Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nga një fshat peshkatarësh, në një metropol

Nga një fshat peshkatarësh, në një metropol

Nga një fshat peshkatarësh, në një metropol

NGA SHKRIMTARI I ZGJOHUNI! NË JAPONI

NJË ditë të bukur vere, në gusht të vitit 1590, Jejasu Tokugava (djathtas), që më vonë u bë shoguni * i parë Tokugava, shkeli në Edo, një fshat peshkatarësh në Japoninë Lindore. Sipas një libri, në atë kohë «në Edo kishte vetëm disa qindra shtëpi të rrënuara fshatarësh dhe peshkatarësh». (The Shogun’s City​—A History of Tokyo) Në afërsi ndodhej një fortesë e lënë pas dore, që ishte ndërtuar më shumë se një shekull më parë.

Ky fshat, që kishte mbetur në errësirë prej shekujsh, jo vetëm që do të bëhej Tokioja, kryeqyteti i Japonisë, por edhe do të shndërrohej në një qytet gjigant të zhurmshëm. Në fakt në prefekturën metropolitane të Tokios banojnë më tepër se 12 milionë banorë. Tokioja do të bëhej një fuqi botërore në teknologji, komunikacion, transport dhe tregti, si edhe qendra e institucioneve kryesore financiare. Si ndodhi ky shndërrim?

Nga një fshat peshkatarësh në qytetin e shogunit

Pas vitit 1467, për një shekull, feudalët ndërluftues e ndanë Japoninë në disa feude. Së fundi, Hidejoshi Tojotomi, një feudal që rridhte nga një familje e thjeshtë, e ribashkoi pjesërisht kombin duke u bërë regjenti perandorak në vitin 1585. Fillimisht Jejasu luftoi kundër Hidejoshit të fuqishëm, por më vonë i bashkoi forcat me të. Së bashku rrethuan dhe pushtuan kështjellën e Odavarës, fortesa e klanit të fuqishëm Hoxho, dhe kështu pushtuan krahinën e Kantos në Japoninë Lindore.

Hidejoshi i dha Jejasut territorin e gjerë me tetë provinca të Kantos, që kryesisht kishte qenë pjesë e sundimit të klanit Hoxho. Kështu Jejasu u zhvendos në lindje të sundimit të tij të mëparshëm. Me sa duket, kjo ishte një lëvizje e llogaritur që ta mbante Jejasun larg Kiotos, ku jetonte perandori i Japonisë që ishte në këtë post sa për figurë. Megjithatë Jejasu pranoi, dhe mbërriti në Edo siç e përshkruam në fillim të artikullit. Ai vendosi ta shndërronte këtë fshat të humbur peshkatarësh në qendrën e sundimit të tij.

Kur Hidejoshi vdiq, Jejasu i priu një koalicioni forcash ushtarake, kryesisht nga Japonia Lindore, për të luftuar kundër forcave të Japonisë Perëndimore. Në vitin 1600, brenda një dite, ai arriti fitoren. Në vitin 1603 Jejasu u emërua shogun dhe kështu u bë sundimtari i vërtetë i kombit. Tani Edoja u bë qendra e re administrative e Japonisë.

Jejasu i urdhëroi feudalët që t’i siguronin njerëz dhe materiale për të përfunduar një kështjellë kolosale. Në një rast u përdorën rreth 3.000 anije për të transportuar gurët e stërmëdhenj prej graniti që ishin nxjerrë nga shkëmbinjtë e gadishullit Izu, rreth 100 kilometra në jug. Kur i shkarkuan gurët në port, një skuadër me më tepër se njëqind veta i tërhoqën gurët deri në vendin e ndërtimit.

Kështjella, e cila ishte më e madhja në Japoni, përfundoi 50 vjet më vonë, gjatë mbretërimit të shogunit të tretë, dhe ishte një simbol mbresëlënës i sundimit të fuqishëm Tokugava. Samurajët, ose luftëtarët që i shërbenin shogunit, u vendosën me banim përreth kështjellës. Shoguni kërkonte që feudalët të kishin edhe shtëpi në Edo, përveç kështjellave nëpër zotërimet e tyre.

Për të plotësuar nevojat e samurajëve që jetonin përreth kështjellës, u grumbulluan gjithnjë e më shumë tregtarë dhe zejtarë nga i gjithë vendi. Në vitin 1695​—rreth një shekull pasi Jejasu hyri në këtë vend​—popullsia e Edos kishte arritur një milion banorë. Edoja u bë qyteti më i madh i botës së asaj kohe.

Nga shpata te numëratorja

Sundimi i shogunit ishte kaq i efektshëm për të ruajtur paqen, saqë samurajët nuk kishin shumë për të bërë. Natyrisht, samurajët ende mburreshin me profesionin e tyre, por fuqia e shpatës dalëngadalë i hapi rrugë fuqisë së numëratores, mjet llogaritjeje i zakonshëm në Lindjen e Largët. Për më tepër se 250 vjet vazhdoi një periudhë paqeje. Qytetarët në përgjithësi, sidomos tregtarët, lulëzuan nga ana materiale dhe ishin më të pavarur. U zhvillua një kulturë unike.

Njerëzit jepeshin pas shfaqjeve të famshme kabuki (drama historike), bunraku (teatër kukullash) dhe rakugo (histori komike). Gjatë mbrëmjeve të verës së nxehtë, ata mblidheshin pranë brigjeve të lumit të freskët Sumida, ku ndodhej Edoja. Gjithashtu, ata shihnin fishekzjarrët, një traditë popullore që vazhdon edhe sot e kësaj dite.

Por Edoja mbeti e panjohur për pjesën tjetër të botës. Për më tepër se 200 vjet, kombit i ndalohej të kishte kontakte me të huajt. Nga këta bënin përjashtim​—në një masë shumë të kufizuar​—holandezët, kinezët dhe koreanët. Por një ditë, një ngjarje e papritur ndryshoi qytetin dhe kombin.

Nga Edo në Tokio

Në afërsi të bregut të Edos u shfaqën papritur disa anije me pamje të çuditshme që nxirrnin tym të zi. Peshkatarët e shtangur menduan se ishin vullkane lundruese! Në Edo u përhapën me shpejtësi thashetheme dhe si pasojë pati një eksod në masë.

Kjo flotë me katër anije, e udhëhequr nga kapiten Methju Peri i marinës amerikane, hodhi spirancën në gjirin e Edos më 8 korrik 1853 (majtas). Peri i kërkoi qeverisë së shogunit që Japonia të vendoste marrëdhënie tregtare me vendin e tij. Nga vizita e Perit japonezët kuptuan se sa prapa kishte ngelur Japonia nga pjesa tjetër e botës në fushën ushtarake dhe teknologjike.

Kjo çoi në një sërë ngjarjesh që sollën rënien e regjimit të Tokugavës dhe në rivendosjen e sundimit të perandorit. Në vitin 1868 Edoja mori emrin Tokio, që do të thotë «kryeqyteti lindor» dhe tregonte vendndodhjen e tij nga Kioto. Perandori e zhvendosi rezidencën e tij nga pallati i Kiotos në kështjellën e Edos, që më pas u quajt Pallati i ri i Perandorit.

Nën ndikimin e kulturës perëndimore, qeveria e re i hyri punës për modernizimin e Japonisë. Kishte shumë për të bërë. Disa e quajnë këtë periudhë një mrekulli. Në vitin 1869 u përurua një shërbim telegrafik që lidhte Tokion me Jokohamën. Pak kohë më pas u shtri linja e parë hekurudhore që lidhte dy qytetet. Midis shtëpive prej druri mbinë si kërpudhat ndërtesat me tulla. U ndërtuan banka, hotele, qendra tregtare dhe restorante. U ngritën universitetet e para. Rrugët e shtruara u zunë vendin rrugëve me baltë. Avulloret shkonin lart e poshtë lumit Sumida.

Madje dhe njerëzit dukeshin ndryshe. Shumica më parë vishnin kimonot tradicionale, por gjithnjë e më tepër japonezë mbanin veshje perëndimore. Burrat nisën të mbanin mustaqe, kapele cilindër dhe bastunë. Kurse disa nga gratë, që mbanin veshje elegante, mësuan të kërcenin vals.

Përveç sakesë, birra u bë një pije e preferuar ndërsa bejzbolli konkurronte me mundjen sumo si sporti i preferuar i kombit. Si një sfungjer gjigant, Tokioja thithi dhe përvetësoi idetë kulturore dhe politike të kohës. Qyteti vazhdoi të rritej gjithnjë e më shumë​—derisa një ditë goditi katastrofa.

Ngrihet nga gërmadhat

Më 1 shtator 1923, teksa shumë njerëz përgatitnin drekën, një tërmet i dhunshëm tronditi zonën e Kantos. Tërmeti u pasua nga qindra dridhje më të vogla, si edhe nga një lëkundje më e fortë 24 orë më pas. Ndonëse vetë tërmeti solli shkretim, edhe më shkatërrimtare ishin zjarret që erdhën si pasojë dhe që shkrumbuan pjesën më të madhe të Tokios. Gjithsej vdiqën 100.000 veta, 60.000 prej tyre në Tokio.

Banorët e Tokios ndërmorën detyrën e vështirë të rindërtimit të qytetit. Pasi e mori veten deri në njëfarë mase, qyteti pësoi goditje të tjera më të mëdha​—sulmet ajrore gjatë Luftës II Botërore. Shkretim të madh sollën sidomos 700.000 bombat që ranë natën e 9-10 marsit 1945, që nga mesnata e deri në tre të mëngjesit. Ndërtesat ishin kryesisht prej druri dhe bombat​—me napalm dhe pajisje të reja zjarrvënëse që përmbanin magnez dhe benzinë xhelatinoze​—i vunë zjarrin qendrës së mbipopulluar, duke vrarë më shumë se 77.000 veta. Ky ishte misioni bombardues më shkatërrimtar me armë jobërthamore në histori.

Me gjithë katastrofën, Tokioja e pasluftës u ngrit në mënyrë të jashtëzakonshme nga gërmadhat dhe u rindërtua. Në vitin 1964, më pak se 20 vjet më vonë, qyteti e kishte marrë veten aq sa mikpriti Lojërat Olimpike Verore. Katër dekadat vijuese janë karakterizuar nga ndërtimet pa fund, teksa xhungla prej betoni po përhapet anash dhe lart si tentakulat e oktapodit.

Shpirti i Tokios

Edhe pse në moshën 400-vjeçare, qyteti që tani njihet si Tokioja, nuk është aspak i vjetër po ta krahasojmë me qytetet e tjera të mëdha të botës. Ndonëse ka disa pjesë të qytetit që ruajnë ende atmosferën e qëmotshme, në pjesën më të madhe kanë mbetur shumë pak ndërtesa dhe struktura që pasqyrojnë të kaluarën. Por një vështrim nga afër i qytetit zbulon një projekt që u ngjiz në ditët e Edos së vjetër.

Në qendër të metropolit ndodhet një zonë e stërmadhe me gjelbërim. Pallati i Perandorit dhe rrethinat e tij tani ndodhen në të njëjtin vend ku ishte kështjella e Edos. Që këtu, ashtu si fijet e rrjetës së merimangës, përhapen si rreze rrugët kryesore që të nxjerrin jashtë qytetit e të cilat pasqyrojnë të njëjtën strukturë të Edos. Edhe planimetria e çrregullt e rrugëve të tjera që formojnë një labirint përmes qytetit, të sjell ndër mend imazhet e Edos së vjetër. Në fakt, shumica e rrugëve nuk kanë as emër! Ndryshe nga qytetet e mëdha të botës që janë të ndara në blloqe katrore, Tokioja ndahet në pjesë të numërtuara që kanë forma dhe masa të ndryshme.

Por gjëja më e jashtëzakonshme që Tokioja ka trashëguar nga e kaluara është shpirti i saj​—aftësia për të përvetësuar çdo gjë të re, sidomos të huaj, aftësia për ta marrë veten dhe vendosmëria për të ecur përpara pavarësisht nga tërmetet, rënia ekonomike e zgjatur dhe sfidat e mbipopullimit. Ejani dhe ndieni vetë gjallërinë e shpirtit të Tokios​—fshatit të vogël të peshkatarëve që doli nga errësira dhe u bë me famë ndërkombëtare.

[Shënimi]

^ par. 3 Shoguni ishte njeriu që trashëgonte postin e komandantit të ushtrisë japoneze dhe ushtronte sundim absolut nën udhëheqjen e perandorit.

[Harta në faqen 11]

JAPONI

TOKIO (Edo)

Jokohamë

Kioto

Osakë

[Figura në faqet 12, 13]

Tokioja sot

[Burimi]

Ken Usami/​photodisc/​age fotostock

[Burimi i figurës në faqen 11]

© The Bridgeman Art Library

[Burimi i figurës në faqen 13]

The Mainichi Newspapers