Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
▪ «Në Britani, mesatarisht një fëmijë gjashtëvjeçar do të ketë kaluar një vit të tërë para televizorit dhe më shumë se gjysma e trevjeçarëve kanë televizor në dhomën e tyre.»—THE INDEPENDENT, BRITANI.
▪ Në Kinë, 31,4 për qind e të anketuarve mbi 16 vjeç thanë se ishin fetarë. Nëse kjo përqindje do të ishte tregues për gjithë kombin, atëherë ky rezultat do të nënkuptonte se «rreth 300 milionë veta janë fetarë . . . një ndryshim i madh me shifrën zyrtare prej 100 milionësh».—CHINA DAILY, KINË.
Më shumë dëme sesa dobi
Disa vjet më parë, politikanët dhe ambientalistët holandezë menduan se kishin gjetur zgjidhjen për të prodhuar energji pa dëmtuar natyrën e burimet natyrore. Bëhej fjalë për gjeneratorë që punonin me lëndë djegëse me origjinë bimore, sidomos me vaj palme. Gazeta The New York Times thoshte se shpresat e tyre u shndërruan në «një makth për mjedisin». Më tej gazeta shtonte: «Kërkesat në rritje për vaj palme në Evropë, bënë që në Azinë Juglindore të rrafshoheshin sipërfaqe të mëdha me pyje shiu dhe të përdoreshin pa kriter plehra kimike.» U krijuan plantacione me palma duke drenazhuar dhe djegur toka me torfë, e kjo çliroi në atmosferë «sasi tepër të mëdha» gazesh karbonike. Gazeta thoshte gjithashtu se si pasojë Indonezia shpejt «u rendit e treta në botë ndër prodhuesit e gazeve karbonike që shkencëtarët mendojnë se shkaktojnë ngrohjen globale».
«Ora e fundit të botës» çohet përpara
Ora e fundit të botës e konceptuar në Buletinin e Shkencëtarëve Bërthamorë për të ilustruar sa afër shkatërrimit bërthamor është bota, është çuar dy minuta përpara. Tani mbeten edhe pesë minuta nga mesnata, pra nga «fundi simbolik i qytetërimit». Ora është ndryshuar vetëm 18 herë gjatë historisë së saj 60-vjeçare. Ndryshimi i fundit iu bë në shkurt të vitit 2002, pas sulmeve në Qendrën Tregtare Botërore në Nju-Jork. Buletini thoshte se prodhimi i vazhdueshëm dhe disponimi i armëve bërthamore, si dhe fakti që nuk është arritur që materialet bërthamore të bëhen të sigurta, janë «dëshmi se kanë dështuar përpjekjet për të zgjidhur problemet e krijuara nga teknologjia më shkatërrimtare në tokë». Për më tepër, siç shtonte buletini, «rreziqet e shkaktuara nga ndryshimi i klimës janë po aq serioze sa edhe ato që vijnë nga armët bërthamore».
Stresi gjatë shtatzënisë
Sipas studimeve të fundit, stresi që kalon një grua shtatzënë si pasojë e grindjeve ose e dhunës nga partneri mund të dëmtojë zhvillimin mendor të foshnjës së palindur. Profesoresha Viveta Gloveri, pranë Kolegjit Perandorak në Londër, thotë: «Kemi zbuluar se nëse gruaja kishte një partner që i shkaktonte vuajtje emocionale gjatë shtatzënisë, kjo ndikonte mjaft në zhvillimin e ardhshëm të fëmijës. Babai luan një rol tepër të rëndësishëm.» Ajo shpjegon se marrëdhënia mes prindërve «ndikon në ekuilibrin hormonal dhe kimik të trupit të nënës, dhe kjo ndikon në zhvillimin e trurit të fëmijës».
Ngasin si robotë
Një studiues i trafikut, Mikael Shrekenbergu, pranë Universitetit të Duisburg-Esenit, Gjermani, thotë se ata që bëjnë çdo ditë të njëjtën rrugë me makinë, shpesh e ngasin makinën pa përdorur atë pjesë të trurit ku ndodh të menduarit e vetëdijshëm. Në rrugët që i njohin mirë, shoferët nuk përqendrohen te trafiku, por te gjëra të tjera. Si pasojë e dallojnë me vonesë rrezikun. Shrekenbergu i këshillon këta shoferë t’i kujtojnë vetes vazhdimisht se duhet t’i hapin sytë mirë dhe të mos shpërqendrohen gjatë rrugës.