Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A kanë dalë krimet jashtë kontrollit?

A kanë dalë krimet jashtë kontrollit?

A kanë dalë krimet jashtë kontrollit?

▪ Një nxënës i sëmurë mendërisht dhe i armatosur gjer në dhëmbë bën kërdinë mes nxënësve dhe mësuesve të shkollës.

▪ Rrëmbejnë një vogëlushe, dhe kjo u sjell prindërve angështi të papërshkrueshme.

▪ Një adoleshent pohon se vrau dikë thjesht për të provuar drithërimën e vrasjes dhe se kufomën ua tregoi shokëve që e ruajtën sekretin për javë të tëra.

▪ Me anë të internetit, një maniak seksual shkëmben ide me pedofilë të tjerë si të joshin fëmijët.

KËTO janë vetëm disa prej krimeve tronditëse që dëgjohen sot në lajme. A ndihesh i sigurt në lagjen tënde, sidomos natën? A ke qenë ti ose familja jote viktima të krimit? Miliona veta anembanë botës, madje edhe në ato vende që dikur konsideroheshin disi të sigurta, pohojnë se s’u ndahet frika nga krimi e dhuna. Ja disa lajme të shkurtra nga vende të ndryshme.

JAPONI: Asia Times thuhet: «Më parë Japonia renditej ndër vendet më të sigurta në botë. . . . Por sot ajo siguri që ndiente njeriu duket tepër e largët dhe ndjenjës së sigurisë kombëtare ia ka zënë vendin ankthi i madh nga krimi dhe terrorizmi global.»

AMERIKA LATINE: Sipas një lajmi në media të vitit 2006, personalitetet e shquara të Brazilit parashikojnë luftë guerile në qytetin e San-Paulos. Meqë për javë të tëra kishte hera-herës akte dhune, presidenti i vendit bëri thirrje që ushtria të mbronte urgjentisht rrugët e qytetit. Sipas gazetës Tiempos del Mundo, në Amerikën Qendrore dhe në Meksikë «autoritetet e rajonit janë në gjendje gatishmërie, ngaqë në bandat e të rinjve ka të paktën 50.000 adoleshentë». Gazeta shton: «Vetëm gjatë vitit 2005, dora e bandave të të rinjve vrau rreth 15.000 veta në Salvador, Honduras dhe Guatemalë.»

KANADA: «Specialistët në fushën e krimit janë të alarmuar për shtimin e bandave,​—thoshte gazeta USA Today në vitin 2006.​—Policia . . . identifikoi 73 banda rrugësh që veprojnë në Toronto.» Sipas të njëjtit burim, shefi i policisë së Torontos pranoi se nuk ka një zgjidhje të thjeshtë për problemin gjithnjë e më shqetësues të bandave të qyteteve.

AFRIKA E JUGUT: Patrik Bërton, studiues në fushën e krimeve, thotë në gazetën Financial Mail: «Frika e krimit përshkon çdo fushë të jetës së të rinjve në Afrikën e Jugut.» Gazeta thotë se te këto krime përfshihen «krimet e dhunshme, siç janë grabitja me armë, rrëmbimi i mjeteve të udhëtimit dhe vjedhja e bankave».

FRANCË: Shumë veta që banojnë në blloqe pallatesh jetojnë dita-ditës me tmerr kur «ngjisin shkallët e dëmtuara nga vandalët, hyjnë në parkimet e shndërruara në zona të rrezikshme dhe përdorin transportin publik, i cili kur bie nata bëhet i rrezikshëm».​—Guardian Weekly.

SHTETET E BASHKUARA: Bandat e organizuara po e fuqizojnë valën e krimeve. Sipas një artikulli në The New York Times, nga një sondazh i policisë në një shtet amerikan, doli se rreth 17.000 të rinj, djem dhe vajza, marrin pjesë në njërën prej afro 700 bandave. Kjo do të thotë se vetëm për katër vjet numri i anëtarëve është rritur me gati 10.000 veta.

BRITANI: Në lidhje me një raport të UNICEF-it rreth ndikimit të krimit te fëmijët, gazeta The Times e Londrës thoshte: «Sa vjen e rritet numri i fëmijëve britanikë që vdesin nga gryka e armës. . . . Viktimat dhe kriminelët e krimeve me armë kanë një moshë gjithnjë e më të vogël.» Numri i të burgosurve në Angli dhe Uells ka pësuar një rritje marramendëse, duke arritur në thuajse 80.000 veta.

KENIA: Sipas një lajmi në media, një nënë dhe vajza e saj që nuk dolën aq shpejt sa duhet nga makina e tyre, u qëlluan me armë nga grabitësit në një rrugë plot trafik. Kryeqyteti i Kenias, Najrobi, ka marrë nam të keq për lloj-lloj krimesh, ku përfshihen: grabitja e makinave, e njerëzve dhe hyrja me forcë në shtëpi.

A po dalin jashtë kontrollit krimet? Cili është shkaku kryesor i krimeve? A ka një arsye për të besuar se një ditë njerëzit do të jetojnë në paqe dhe siguri të vërtetë? Artikujt vijues do t’u përgjigjen këtyre pyetjeve.