Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nën rehatinë e dëborës

Nën rehatinë e dëborës

Nën rehatinë e dëborës

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË FINLANDË

PA RROBAT dhe këpucët e duhura, njerëzit do të vuanin së tepërmi, madje do të vdisnin, në të ftohtët e acartë të zonave të thella veriore. Mirëpo për shumë kafshë jeta rrjedh e qetë, pavarësisht nga stina. Ato ndihen rehat nën veshjet e tyre dimërore me pupla apo me gëzof, si dhe shfrytëzojnë për bukuri aftësinë izoluese të dëborës.

Dëbora përbëhet nga kristale akulli të formuara drejtpërdrejt nga avujt e ujit​—25 cm dëborë është baras me 2,5 cm ujë. Pra, dëbora ka në përbërje të saj një sasi të madhe ajri, i cili ndodhet i ngërthyer mes kristaleve. Ky projektim i jashtëzakonshëm bën që dëbora të jetë një izolues i mirë kundër të ftohtit të skajshëm, dhe i mbron farat e bimët deri kur shkrin në pranverë. Në këtë periudhë, si një rezervuar i stërmadh me ujë të ngrirë që ka marrë formën e tokës mbi të cilën shtrihet, dëbora shkrin, duke ujitur dheun e duke mbushur rrëketë e ujit.

Jeta nën «petkun» e dëborës

Nën shtresën e dëborës, një shumëllojshmëri kafshësh të vogla me gëzof lëvizin furishëm përmes një rrjeti tunelesh teksa kryejnë punët e tyre të përditshme, që kryesisht kanë të bëjnë me kërkimin e ethshëm të ushqimit. Mes tyre janë lemingët (minjtë e Arktikut), minjtë e arave dhe hundëgjatët, që janë kafshë të vogla, kryesisht nate, ngjashëm urithit, që ushqehen me insekte. Nga ana tjetër, minjtë i sheh shpesh tek lëvrijnë sa andej-këtej mbi sipërfaqen e dëborës në kërkim të frutave, arrave, farave dhe lëvoreve të buta të pemëve të njoma.

Si arrijnë këta gjitarë të vegjël të mbajnë temperaturën e duhur të trupit? Shumë kanë një gëzof të ngrohtë dimri dhe një metabolizëm të shpejtë, që u shërben si një furrë ngrohjeje e brendshme. Siç mund ta imagjinoni, këto «furra» të gjalla kanë nevojë për shumë lëndë djegëse. Për shembull, hundëgjatët hanë çdo ditë një sasi insektesh, larvash dhe pupash, që është pothuajse e barabartë me peshën e tyre trupore. Në përpjestim me masën e tyre, llojet më të vogla​—hundëgjatët pigme​—hanë edhe më shumë akoma! Ja përse në çdo çast të ditës, derisa flenë, këto kafshë janë në një kërkim të çmendur pas ushqimit.

Ndërkohë, shumë prej këtyre gjitarëve të vegjël janë për vete në listën e menusë së grabitqarëve të tjerë, ndër të cilët kukuvajkat dhe dy pjesëtarë të familjes së nuselalave​—ermelina dhe nuselalja e vogël. Elegante e të zhdërvjellëta, nuselalat janë të pajisura më së miri për të bredhur labirinteve të fshehura në dëborë, në kërkim të ushqimit. Nuselalat gjuajnë edhe lepuj, ndonëse këta janë më të mëdhenj se to.

Edhe kukuvajkat janë në kërkim të presë. Kukuvajka e madhe e hirtë është e pajisur me një dëgjim kaq të mprehtë, sa mund të pikasë e të ndjekë një mi arash tek lëviz nën dëborë, me kusht që dëbora të mos jetë shumë e thellë. Sapo e pikas prenë, kukuvajka zhytet në dëborë, e mbërthen viktimën e pashpresë me kthetrat e saj si morsë, dhe e merr me vete. Megjithatë, dëbora e thellë mund të sjellë uri, e madje edhe ngordhjen nga uria, për shumë grabitqarë, kurse për pretë e tyre mund të jetë shkak për mbipopullim.

Që të mos ngordhin urie gjatë stinës së varfër të dimrit, shumë kafshë shfrytëzojnë rezervat dhjamore që kanë grumbulluar në muajt më të ngrohtë. Sidoqoftë, ca ushqim e gjejnë gjithmonë. Për shembull, drerët brilopatë cimbisin degët e njoma të pemëve, sidomos të pishave. Ketrat hanë në darkë farat e ushqyeshme që kanë grumbulluar nëpër qilarët e tyre, kurse lepujt përtypin lëvoret e njoma, filizat dhe bisqet. Disa lloje zogjsh kënaqen me fruta të ngrira dhe sythe pishash.

Zhyten fluturimthi në dëborë

Disa lloje zogjsh shfrytëzojnë aftësinë izoluese të dëborës që të ngrohen teksa pushojnë gjatë ditës apo kur flenë natën. Kështu bëjnë, për shembull, pula me çafkë, gjeli i egër dhe thëllëza e bardhë, si dhe disa lloje zogjsh më të vegjël, si zogu kërpngrënës, kokëbualli dhe trumcaku. Nëse dëbora është e thellë dhe e butë, disa zogj zhyten fluturimthi, sikurse bëjnë zogjtë e detit kur zhyten në ujë. Falë kësaj strategjie të mençur ata nuk lënë gjurmë këmbësh, të cilat mund të shiheshin apo të nuhateshin nga grabitqarët.

Pasi zhyten nën një pirg me dëborë, zogjtë gërmojnë një zgavër horizontale deri tre këmbë të gjatë, që në finlandisht quhet kieppi. Gjatë natës era fshin çdo gjurmë të jetës që gëlon nën sipërfaqe. Kur njerëzit që kalojnë atypari u afrohen së tepërmi këtyre strofkave, kërcitja e dëborës i vë në alarm zogjtë. Shpërthimi i papritur nga dëbora dhe rrahja e vrullshme e krahëve vetëm pak metra larg këmbëve të tyre, do të hidhte përpjetë çdo kalimtar të papërgatitur!

Veshin rrobat e dimrit

Me ndryshimin e stinëve, disa kafshë arktike maskohen, duke ndërruar gëzofin ose puplat e verës me veshjen e dimrit, që përshtatet mirë me mjedisin e dëborës. Në Finlandë, dhelprat arktike, lepujt blu dhe disa lloje nuselalash, në vjeshtë veshin një gëzof të dendur të bardhë ose pothuajse të bardhë. *

Në mënyrë të ngjashme, puplat lara-lara të thëllëzës së bardhë, kthehen në një ngjyrë të bardhë vezulluese. Po kështu edhe pendët e rralla që kanë në këmbë gjatë muajve më të ngrohtë, dendësohen dhe kthehen në «këpucë dëbore» të mrekullueshme. Edhe ndërkohë që ndryshojnë veshjen, disa nga këto kafshë gëzojnë njëfarë mbrojtjeje, pasi nuancat e larmishme të ngjyrave të tyre shkrihen me terrenin lara-lara, të mbuluar vende-vende nga dëbora.

A keni pyetur veten ndonjëherë se përse zogjtë nuk vuajnë apo nuk kanë probleme të mëdha, ndonëse shumica prej tyre ecin këmbëzbathur mbi dëborë e akull? Sepse këmbët e tyre janë të pajisura me një shkëmbyes nxehtësie të projektuar në mënyrë gjeniale. Ky mekanizëm i mahnitshëm bën që gjaku i ngrohtë i arterieve të zbresë nga zemra deri poshtë te këmbët, dhe të ngrohë gjakun e ftohtë që ngjitet lart nga këmbët.

Vërtet, që nga polet e akullta deri në tropikun përvëlues, jeta jo vetëm që i përballon kushtet ekstreme të planetit tonë, por edhe lulëzon. Zakonisht, njerëzit që e zbulojnë dhe e fotografojnë këtë jetë, marrin lëvdata për përpjekjet e tyre​—dhe me të drejtë! Sa më shumë, pra, duhet t’i japim lavdi Krijuesit të mrekullive që popullojnë tokën! Zbulesa 4:11 thotë: «Ti je i denjë, o Jehova, Perëndia ynë, të marrësh lavdinë, nderimin dhe fuqinë, sepse ti krijove gjithçka dhe falë vullnetit tënd ato ekzistuan dhe u krijuan.»

[Shënimi]

^ par. 15 Emrat e zakonshëm mund të ndryshojnë. Për shembull, lepuri blu ka shumë emra, si lepuri i malit, lepuri i tundrës apo lepuri i ndryshueshëm.

[Kutia dhe figura në faqen 18]

Të krishterë të zellshëm edhe në mot të ftohtë

Gjatë muajve të dimrit, Dëshmitarët e Jehovait në Finlandë vishen sipas stinës dhe vazhdojnë aktivitetet e tyre teokratike. Disa prej tyre përshkojnë me gëzim largësi të mëdha për të marrë pjesë në mbledhjet e krishtere. Faktikisht, pjesëmarrja në mbledhje nuk bie gjatë dimrit të gjatë e të ftohtë. Dëshmitarët e Jehovait i kushtohen plot zell edhe shërbimit. Ata e konsiderojnë një privilegj të madh të japin dëshmi për Krijuesin, Perëndinë Jehova, dhe me gatishmëri lënë rehatinë e shtëpive për t’u predikuar të tjerëve Mbretërinë e tij.​—Mateu 24:14.

[Figura në faqet 16, 17]

Zgalema brenda një guve

[Burimi]

Me mirësjellje nga Xhon R. Peinigeri

[Figura në faqet 16, 17]

Ermelina

[Burimi]

Mikko Pöllänen/​Kuvaliiteri

[Figura në faqen 17]

Mjellmat

[Figura në faqen 17]

Lepuri

[Figura në faqen 17]

Dhelpra arktike