Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A ka zgjidhje problemi i krimeve?

A ka zgjidhje problemi i krimeve?

A ka zgjidhje problemi i krimeve?

«Studimet tregojnë se shumë kriminelë e dëmtojnë shoqërinë edhe kur dalin nga burgu, dhe kostoja, që nuk matet vetëm me dollarë, mbetet astronomike.»​—Ç’ndodh në mendjen e kriminelit?, nga Dr. Stanton E. Seimnau.

PAVARËSISHT se në ç’vend të botës jeton, duket sikur çdo ditë shfaqen lloje të reja krimesh rrëqethëse. Prandaj është logjike të na lindë pyetja: a po bëjnë punë masat që merren sot, si dënimet e rënda, afatet e burgimit, etj? A i ndihmon burgu kriminelët të kthejnë rrugë? Ç’është më e rëndësishme, a po e lufton shoqëria krimin që në rrënjë?

Lidhur me masat e tanishme, dr. Stanton E. Seimnau shkruan: «Pasi ka provuar burgun, [krimineli] mund të bëhet më dinak e më i kujdesshëm, por, ndërkohë, vazhdon të zhvatë të tjerët dhe të kryejë krime. Statistikat e recidivizmit [përsëritja e veprave kriminale] tregojnë vetëm ato raste kur krimineli është treguar aq i pakujdesshëm sa e kanë kapur [prapë].» Prandaj, në realitet, shpesh burgjet bëhen shkolla specializimi për kriminelët, duke i ndihmuar pa dashje të mprehin më shumë aftësitë e tyre antishoqërore.​—Shih kutinë «Shkolla krimi»? në faqen 7.

Për më tepër, shumë krime mbeten pa u ndëshkuar, dhe kështu kriminelët nxjerrin përfundimin se rruga e krimit është me leverdi. Ky mendim mund t’i bëjë më të guximshëm e më të vendosur në rrugën e tyre. Dikur udhëheqësi i mençur i një kombi shkroi: «Ngaqë dënimi kundër një vepre të keqe nuk është ekzekutuar me shpejtësi, zemra e bijve të njerëzve është plotësisht e vendosur për të bërë keq.»​—Eklisiastiu 8:11.

Kriminelë nga halli apo me dëshirë?

A është krimi e vetmja rrugë mbijetese për disa? «E shihja krimin si një reagim gati-gati normal, e ndoshta të justifikueshëm, ndaj skamjes shtypëse, pasigurisë së jetës dhe dëshpërimit që mbizotëronte në jetën [e kriminelëve]»,​—pranon Seimnau. Por, pas studimeve të shumta, ai ndërroi mendje. «Kriminelët zgjedhin vetë të kryejnë krime,​—nxori si përfundim ai.​—Krimi . . . ‘shkaktohet’ nga mënyra si mendon [njeriu], jo nga ambienti ku jeton.» Më tej, Seimnau shton: «Kryesisht sjellja është fryt i mënyrës së të menduarit. Mendimi paraprin, shoqëron dhe pason gjithçka bëjmë.» Pra, në vend që t’i shihte kriminelët si viktima, ai arriti në përfundimin se «ata ishin shkaktarë viktimash që e kishin zgjedhur me dëshirë atë rrugë». *

Fjala kyçe është «zgjedhin». Titulli i një artikulli kryesor që doli kohët e fundit në një gazetë britanike ishte: «Krimi është karriera e zgjedhur e të rinjve të qyteteve që synojnë një jetë më të mirë.» Njerëzit kanë vullnet të lirë dhe mund ta zgjedhin vetë rrugën që duan të marrin, edhe në rrethana të vështira. S’mund të mohohet se ka miliona veta që luftojnë përditë me padrejtësitë shoqërore dhe varfërinë ose që jetojnë në familje me probleme; por nuk bëhen kriminelë. Seimnau thotë: «Krimin e shkaktojnë kriminelët, jo lagjet e këqija, prindërit e paaftë, . . . apo papunësia. Krimi zë fill në mendjen e njerëzve dhe nuk shkaktohet nga kushtet shoqërore.»

Krimi buron nga brenda

Bibla e vë theksin te mendja dhe zemra e njeriut, jo te rrethanat. Te Jakovi 1:14, 15 thuhet: «Secili sprovohet, i tërhequr dhe i joshur nga dëshira e vet. Pastaj dëshira, si bëhet pjellore, lind mëkatin.» Kur dikush ka mendime të këqija, ai ushqen dëshira të gabuara. Kjo mund të çojë në veprime të dëmshme. Për shembull, një kureshtje e rastit për pornografinë mund të kthehet në një fiksim pas seksit, që në fund e shtyn njeriun t’i realizojë fantazitë e tij, ndoshta në rrugë kriminale.

Një faktor tjetër që vlen të mbahet parasysh është se bota përqendrohet te interesi personal, paraja, kënaqësitë dhe plotësimi në çast i dëshirave. Bibla paratha për kohën tonë: «Në ditët e fundit . . . njerëzit do të jenë të dashuruar me veten, të dashuruar pas parave, . . . të egër, pa dashuri për mirësinë, . . . kënaqësidashës në vend se perëndidashës.» (2 Timoteut 3:1-5) Mjerisht nëpërmjet filmave, videolojërave, literaturës dhe shembujve të këqinj, bota ushqen tipare të tilla që vetëm sa i japin shtysë krimit. * Megjithatë, njerëzit si individë nuk kanë pse u dorëzohen ndikimeve të tilla. Disa njerëz që dikur u ishin dorëzuar këtyre ndikimeve, e kanë ndryshuar si nata me ditën pikëpamjen dhe jetën e tyre.

Njerëzit mund të ndryshojnë!

Të jesh kriminel nuk do të thotë se do të mbetesh kriminel. Libri Ç’ndodh në mendjen e kriminelit? (anglisht) thotë se, ashtu si mund të zgjedhë rrugën e krimit, po kështu njeriu «mund të zgjedhë një rrugë krejt tjetër e të mësojë të bëhet i përgjegjshëm në jetë».

Përvoja ka treguar se njerëzit ndryshojnë, pavarësisht nga e kaluara. * Mjafton të kenë dëshirën për të ndrequr qëndrimet, motivet dhe mendimet që t’i përputhin me normat e qëndrueshme të Krijuesit tonë, dhe jo me normat e njerëzve, të cilat shkojnë e vijnë. Në fund të fundit, kush na njeh më mirë se Krijuesi? Veç kësaj, a nuk ka të drejtë Perëndia të vendosë ç’është e mirë apo e keqe për familjen njerëzore? Ja pse ai frymëzoi rreth 40 njerëz besnikë, të shkruanin atë që sot quhet Bibla e Shenjtë​—një libër i mahnitshëm që me të drejtë mund të quhet udhëzuesi i njerëzimit për një jetë të lumtur e me kuptim.​—2 Timoteut 3:16, 17.

Mund të mos jetë e lehtë të bëjmë ndryshimet e nevojshme për t’i pëlqyer Perëndisë, pasi duhet t’u bëjmë ballë prirjeve mëkatare. Në të vërtetë, një shkrimtar i Biblës e krahasoi me një ‘luftë’ këtë konflikt të brendshëm. (Romakëve 7:21-25) Ai e fitoi betejën sepse nuk mbështetej te forcat e veta, por te fuqia e Perëndisë, Fjala e frymëzuar e të cilit «është e gjallë dhe ushtron fuqi».​—Hebrenjve 4:12.

Fuqia e një «ushqimi» të shëndetshëm

Që trupi të jetë i shëndetshëm, ka nevojë për ushqim të mirë. Gjithashtu, ky ushqim duhet të bluhet mirë dhe të tretet, e për këtë nevojitet kohë dhe përpjekje. Po njësoj, që të jemi ‘të shëndetshëm’ nga pikëpamja e Perëndisë, kemi nevojë «të bluajmë» fjalët e tij që këto të hyjnë në mendjen dhe në zemrën tonë. (Mateu 4:4) Bibla thotë: «Vazhdoni të mendoni për çdo gjë të vërtetë, çdo gjë që vlerësohet si serioze, çdo gjë të drejtë, çdo gjë të dëlirë, çdo gjë të dashur, çdo gjë për të cilën flitet mirë, çfarëdo virtyti dhe çfarëdo gjëje të denjë për t’u lëvduar . . . , dhe Perëndia i paqes do të jetë me ju.»​—Filipianëve 4:8, 9.

Vër re se duhet ‘të vazhdojmë të mendojmë’ ose të bluajmë mendimet e Perëndisë, nëse duam që tiparet e personalitetit të vjetër t’ua lënë vendin tipareve të reja. Duhet durim, pasi rritja frymore nuk ndodh sa hap e mbyll sytë.​—Kolosianëve 1:9, 10; 3:8-10.

Shqyrto rastin e një gruaje me të cilën kishin abuzuar kur ishte fëmijë. Ajo u dha pas drogës, alkoolit e duhanit dhe tani vuan dënimin me burgim të përjetshëm për një sërë krimesh. Kur ishte në burg, nisi studimin e Biblës me Dëshmitarët e Jehovait dhe ua vuri veshin të vërtetave që mësoi. Cili ishte rezultati? Dalëngadalë personalitetit të vjetër ia zuri vendin personaliteti i ri ngjashëm Krishtit. Tani ajo nuk është më skllave e mendimeve dhe veseve të saj shkatërrimtare. Një nga vargjet e saj biblike të preferuara është 2 Korintasve 3:17, ku thuhet: «Jehovai është Fryma, dhe atje ku është fryma e Jehovait, është liria.» Po, ndonëse e burgosur ajo gëzon një liri që nuk e kishte provuar kurrë.

Perëndia është i mëshirshëm

Në sytë e Perëndisë Jehova askush nuk është medoemos një dru i shtrembër që s’drejtohet. * Biri i Perëndisë, Jezu Krishti, tha: «Unë nuk erdha për të drejtët, por që të thërras mëkatarët të pendohen.» (Luka 5:32) Vërtet, mbase është e vështirë të jetosh sipas normave të Perëndisë. Por është e mundur për ata që janë të duruar dhe nxjerrin dobi nga ndihma që jep Perëndia, duke përfshirë edhe përkrahjen e dashur të të krishterëve të pjekur. (Luka 11:9-13; Galatasve 5:22, 23) Ja pse Dëshmitarët e Jehovait në mbarë botën vizitojnë rregullisht burgjet për të drejtuar studime biblike pa pagesë me burra e gra të sinqertë që kanë kryer krime nga më të ndryshmet. * Në disa burgje, Dëshmitarët çdo javë mbajnë edhe mbledhje.​—Hebrenjve 10:24, 25.

Po, disa keqbërës kanë hequr dorë nga rruga e keqe dhe janë bërë të krishterë të vërtetë, por nga ana tjetër Bibla flet hapur për ‘rritjen e paligjshmërisë’. (Mateu 24:12) Kjo gjë, siç do ta shohim në artikullin tjetër, u paratha në kuadrin e një profecie më të madhe që përmban lajme shumë të mira.

[Shënimet]

^ par. 7 Në disa krime, një faktor mund të jenë sëmundjet mendore, sidomos në vendet ku njerëzit me çrregullime lihen të lirë rrugëve dhe mund të gjejnë armë kollaj. Megjithatë, ky artikull nuk e trajton këtë çështje komplekse.

^ par. 11 Për më shumë informacione rreth temës së krimit, shih revistën Zgjohuni! «Një botë pa krime: Kur?», shkurt 1998, faqet 3-9, dhe 8 gusht 1985, faqet 3-12 (anglisht), me titull «A do të ecim ndonjëherë në rrugë pa frikën e krimit?»

^ par. 14 Kjo revistë dhe shoqëruesja e saj, Kulla e Rojës, kanë treguar shpesh për disa individë që e vërteta biblike i nxiti të hiqnin dorë nga rruga e krimit. Shih revistën Zgjohuni!, korrik 2006, faqet 11-13; 8 tetor 2005, faqet 20, 21; Kullën e Rojës 1 janar 2000, faqet 4, 5; 15 tetor 1998, faqet 27-29 dhe 15 shkurt 1997, faqet 21-24.

[Diçitura në faqen 5]

Miliona që jetojnë në skamje nuk e gjejnë rrugëzgjidhjen te krimi

[Kutia dhe figura në faqet 6, 7]

«SËRISH NË BURG BRENDA DY VJETËSH»

Ky ishte titulli i një artikulli kryesor në gazetën The Times të Londrës, Angli, ku thuhej se në Britani mbi 70 për qind e të dënuarve për plaçkitje dhe vjedhje, kthehen në burg brenda dy vjetësh. Shumë krime kryhen nga të droguarit që janë në hall si të gjejnë para për vesin e tyre të kushtueshëm e vetëshkatërrues.

[Kutia në faqen 7]

«SHKOLLA KRIMI»?

«Burgjet janë shkolla krimi»,​—shkruan profesori Xhon Brethuet në revistën UCLA Law Review. Në librin e tij Ç’ndodh në mendjen e kriminelit?, dr. Stanton E. Seimnau thotë se «shumë kriminelë mësojnë vërtet nga përvoja», por ama, jo atë që dëshiron shoqëria të mësojnë. Ai shkruan: «Në burg njeriu ka kohë dhe mundësi sa të dojë për të mësuar si të jetë një kriminel më i zoti. . . . Madje disa bëhen kriminelë të mbaruar, dhe zhyten kokë e këmbë në krime, por bëhen mjeshtra për t’ia hedhur paq.»

Në një kapitull vijues Seimnau thotë: «Burgosja nuk e ndryshon në thelb personalitetin e kriminelit. Qoftë në rrugë, qoftë në burg, ai krijon lidhje të reja, mëson marifete të tjera të zanatit dhe u mëson të tjerëve disa nga të vetat.» Një djalë kriminel tha: «Burgu më kualifikoi si mësues të krimit.»