Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dorëshkrimet e lashta: Si përcaktohet data e tyre?

Dorëshkrimet e lashta: Si përcaktohet data e tyre?

Dorëshkrimet e lashta: Si përcaktohet data e tyre?

NË VITIN 1844, studiuesi biblik Konstantin fon Tishendorf vizitoi manastirin e Shën Katerinës, që ndodhet rrëzë malit të Sinait në Egjipt. Teksa po rrëmonte nëpër bibliotekat e manastirit, gjeti disa pergamena të çmuara. Si studiues i paleografisë, * Tishendorfi e dalloi se ato pergamena ishin faqe të Septuagintës, një përkthim në greqisht i Shkrimeve Hebraike, ose i «Dhiatës së Vjetër». Ai shkroi: «S’kisha parë asgjë tjetër që mund të konsiderohet si më e lashtë se këto faqe që gjeta në Sinai.»

Pergamenat, që më pas u bënë të njohura si Dorëshkrimi Sinaitik (Codex Sinaiticus), janë datuar si të shekullit të katërt të erës sonë. Dorëshkrimi Sinaitik është vetëm një ndër mijëra dorëshkrimet e lashta të Shkrimeve Hebraike e Greke, të cilat janë vërtet një burim i pashtershëm studimi.

Historiku i paleografisë së greqishtes

Një murg benediktin, Bernar dë Monfokó (1655-1741), hodhi themelet për studimin e dorëshkrimeve në greqisht. Më pas, dhanë ndihmesën e tyre edhe studiues të tjerë. Tishendorfi ndërmori punën e stërmadhe për të përpiluar një listë me dorëshkrimet më të vjetra të Biblës në greqisht që gjendeshin nëpër bibliotekat e Evropës. Ai bëri disa udhëtime në Lindjen e Mesme, studioi qindra dokumente dhe botoi zbulimet që bëri.

Në shekullin e 20-të, paleografët patën në dispozicion mjete të tjera studimi. Një prej tyre është lista e Marsel Risharit me rreth 900 katalogë që përshkruajnë 55.000 dorëshkrime në greqisht, biblike dhe jobiblike, të cilat u përkasin 820 bibliotekave ose pronarëve privatë. Ky informacion i pafund është një ndihmë për përkthyesit, por edhe për paleografët që të përcaktojnë me më shumë saktësi datën e dorëshkrimeve.

Si përcaktohet data e dorëshkrimeve?

Ta zëmë se po pastroni baxhën e një shtëpie të vjetër dhe gjeni një letër të shkruar, pa datë e të zverdhur nga koha. ‘Sa e vjetër është?’​—mund të pyesni. Pastaj, ju zë syri një letër tjetër. Në përgjithësi, stili, shkrimi, shenjat e pikësimit dhe aspekte të tjera ngjajnë me ato të letrës së parë. Por, për kënaqësinë tuaj, letra e dytë ka edhe datën. Ndonëse nuk keni mundësi të përcaktoni vitin se kur është shkruar letra e parë, mbase tani e keni njëfarë ideje se cilës periudhë kohore mund t’i përkasë pak a shumë letra pa datë.

Shumica e skribëve nuk e vinin datën e përfundimit në kopjet e dorëshkrimeve që bënin. Për të përcaktuar një datë të përafërt, studiuesit i krahasojnë këto me tekste të tjera, përfshirë edhe dokumente të lashta jobiblike të cilave u dihet data, dhe arrijnë në përfundime të bazuara në llojin e shkrimit, shenjat e pikësimit, shkurtimet, e kështu me radhë. Sidoqoftë, janë gjetur me qindra dorëshkrime që përmbajnë edhe datën. Ato janë shkruar në greqisht rreth një periudhe nga viti 510 i e.s. deri në vitin 1593 të e.s.

Të dhëna nga stili i shkrimit

Paleografët i ndajnë stilet e shkrimit të lashtë në greqisht në dy kategori bazë: libror, që është elegant e formal, dhe kursiv, ku germat e njëpasnjëshme janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe që përdorej në dokumentet joletrare. Edhe germat që përdornin skribët grekë kishin një larmi stilesh, që mund të ndahen në germa të mëdha, unciale (një lloj germash të mëdha), të pjerrëta dhe të vogla. Shkrimi me germa unciale, që është një formë e stilit libror, ishte në përdorim nga shekulli i katërt p.e.s. deri në shekullin e tetë a të nëntë të erës sonë. Shkrimi me germa të vogla, që është një formë e vogël e stilit libror, u përdor nga shekulli i 8-të apo i 9-të i e.s. deri në mes të shekullit të 15-të të e.s., kur në Evropë nisi të përdorej shtypja me germa të lëvizshme. Germat e vogla shkruheshin më shpejt e më ngjeshur, dhe kursenin kohë e pergamenë.

Paleografët kanë metodat e tyre të parapëlqyera për të datuar dorëshkrimet. Zakonisht, ata i hedhin tekstit një vështrim të përgjithshëm dhe pastaj e shqyrtojnë më nga afër, duke e analizuar germë për germë. Ndonëse është i dobishëm, një shqyrtim i kujdesshëm i tekstit është veçse një tregues i përafërt i kohës kur mund të jetë shkruar, pasi zakonisht duhet të kalojë një kohë e gjatë para se stili i shkrimit të pësojë ndryshime domethënëse.

Mirëpo ekzistojnë edhe mënyra të tjera për t’iu afruar më shumë datës së saktë të shkrimit. Ndër to është identifikimi i disa praktikave që u përdorën në shkrim dhe përcaktimi i datës se kur u futën në përdorim. Për shembull, në tekstet greke pas vitit 900 të e.s., skribët nisën ta shtonin përdorimin e diftagut (dy a më shumë germa të lidhura bashkë). Gjithashtu, nisën të përdornin edhe shkrimin infralinear (shkrimin e disa germave greke poshtë rreshtit), si edhe «shenjat për të marrë frymë», të cilat i ndihmonin lexuesit për shqiptimin e saktë të fjalëve.

Stili i shkrimit të një njeriu mbetet pothuajse i pandryshuar gjatë gjithë jetës. Për këtë arsye, shpesh tekstet mund të datohen vetëm brenda një periudhe kohore 50-vjeçare. Për më tepër, shpesh skribët përdornin si model dorëshkrime më të hershme, dhe kjo bënte që kopjet e shkruara prej tyre të duken më të vjetra nga ç’janë. Por, pavarësisht nga gjithë këto vështirësi, disa nga dorëshkrimet e rëndësishme të Biblës kanë arritur të datohen.

Datimi i dorëshkrimeve të rëndësishme greke

Dorëshkrimi Aleksandrin (Codex Alexandrinus), që tani gjendet në Bibliotekën Britanike, ishte dorëshkrimi i parë i rëndësishëm i Biblës që u vu në dispozicion të studiuesve. Ai përmban pjesën më të madhe të Biblës dhe është shkruar në greqisht me germa unciale mbi fletë velini, një lloj pergamene shumë e hollë. Ky kodik është datuar nga fillimi i shekullit të pestë të erës sonë, kryesisht për shkak të ndryshimeve që pësoi shkrimi me germa unciale mes shekujve të pestë e të gjashtë, siç dëshmon një dokument me datë i quajtur Dioskoridi i Vienës. *

Një tjetër dorëshkrim i rëndësishëm që u vu në dispozicion të studiuesve është Dorëshkrimi Sinaitik (Codex Sinaiticus), të cilin Tishendorfi e gjeti në manastirin e Shën Katerinës. Ai është shkruar në greqisht me germa unciale në pergamenë dhe përmban pjesë të Shkrimeve Hebraike nga versioni i Septuagintës greke, si dhe gjithë Shkrimet e Krishtere Greke. Dyzetë e tre fletë të këtij kodiku ruhen në Lajpcig të Gjermanisë; 347 fletë janë në Bibliotekën Britanike në Londër dhe 3 fletë jo të plota gjenden në Shën-Pjetërburg të Rusisë. Dorëshkrimi daton nga fundi i shekullit të katërt të erës sonë. Këtë datë e mbështetin tabelat anësore tek Ungjijtë, të cilat dihet se janë hartuar nga Eusebiusi i Cezaresë, një historian i shekullit të katërt. *

Vepra e tretë e rëndësishme është Dorëshkrimi i Vatikanit nr. 1209 (Codex Vaticanus), i cili fillimisht përmbante gjithë Biblën në greqisht. Kodiku u shfaq për herë të parë në katalogun e Bibliotekës së Vatikanit në vitin 1475. Ai është shkruar me germa greke unciale, në 759 fletë pergamene të hollë, apo velini, dhe përmban pjesën më të madhe të Biblës, me përjashtim të një pjese të madhe të Zanafillës, të një pjese të Psalmeve dhe të disa pjesëve të Shkrimeve të Krishtere Greke. Studiuesit kanë përcaktuar si datë të dorëshkrimit pjesën e parë të shekullit të katërt të e.s. Si arritën në këtë përfundim? Stili i shkrimit është i ngjashëm me atë të Dorëshkrimit Sinaitik, që i përket shekullit të katërt. Megjithatë, kodiku i Vatikanit konsiderohet në përgjithësi si pak më i vjetër. Ndër të tjera, për shembull, ai nuk ka referimet anësore të kanuneve të Eusebiusit.

Thesar nga një pirg mbeturinash

Në vitin 1920, biblioteka «Xhon Rajlënds» në Mançester të Anglisë mori në zotërim një sasi të madhe papirusesh të sapozbuluara në një pirg mbeturinash të lashta egjiptiane. Teksa shqyrtonte këto mbetje, ndër të cilat kishte letra, dëftesa dhe dokumente regjistrimi, studiuesi Kolin Roberts pa një fragment dokumenti me një tekst që ai e njihte​—disa vargje të kapitullit të 18-të të Gjonit 18. Ky ishte teksti më i hershëm i Shkrimeve Greke që njihej deri në atë kohë.

Fragmenti u bë i njohur si Papirusi Xhon Rajlënds 457, i njohur në shkallë ndërkombëtare si P52. Ai është shkruar me germa greke unciale dhe mban si datë fillimin e shekullit të dytë​—vetëm pak dhjetëvjeçarë pasi u shkrua origjinali i Ungjillit të Gjonit. Në mënyrë mjaft domethënëse, teksti i tij përputhet pothuajse saktësisht me tekstet e dorëshkrimeve të gjetura shumë kohë më pas.

E lashtë, por e saktë!

Në një nga librat e tij, kritiku britanik sër Frederik Kenion shkroi: «Qoftë autenticiteti, qoftë saktësia e përgjithshme e librave të Besëlidhjes së Re mund të konsiderohen të provuara përfundimisht.» Në mënyrë të ngjashme, studiuesi Uilliam H. Grin tha për integritetin e Shkrimeve Hebraike: «Mund të thuhet me siguri se asnjë vepër tjetër e lashtësisë nuk është transmetuar kaq saktë.»

Këto fjalë të sjellin ndër mend atë që shkroi apostulli Pjetër: «Çdo mish është si bari dhe gjithë lavdia e tij është si lule bari. Bari thahet dhe lulja bie, por fjala e Jehovait qëndron përgjithmonë.»​—1 Pjetrit 1:24, 25.

[Shënimet]

^ par. 2 «Paleografia . . . është studimi i shkrimeve të lashta dhe mesjetare. Ajo merret kryesisht me shkrimet që janë bërë në materiale të prishshme, si: papiruse, pergamena ose letër.»​—The World Book Encyclopedia.

^ par. 16 Dioskoridi i Vienës u shkrua për njëfarë Juliana Anisia, e cila vdiq më 527 ose 528 të e.s. Ky dokument është «shembulli më i hershëm i shkrimit me germa unciale në velin, për të cilin mund të përcaktohet një datë e përafërt».​—An Introduction to Greek and latin Paleography, nga E. M. Tompsoni.

^ par. 17 Të ashtuquajturat kanune të Eusebiusit janë një sërë tabelash, ose një sistem me referime anësore, «që tregojnë se cilat pjesë të çdo Ungjilli janë të ngjashme me pjesë të Ungjijve të tjerë».​—Manuscripts of the Greek Bible, nga Brus M. Metsgëri.

[Diçitura në faqen 21]

Shqyrtimi i kujdesshëm i dorëshkrimeve të datuara, i ndihmon paleografët të përcaktojnë datat e veprave të padatuara

[Kutia në faqen 20]

Datimi i Rrotullave të Detit të Vdekur

E para nga Rrotullat e Detit të Vdekur të librit biblik të Isaisë u zbulua në vitin 1947, dhe ishte shkruar në lëkurë me një stil shkrimi që i përkiste epokës së hebraishtes paramasoretike. Si datë e rrotullës është përcaktuar fundi i shekullit të dytë p.e.s. Si arritën studiuesit në këtë përfundim? Krahasuan stilin e shkrimit me tekste dhe mbishkrime të tjera në hebraisht, dhe e përcaktuan datën paleografike mes viteve 125 p.e.s dhe 100 p.e.s. Metoda e datimit me karbon-14 nxori prova të mëtejshme.

Në mënyrë të habitshme, një krahasim i Rrotullave të Detit të Vdekur me tekstin masoretik, i cili u përgatit shumë shekuj më vonë nga skribët masoretë, nuk tregon asnjë ndryshim doktrinal. * Shumë nga ndryshimet kanë të bëjnë thjesht me çështje ortografike dhe gramatike. Po kaq i jashtëzakonshëm është edhe fakti që Tetragrami​—katër bashkëtingëlloret hebraike që përbëjnë emrin hyjnor Jehova​—përdoret në mënyrë të vazhdueshme në rrotullat e Isaisë.

[Shënimi]

^ par. 34 Masoretët ishin kopistë judenj të përpiktë, që jetuan gjatë gjysmës së dytë të mijëvjeçarit të parë të e.s.

[Tabela dhe figurat në faqet 20, 21]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Stile shkrimi në greqisht

Libror (uncial)

Nga shek. IV p.e.s. deri në shek. VIII ose IX p.e.s.

Gërma të vogla

Nga shek. VIII ose IX i e.s. deri shek. XV të e.s.

Dorëshkrime të rëndësishme

400

200

Rrotulla e Detit të Vdekur

Fundi i shek. II p.e.s.

p.e.s.

e.s.

100

Papirusi Xhon Rajlënds 457

125 e.s.

300

Dorëshkrimi i Vatikanit nr. 1209

Fillimi i shek. IV

Dorëshkrimi Sinaitik

Shek. IV

400

Dorëshkrimi Aleksandrin

Fillimi i shek. V

500

700

800

[Figurat në faqen 19]

Lart: Konstantin fon Tishendorf;

Djathtas: Bernar dë Monfokó

[Burimi]

© Réunion des Musées Nationaux/​ Art Resource, NY

[Burimi i figurës në faqen 20]

Rrotulla e Detit të Vdekur: Shenjtërorja e Librit, Muzeu i Izraelit, Jerusalem

[Burimet e figurave në faqen 21]

Faksimile tipografike e Dorëshkrimit të Vatikanit nr. 1209: nga libri Bibliorum Sacrorum Graecus Codex Vaticanus, 1868; Riprodhim i Dorëshkrimit Sinaitik: 1 Timoteut 3:16, siç gjendet në Kodikun Sinaitik, shek. IV i e.s.; Dorëshkrimi Aleksandrin: nga The Codex Alexandrinus in Reduced Photographic Facsimile, 1909, me lejen e Bibliotekës Britanike