të mbrojtur prej 5.000 km2 enden 3.000 deri në 5.000 gorilla.

Agustini, një ish-punonjës i parkut, kujton një takim të pazakontë me gorillat në vitin 2002. Ai thotë: «Po ecja nëpër pyll kur befas më del përpara një familje me katër gorilla. Mashkulli, një gjigant kurrizargjendtë rreth 35 vjeç, më mbuloi me hijen e tij. Duhet të peshonte të paktën sa trefishi im. Duke ndjekur udhëzimet menjëherë u ula dhe përkula kokën me sytë poshtë në shenjë nënshtrimi. Gorilla u afrua, m’u ul pranë dhe ma vuri dorën në sup. Pastaj ma mori dorën, e hapi dhe vëzhgonte pëllëmbën. Pasi u bind se nuk përbëja rrezik për familjen e tij, u çapit rëndë-rëndë drejt xhunglës. Atë ditë të paharrueshme, zbulova sa emocionuese është t’u afrohesh kafshëve në vendbanimin e tyre natyror. Ndonëse njerëzit i vrasin gorillat për mishin e tyre ose ngaqë gabimisht mendojnë se janë të rrezikshme, ato janë kafshë paqësore dhe e meritojnë t’i mbrojmë.

Në Lope, mandrilët​—një lloj babuini i madh​—mblidhen mizëri, në grupe që ndonjëherë kanë më shumë se një mijë majmunë. Këtu sheh një nga tufat më të mëdha të primatëve në botë dhe sigurisht që bëhet shumë potere. Ja mbresat e një turisti nga Kameruni kur pa një turmë majmunësh:

«Udhërrëfyesi ynë i dalloi mandrilët falë qaforeve me radiotransmetues që u ishin vënë disave. Ecëm para grupit dhe shpejt e shpejt sajuam një vend të maskuar ku pritëm majmunët. Për 20 minuta dëgjuam muzikën e pyllit që krijonin një mori zogjsh dhe insektesh. Befas qetësia u prish kur u afrua një tufë mandrilësh. Nga kërcitjet e degëve dhe ulërimat m’u duk sikur po ia plaste një stuhi. Por, kur dallova [të parët e tufës], ata dukeshin më shumë si pararoja e një ushtrie. Meshkujt trupmëdhenj prinin tufën dhe ecnin me të shpejtë në pyll, kurse femrat dhe të vegjlit kërcenin degë më degë. Befas një nga meshkujt e mëdhenj ndali hapat dhe pa rreth e rrotull me dyshim. Njëri nga të vegjlit që hidhej në kurorën e pemëve na kishte pikasur dhe dha alarmin. I gjithë grupi shpejtoi, dhe zhurma u shtua teksa ata ulërinin të inatosur e të bezdisur. Pas pak çastesh ishin zhdukur. Udhërrëfyesi tha se na kishin kaluar pranë nja 400 mandrilë.»

Shimpanzetë bëjnë po aq potere sa mandrilët dhe janë më të vështira për t’u pikasur teksa shkojnë nxitimthi nëpër pyll, përherë në kërkim të ushqimit. Nga ana tjetër, vizitorët shohin shpesh majmunët me hundë të hirtë që ndonjëherë hidhen nëpër savanën pranë pyllit. Ndoshta banori më vetmitar i Lopesë është majmuni bishtartë, tipik për këtë zonë, i cili u zbulua rreth 20 vjet më parë.

Zogjtë e mëdhenj shumëngjyrësh të pyllit, siç janë turakot dhe zogjtë sqepbri, e njoftojnë praninë e tyre me çirrma të forta. Brenda këtij parku janë regjistruar rreth 400 lloje zogjsh, ndaj është një vend mjaft i preferuar për vëzhguesit e zogjve.

Strehë e sigurt për shumëllojshmërinë

Loangoja dhe Lopeja janë vetëm dy nga 13 parqet kombëtare të Gabonit. Parqe të tjera mbrojnë pyjet me pemë rrënjëmëdha, bimët e rralla dhe ruajnë zonat ku vijnë zogjtë shtegtarë. «Në Gabon po mbrohen ekosistemet më të mira të gjithë vendit,​—shpjegon Li Uajti, pranë Shoqatës për Mbrojtjen e Natyrës.​—Ajo që ka rëndësi nuk është thjesht madhësia e zonave, por sa të pasura janë ato. Në vitin 2002 brenda një kohe fare të shkurtër krijuan një sistem të shkëlqyer parqesh kombëtare, ku përfshihet e gjithë shumëllojshmëria e gjallesave të vendit.»

Sigurisht, ende ka shumë vështirësi, siç e pranon hapur presidenti Bongo Ondimba. Ai thotë: «Bëhet fjalë për një sipërmarrje mbarëbotërore që pa dyshim do të kërkojë sakrifica afatshkurtra dhe afatgjata, në mënyrë që të arrijmë synimin për t’ua trashëguar këto mrekulli të natyrës brezave të ardhshëm.»

[Hartat në faqen 17]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

AFRIKË

GABON

13 parqet kombëtare të Gabonit

Parku Kombëtar i Lopesë

Parku Kombëtar i Loangos

[Figurat në faqet 16, 17]

Balena me gungë dhe një pamje nga sipër e Loangos

[Burimi]

Balena: Shoqata për Mbrojtjten e Natyrës

[Figurat në faqet 16, 17]

Një mandril (majtas) dhe një gorillë (djathtas)

[Burimi i figurës në faqen 15]

Robert J. Ross