Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mbi 120 vjet për të përshkuar një kontinent

Mbi 120 vjet për të përshkuar një kontinent

Mbi 120 vjet për të përshkuar një kontinent

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË AUSTRALI

MË TRE shkurt 2004 një tren pothuajse 1,1 km i gjatë ndaloi avash-avash në stacionin hekurudhor të qytetit të Darvinit, një zonë me popullsi të rrallë në pjesën veriore të Australisë. Mijëra njerëz kishin ardhur për të festuar mbërritjen e tij. Treni me emrin Gan sapo kishte përfunduar udhëtimin e inaugurimit prej 2.979 km, duke përshkuar kontinentin për dy ditë, nga jugu në veri.​—Shih kutinë «Legjenda e emrit» në faqen 25.

Më shumë se 2.000 spektatorë me aparate fotografike në dorë që ishin grumbulluar përgjatë hekurudhës, e vonuan mbërritjen e trenit në qytetin e Darvinit. Në fakt, ai mbërriti me rreth 30 minuta vonesë. Por, askush nuk u ankua. Kombi kishte më shumë se një shekull që e priste këtë çast. U deshën 126 vjet që të përfundonte kjo hekurudhë nga Adelajde në Darvin, e cila përshkon një nga rajonet më të thata, më të nxehta e më të vetmuara.

Nevoja për një hekurudhë

Nga fundi i viteve 1870, kolonia e vogël e Adelajdes, që ndodhej në skajin lindor të një gjiri të gjerë të quajtur Gjiri i Madh Australian, ëndërronte t’i jepte hov zhvillimit ekonomik në rajon e të ndërtonte një rrugë më të mirë tregtare deri në veriun e largët. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kishin përfunduar hekurudhën ndërkontinentale në vitin 1869. Banorët e Adelajdes kishin ndër mend një plan të tillë dhe shpresonin të ndërtonin një hekurudhë që do të lidhte koloninë me Port-Darvinin, siç quhej asokohe qyteti i Darvinit. Kjo ‘autostradë’ e çeliktë do të hapte rrugën drejt pjesës qendrore të vendit dhe do të shkurtonte tepër kohën e udhëtimit për në Azi dhe Evropë.

Ideja dukej e thjeshtë, por hekurudhës do t’i duhej të përshkonte një terren të ashpër me kodra shkëmbore e vargmale, me shkurre të dendura dhe shkretëtira me rërë e gurë​—një pjesë e së cilës kthehej në moçale e përrenj të tërbuar pas shirave. Eksploruesi Xhon Stuart kishte arritur më në fund ta përshkonte këtë terren të ashpër vetëm në përpjekjen e tij të tretë në vitin 1862. Megjithatë, gjatë rrugës, ai dhe grupi i tij kishin shkuar buzë vdekjes për shkak të mungesës së ushqimit dhe ujit.

Nxehtësi përvëluese, stuhi rëre dhe përmbytje të befta

Mirëpo vështirësitë nuk i shkurajuan banorët e Adelajdes. Në vitin 1878 ata nisën punën në qytetin e Port-Augustës. Të pajisur vetëm me vegla dore, kuaj e deve, 900 punëtorët e hekurudhës i shtrinë shinat drejt veriut, përgjatë udhëve të hapura më parë nga aborigjenët, përmes vargmalit Flinders. Kjo udhë shfrytëzonte xhepat e vetëm ujëmbajtës në rajon, meqë trenat me avull kanë nevojë për ujë që të punojnë.

Njëqind kilometrat e parë u shtrinë për dy vjet e gjysmë. Disa herë temperaturat në verë arrijnë deri në 50°C. Në këtë nxehtësi përvëluese, thonjtë e gishtave plasariten, boja në majat e penave thahet pa arritur deri te letra dhe shinat shformohen. Daljet nga shinat ishin të zakonshme. Pas stuhive të rërës, punëtorëve u duhej të pastronin për kilometra të tërë grumbujt e rërës, disa prej të cilëve ishin deri dy metra të lartë. Shpesh, punëtorët s’dinin më ç’të bënin, pasi stuhi të tjera formonin sërish grumbuj të rinj rëre.

Më pas ia behnin shirat. Brenda pak minutash, shtretërit e tharë e të plasaritur të lumenjve shndërroheshin në përrenj të egër që shkatërronin shinat, bënin pluhur e hi punën e muajve të tërë dhe linin të bllokuar trenat bashkë me pasagjerët e tyre. Një herë, një makinist doli të gjuante dhi të egra për të ushqyer udhëtarët. Shumë vite më vonë, të paktën në një rast, ushqimet u hodhën me parashutë mbi trenat e bllokuar.

Pas shirave, bimësia e shkretëtirës rikthehej në jetë dhe tërhiqte mizëri karkalecash. Gjatë një mësymjeje të tillë, shinat u bënë kaq të rrëshqitshme nga insektet e shtypura, saqë u desh një lokomotivë tjetër që ta shtynte trenin nga prapa. Edhe minjtë ishin një problem më vete. Këta brejtës përlanin çdo gjë që për ta ishte e ngrënshme: pajisjet e kampit, çadrat e fushimit, takëmet e kafshëve, madje edhe çizmet. Përgjatë shinave ndodhet një varrezë e shkretë​—kujtim i një epidemie tifoje dhe tregues i kushteve aspak sanitare të kampeve ku jetonin punëtorët në fazat e hershme të projektit.

Që të zbaviteshin, anëtarët e personelit të trenit sajonin rrengje të çuditshme. Një herë, kur zona e Alis Springsit ishte pushtuar nga lepujt, personeli i trenit futi fshehurazi lepuj në trenin Gan. Të nesërmen, kur pasagjerët dolën nga kabinat për të ngrënë mëngjesin, korridoret ishin «plot me lepuj të hutuar»,​—siç thuhet në librin The Ghan​—From Adelaide to Alice. Gjatë një udhëtimi tjetër, dikush lëshoi një kangur të vogël në kabinat e fjetjes.

Edhe aborigjenët, të cilët jetonin në zona të thella, u afroheshin hera-herës shinave kur kalonte treni. Ata qëndronin në një distancë sigurie dhe shihnin njerëzit që ishin brenda në tren. Kuptohet, fillimisht aborigjenët ishin të kujdesshëm, për të mos thënë të trembur. Faktikisht, disa prej tyre mendonin se «një gjarpër-djall gjigant» i kishte gëlltitur të gjallë pasagjerët!

Një ndërprerje e gjatë

Pas një pune sfilitëse 13-vjeçare, kur hekurudha ishte rreth 470 km larg Alis Springsit, fondet mbaruan. Sipas një reviste (Australian Geographic), «madhësia e kësaj sipërmarrjeje . . . e sfiliti koloninë». Në vitin 1911, qeveria federale mori në dorë kontrollin e projektit dhe e shtriu hekurudhën deri në Alis Springs. Gjithsesi, planet për ta përfunduar linjën deri në Darvin, 1.420 km më në veri, u shtynë.

Kur Gani mbërriti për herë të parë në Alis Springs më 1929, e gjithë qyteza​—rreth 200 veta asokohe​—doli për të festuar. Vendësit mahniteshin nga vagoni-restorant, por ajo që u bënte më shumë përshtypje ishte banja elegante. Në ato kohë, të kishe një vaskë në tren, ishte risi dhe luks. Alis Springsi vazhdoi të ishte stacioni i fundit verior deri në vitin 1997. Në atë vit, qeveria e shtetit dhe ajo federale ranë dakord të përfundonin pjesën e shumëpritur nga Alis Springsi në Darvin. Puna nisi në vitin 2001.

Projekti kushtonte 1,3 miliardë dollarë australianë (rreth 1 miliardë dollarë amerikanë) dhe makinat gjigante të automatizuara shtronin mesatarisht 1,6 km trase në ditë, duke përshkuar të paktën 90 ura të reja që mund t’u bënin ballë përmbytjeve. E cilësuar si «projekti infrastrukturor më i madh në Australi», linja 1.420 km e gjatë përfundoi nën kosto dhe para afatit, në tetor të vitit 2003.

Magjia e pjesës qendrore të vendit

Sot, qyteti modern i Adelajdes është ende stacioni nga ku Gani nis pasdite udhëtimin e tij përmes kontinentit. Lokomotivat dyshe dhe gati 40 vagonët lënë pas periferinë e qytetit dhe nisin udhën përmes fushave ku valëzon gruri, drejt Port-Augustës, rreth 300 km në veri. Këtu pamja ndryshon krejtësisht​—peizazhe të ashpra me rërë, shkurre e driza shtrihen sa të ha syri.

Pasi kalon Port-Augustën, Gani udhëton mbi një palë shina të reja që përballojnë çdo lloj moti dhe që shtrihen pak a shumë 250 km në perëndim të vendit ku kalonin dikur shinat e vjetra që përmbyteshin shpesh. Kur nata mbulon shkretëtirën dhe pasagjerët flenë, treni rrëshqet pranë disa liqeneve të kripura, krejtësisht të thara për pjesën më të madhe të vitit, por që shkëlqejnë pas shirave nën dritën e hënës. Një pafundësi yjesh mbushin qiellin e kthjellët të natës. Mirëpo mungon çafçufi i dikurshëm, ngaqë shinat nuk janë të ndara nga njëra-tjetra, por janë të salduara si një e vetme në të gjithë gjatësinë, për të pakësuar nevojën për mirëmbajtje.

Në të gdhirë, shkretëtira pranë Alis Springsit përflaket me një shkëlqim të kuq e të artë nën diellin që lind. «Pamja është madhështore,​—thotë një pasagjer.​—Që nga treni e ndien sa i fortë është dielli. Ai ngrihet mbi peizazhin e pafund të një shkretëtire aq të gjerë, të larmishme e që të ngjall frikë me zbrazëtinë e saj, saqë të lë pa frymë. Ky vend të bën të ndihesh i vockël.»

Drejt tropikut

Gjatë pasdites, Gani bën një ndalesë në Alis Springs e më pas i drejtohet qytezës së Katerinës dhe më tej akoma në veri drejt qytetit tropikal të Darvinit. Në rehatinë e kabinave me ajër të kondicionuar, «pasagjerët e Ganit shijojnë luksin mbi rrota»,​—thotë Leri Jeras, menaxheri i trenit në udhëtimin inaugurues që Gani bëri përmes kontinentit. Teksa shohin përtej dritareve, ata vetëm mund t’i imagjinojnë rreziqet dhe vështirësitë që përjetuan ata pionierë të parë.

Gani i ka dhënë shtysë tregtisë dhe një mundësi njerëzve të shijojnë një nga udhëtimet më fantastike në botë. Përveç kësaj, ai e ka bërë edhe më moderne jetën në zemër të vendit. Një vajzë aborigjene 19-vjeçare, e cila kishte parë udhëtimin e inaugurimit në shkurt të vitit 2004, tha: «Kurrë më parë në jetë nuk kisha parë një tren. Është i mrekullueshëm.»

[Kutia dhe figura në faqen 25]

Legjenda e emrit

Emri Gan është një shkurtim i Afgan Ekspres. Se si u quajt treni me emrin e qiraxhinjve afganë me deve, kjo nuk dihet. Sidoqoftë, ai të sjell ndër mend emigrantët e palodhur që hapën rrugën drejt zonave të izoluara rurale të Australisë. Ata u quajtën me një emër të përbashkët, afganë, mirëpo në fakt vinin nga vende të ndryshme, si: Beluçistani, Egjipti, India Veriore, Pakistani, Persia dhe Turqia.

Devetë, që u bënë mjete transporti në këto zona të thella, uleshin në gjunjë ose ngriheshin të bindura, sa herë dëgjonin urdhrin: «Hushta!» Karvanët me deve, të përbërë deri në 70 të tilla, transportonin njerëz e mallra me një ritëm të pandryshueshëm rreth 6 km në orë. Kur transporti hekurudhor e rrugor i nxori jashtë loje karvanët e deveve, afganët i lanë të lira kafshët e tyre. Sot, pasardhëset e këtyre deveve​—që arrijnë në qindra mijë​—bredhin të lira nëpër Australinë Qendrore.​—Shih Zgjohuni! të 8 prillit 2001, faqet 16-17, anglisht.

[Burimi i figurës në faqen 23]

Northern Territory Archives Service, Joe DAVIS, NTRS 573

[Burimi i figurës në faqen 25]

Fotografitë e trenit: Great Southern Railway