Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A i fal Perëndia mëkatet e rënda?

A i fal Perëndia mëkatet e rënda?

Pikëpamja e Biblës

A i fal Perëndia mëkatet e rënda?

MËSHIRA është një nga cilësitë më të spikatshme të Perëndisë. (Psalmi 86:15) Por, sa e madhe është mëshira e tij? Një psalmist shkroi: «Po t’i mbaje sytë te fajet, o Jah, o Jehova, kush do të mbetej në këmbë? Ti fal me të vërtetë, që të kenë frikë nga ti.» (Psalmi 130:3, 4) Në një psalm tjetër thuhet: «Sa larg është lindja nga perëndimi, aq larg nga ne i ka vënë shkeljet tona. Jehovai tregon mëshirë për këdo që i frikësohet atij, ashtu si një atë tregon mëshirë për bijtë e vet. Sepse ai e di mirë se si jemi formuar, dhe nuk harron që jemi pluhur.»​—Psalmi 103:12-14.

Është e qartë se mëshira e Jehovait është e plotë dhe e bollshme, dhe ai merr parasysh kufizimet dhe papërsosmëritë tona​—nuk harron që jemi «pluhur». Le të shohim disa shembuj biblikë që tregojnë se deri ku arrin mëshira e Perëndisë.

Apostulli Pjetër e mohoi tri herë Krishtin. (Marku 14:66-72) Para se të bëhej besimtar, apostulli Pavël i përndiqte dishepujt e Krishtit. Kur disa prej tyre duheshin ekzekutuar, ai votonte kundër tyre. Ai madje miratoi vrasjen e njërit prej tyre. (Veprat 8:1, 3; 9:1, 2, 11; 26:10, 11; Galatasve 1:13) Para se të bëheshin të krishterë, disa anëtarë të kongregacionit të Korintit kishin qenë pijanecë, zhvatës dhe hajdutë. (1 Korintasve 6:9-11) Megjithatë, të gjithë këta më vonë gëzuan miratimin e Perëndisë. Pse i fali Perëndia?

Tre hapa për të fituar mëshirën e Perëndisë

«M’u tregua mëshirë, sepse isha në padije dhe veproja me mungesë besimi»,​—shkroi Pavli. (1 Timoteut 1:13) Fjalët e tij të sinqerta nxjerrin në pah hapin e parë që kërkohet për të fituar faljen e Perëndisë: të heqim velin e padijes duke marrë njohuri për Jehovain dhe normat e tij që gjenden në Bibël. (2 Timoteut 3:16, 17) Sigurisht, nuk mund t’i pëlqejmë Krijuesit nëse nuk e njohim mirë. Në një lutje drejtuar Atit të tij, Jezui tha: «Që të marrin jetën e përhershme, duhet të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që dërgove, Jezu Krishtin.»​—Gjoni 17:3.

Kur ata me zemër të sinqertë marrin njohuri, ndiejnë vërtet keqardhje për gabimet e tyre të së kaluarës, dhe kjo i bën të pendohen me gjithë zemër. Ky është hapi i dytë për të fituar faljen e Perëndisë. Te Veprat 3:19 thuhet: «Prandaj pendohuni dhe kthehuni, që t’ju fshihen mëkatet.»

Te ky varg gjejmë edhe hapin e tretë: kthimin. Të kthehesh do të thotë të braktisësh qëndrimet e mënyrën e mëparshme të jetesës dhe të jetosh sipas normave dhe pikëpamjes së Perëndisë. (Veprat 26:20) Me pak fjalë, me mënyrën e re të jetesës, dikush tregon se e ka me gjithë mend kur i thotë Perëndisë: «Më fal!»

Falja e Perëndisë ka kufi

Mëkatet e disa njerëzve Perëndia nuk i fal. Pavli shkroi: «Po të praktikojmë me dashje mëkatin, pasi të kemi marrë njohurinë e saktë të së vërtetës, nuk ka më asnjë flijim për mëkatet, por një pritje e frikshme e gjykimit [dënues].» (Hebrenjve 10:26, 27) Shprehja «praktikojmë me dashje mëkatin» tregon se e keqja te këta njerëz është rrënjosur thellë dhe se kanë një zemër vërtet të ligë.

Zemra e Judë Iskariotit u bë e tillë. «Për të do të ishte më mirë të mos kishte lindur»,​—tha Jezui. (Mateu 26:24, 25) Dhe për disa udhëheqës fetarë të asaj kohe, ai tha: «Ju jeni nga ati juaj, Djalli. . . . Kur thotë gënjeshtra, i thotë se ashtu e ka natyrën, sepse ai është gënjeshtar dhe ati i gënjeshtrës.» (Gjoni 8:44) Ashtu si Satanai, këta njerëz ishin të ligj deri në palcë. Nuk ndienin kurrfarë keqardhjeje për çka kishin bërë, por zemra e tyre u ngurtësua edhe më shumë. * Vërtet, për shkak të papërsosmërisë dhe dobësive, edhe të krishterët e vërtetë bëjnë mëkate, e ndonjëherë të rënda. Por mëkatet e tyre nuk janë shenjë e prirjeve të liga të rrënjosura thellë.​—Galatasve 6:1.

I mëshirshëm deri në fund

Jehovai nuk sheh vetëm mëkatin, por edhe qëndrimin e mëkatarit. (Isaia 1:16-19) Mendoni pak për dy keqbërësit që u vunë në shtyllë përbri Jezuit. Me sa duket, të dy kishin kryer krime të rënda, sepse njëri prej tyre pranoi: «[Ne] po marrim plotësisht atë që meritojmë për ato që bëmë. Kurse ky [Jezui] s’ka bërë asgjë të keqe.» Këto fjalë tregojnë se ai dinte diçka për Jezuin, dhe kjo ndoshta e ndihmoi të ndryshonte për mirë qëndrimin. Kjo duket nga ajo që tha më pas duke iu përgjëruar Jezuit: «Më kujto kur të hysh në mbretërinë tënde.» Si iu përgjigj Jezui kësaj lutjeje nga zemra? «Vërtet po të them sot: ti do të jesh me mua në Parajsë.»​—Luka 23:41-43.

Mendoni: fjalët e Jezuit në çastet e tij të fundit si njeri, ishin fjalë mëshire ndaj dikujt që e kishte pranuar edhe vetë që e meritonte dënimin me vdekje. Sa inkurajuese! Mund të jemi të sigurt se, si Jezu Krishti, ashtu edhe Ati i tij, Jehovai, do të tregojnë dhembshuri ndaj të gjithë atyre që shfaqin pendim të vërtetë, pavarësisht nga veprat e tyre të së kaluarës.​—Romakëve 4:7.

[Shënimi]

^ par. 12 Shih artikullin «A keni mëkatuar kundër frymës së shenjtë?» në faqet 16-20 të revistës Kulla e Rojës të 15 korrikut 2007.

A DONI TË DINI?

▪ Si do ta përshkruanit mëshirën e Perëndisë?​—Psalmi 103:12-14; 130:3, 4.

▪ Çfarë hapash duhet të marrë dikush që të fitojë miratimin e Perëndisë?​—Gjoni 17:3; Veprat 3:19.

▪ Çfarë premtimi i bëri Jezui një keqbërësi?​—Luka 23:43.

[Figura në faqen 10]

Jezui tregoi se mëkatet e rënda mund të falen