Nga komandant ushtrie në ‘ushtar i Krishtit’
Nga komandant ushtrie në ‘ushtar i Krishtit’
Treguar nga Mark Ljuis
«Mirëmëngjes, Madhëria Juaj!» «Mirëdita, Shkëlqesia Juaj!» «Mirëmbrëma, zoti Kryeministër!» Këto ishin disa nga përshëndetjet e mia kur isha pilot dhe komandant në skuadriljen e Forcave Ajrore Mbretërore të Australisë në shërbim të personaliteteve të rëndësishme. U shërbeja krerëve të shtetit dhe të funksionarëve në të gjithë Australinë dhe në mbarë botën. Por tani bëj diçka edhe më të rëndësishme. Më poshtë do t’ju tregoj se çfarë.
LINDA në Përth, në perëndim të Australisë, në vitin 1951 dhe u rrita në një familje ushtarakësh. Kur isha 15 vjeç, u futa në klubin e avionëve pa motor. Kështu lindi dashuria ime e përjetshme për fluturimin.
Jo shumë kohë më pas, prindërit u ndanë dhe familja jonë u shpërbë. Kur isha në shkollë të mesme, komandanti i një skuadriljeje luftimi të Forcave Ajrore u tregua shumë i mirë dhe më ftoi të jetoja me familjen e tij. Fjalët dhe shembulli i tij më nxitën të futesha në Akademinë e Forcave Ajrore Mbretërore të Australisë.
Nis fluturimin
Rreth gjashtë vjet më vonë, u diplomova si oficer i Forcave Ajrore me gradë shkencore dhe nisa fluturimin si pilot. Puna ime e parë ishte të pilotoja një avion ushtarak transportues në të gjithë Australinë, Paqësorin Jugor dhe në juglindje të Azisë. Shpesh fluturonim përmes maleve të larta dhe luginave të thella, ku edhe ulnim avionin në pistat me bar. Ishte e rrezikshme. Skuadrilja jonë humbi disa avionë dhe disa njerëz të aftë në ato vite. Megjithatë, misioni ynë ishte një ndihmë e madhe për ata që jetonin në zona të izoluara. Transportonim materiale ndërtimi për ura, buldozerë të vegjël për ndërtimin e rrugëve, ushqime në rast urgjence dhe ekipe mjekësore. Gjithashtu transportonim të sëmurë ose të plagosur në raste urgjence.
Në vitin 1978, u kualifikova si instruktor fluturimi dhe u ktheva në Akademinë e Forcave Ajrore për të dhënë mësim. Aty takova përsëri Dianën, një vejushë në moshë të re që kishte një vajzë tre vjeçe. Burrin e Dianës e kisha pasur në klasë kur studioja në Akademi, por më vonë vdiq në një aksident ajror. Kur i kërkova të martoheshim, Diana tha se i duhej kohë për t’u menduar. Nuk ishte e sigurt nëse donte të martohej prapë me një pilot.
Ndërkohë, pranova një detyrë për 12 muaj si ordinancë e Guvernatorit të Përgjithshëm të Australisë. Jeta në rezidencën e guvernatorit
në Kanberrë, më ndihmoi të kuptoja tamam se si funksiononte politika. Kur isha atje, kisha mundësinë të takoja nga afër autoritete civile, ushtarake dhe fetare. Kur mbarova këtë shërbim, iu riktheva punës si instruktor fluturimi. Pak pas kësaj, në vitin 1980, u martova me Dianën.Në vitin 1982, pranova një kurs stërvitor dyvjeçar me Forcat Ajrore të Shteteve të Bashkuara si oficer për sigurinë e fluturimeve dhe si hetues për aksidentet ajrore. U rashë kryq e tërthor Shteteve të Bashkuara deri në Irlandën e Veriut. Hetoja raste aksidentesh ajrore e vlerësoja modele avionësh dhe operacione fluturimi me qëllim forcimin e sigurisë.
Kthehem në Australi
Pasi u ktheva në Australi, familjes sonë iu shtua pjesëtari i katërt, vajza jonë, Keri. Për shkak të ngarkesës sime në punë, Dianës i duhej të ishte nënë dhe baba, prandaj nuk bënim një jetë familjare si duhej. Tre vjet më vonë, mora për herë të parë komandën e skuadriljes së Forcave Ajrore që përmenda në fillim. Kur shpërtheu Lufta e Gjirit Persik në vitin 1991, skuadrilja ime mbështeti operacionet e OKB-së dhe operacione të tjera në Pakistan, Afganistan, Afrikë dhe Izrael.
Në vitin 1992, u bëra oficer shtabi i komandantit të Forcave të Mbrojtjes. Kjo detyrë, si ndihmësi personal i figurës ushtarake më të rëndësishme të Australisë, më dha mundësinë të shihja nga afër lidhjen midis ushtrisë, politikës dhe OKB-së. Kuptova që OKB-ja çalonte në shumë drejtime. Megjithatë, dukej si shpresa e vetme për një botë më të mirë. Pastaj mënyra si rrodhën gjërat me familjen tonë më bënë të ndryshoja mendim.
Pyetjet e Dianës marrin përgjigje
Pasi i vdiq burri i parë, Diana, si katolike që ishte, kishte kërkuar përgjigje për pyetjet e saj, por më kot. Gjendja u bë më kritike kur Reneja, vajza jonë e madhe, filloi të merrej me okultizëm. Kur ishte te shtëpia e një shoqeje, Diana vuri re një revistë Zgjohuni! ku tregohej se më vonë do të dilte një artikull për satanizmin. * Ajo nuk kishte parë kurrë një revistë Zgjohuni! Gjatë gjithë rrugës për në shtëpi, mendonte: ‘Si mund ta gjej atë revistë?’
Tri ditë më pas, Dëshmitarët e Jehovait trokitën në derën tonë dhe Diana mori revistën që kërkonte. Më vonë ajo pranoi një studim biblik dhe filloi të ndiqte mbledhjet e krishtere. Isha i kënaqur që ajo filloi studim, e madje ndonjëherë e shoqëroja në mbledhje, por nuk ndihesha gati të përfshihesha edhe unë. Nuk e konsideroja veten shumë fetar. Besoja te Perëndia, por kisha parë kaq shumë hipokrizi te feja sa nuk e merrja dot seriozisht. Për shembull, nuk arrija ta kuptoja se përse priftërinjtë ushtarakë predikonin dashurinë dhe paqen, por nga ana tjetër përkrahnin luftën.
Diana me lezet linte vërdallë kopje të revistës Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! që unë t’i lexoja. I lexoja disa prej tyre dhe pa u ndjerë i ktheja atje ku i kisha gjetur. Nuk doja që ajo të mendonte se kisha interes për to. Ndërsa njohuria ime për Biblën rritej, më shqetësonin dy shkrime. Njëri ishte Zbulesa 19:17, 18, e cila flet për zogj që hanin «mishin e komandantëve ushtarakë». Dhe tjetri, Zbulesa 17:3, ku përmendet «një bishë me ngjyrë të kuqe të ndezur». Dëshmitarët e Jehovait e konsideronin këtë bishë si simbol të OKB-së, një pikëpamje që binte në kundërshtim me idetë e mia për këtë organizatë botërore. * Por preferoja të mos mendoja për këto gjëra.
Më 1993, Diana më ftoi në pagëzimin e saj.
S’e prisja. E pyeta: «Nëse do të zgjidhje, kë do të zgjidhje, mua apo Jehovain?» Ajo m’u përgjigj: «Jehovain. Por nuk është e thënë të zgjedh patjetër. Dua t’ju kem të dyve.» Aty e kuptova që duhet ta njihja më mirë këtë person që kishte hyrë në jetën e saj. Një plak i krishterë më tha të studioja Biblën me të, dhe pranova.Më interesonin shumë profecitë biblike, sidomos ato që lidheshin me historinë ushtarake dhe politike. Për shembull, kur isha në Akademinë e Forcave Ajrore, kisha studiuar për arritjet e Greqisë së lashtë. Kurse tani mësova se një pjesë e mirë e kësaj historie ishte dokumentuar shekuj më parë në kapitullin e 8-të të Danielit. Kjo profeci dhe të tjera dalëngadalë më bindën se Bibla është e frymëzuar nga Perëndia.
Mendova përsëri për OKB-në. E dija se ushtria nuk mund t’i zgjidhte problemet e njerëzimit, që paqja e vërtetë nuk mund të vinte nga kërcënimi i luftës, dhe që OKB-ja nuk mund të zgjidhte përçarjet politike fetare dhe etnike që shkaktonte lufta. E kuptova se vetëm Perëndia mund t’i zgjidhte problemet e njerëzimit. Dhe vërtet, me sa dukej, këtë po bënte me vëllazërinë globale të Dëshmitarëve të Jehovait. (Psalmi 133:1; Isaia 2:2-4) ‘Por, a mund ta lija karrierën time ushtarake për t’i shërbyer Perëndisë?’—pyesja veten.
Vendos të jetoj sipas së vërtetës biblike
Gjërat u bënë të qarta në vitin 1994 kur ndoqa një kongres krahinor të Dëshmitarëve të Jehovait në Sidnei. Në program ishte edhe një dramë biblike e cila fliste për kombin e lashtë të Izraelit që duhej të zgjidhte nëse do t’i shërbente Jehovait apo Baalit, një perëndie kananite. Profeti i Jehovait, Elija, i sfidoi izraelitët: «Deri kur do të lëkundeni mes dy mendimeve? Në qoftë Jehovai Perëndia i vërtetë, ndiqeni, por në qoftë Baali, ndiqni atë.» (1 Mbretërve 18:21) Këto fjalë më prekën thellë. Ashtu si izraelitët, nuk isha as andej, as këtej. Duhej të zgjidhja: t’i shërbeja Jehovait ose të vazhdoja karrierën time ushtarake.
Kur po shkonim në shtëpi me makinë i thashë Dianës që do t’i lija Forcat Ajrore dhe do të bëhesha Dëshmitar i Jehovait. Ajo u habit me vendimin tim të papritur, por më mbështeti plotësisht. Isha i vendosur në zgjedhjen time, kështu, pas disa ditësh, dhashë dorëheqjen.
Në atë kohë isha Komandanti i Trupave të Kadetëve në Akademinë e Forcave të Mbrojtjes në Kanberrë, kryeqyteti i vendit. Mbikëqyrja stërvitjen ushtarake dhe akademike të 1.300 studentëve dhe punonjësve të Forcave Ushtarake, Detare dhe Ajrore. Ditën e fundit të vitit akademik thashë para 400 studentëve të vitit të fundit dhe punonjësve se do të largohesha nga ushtria për të shkuar vullnetarisht nga shtëpia në shtëpi që t’u flisja njerëzve për Biblën si shërbëtor i krishterë. Pas kësaj, pata disa biseda interesante me disa prej tyre.
Bëhem shërbëtor në kohë të plotë
Fillova të predikoja që të nesërmen pas pranimit të dorëheqjes sime. Tre muaj më vonë, në prill 1995, u pagëzova. Pastaj, sapo m’u dha mundësia, fillova të shërbeja si pionier i rregullt, që do të thoshte të kaloja shumë orë në shërbim çdo muaj.
Kthimi im nga komandant ushtarak në ‘ushtar të Krishtit’ kërkonte goxha ndryshime nga ana ime. (2 Timoteut 2:3) Një nga caktimet e mia të para ishte të mbaja mikrofonin gjatë mbledhjeve të krishtere. Në vend që të jepja urdhra, tani duhej të mësoja t’u kërkoja të tjerëve të bënin diçka. Respekti dhe dashuria për të tjerët u bë më e rëndësishme sesa efektshmëria, megjithëse akoma më duhet të luftoj për t’i ekuilibruar këto cilësi. Dhe për shkak të të ardhurave më të pakta, familja jonë tani duhej të bënte një jetë më të thjeshtë.
Më pëlqente vërtet të predikoja, dhe akoma më pëlqen. Njëherë duke predikuar me Kerin
vajzën tonë 9-vjeçare, i thashë të shihte reagimet e njerëzve. Shpejt vumë re se shumë njerëz nuk ishin të interesuar, por disa ishin të sjellshëm e madje të interesuar. Kjo ishte mjaft inkurajuese për të dy. Kurse vajza tjetër studioi Biblën për pak kohë, por, tani për tani, ka zgjedhur të mos i shërbejë Jehovait.Unë dhe Diana e inkurajonim Kerin të synonte shërbimin e plotkohor. Ishte fantastike të bëja kohët e fundit Shkollën e Shërbimit për Pionierë me Kerin. Ajo e kishte për herë të parë, kurse unë për të dytën. Çfarë gëzimi është kur sheh atë dhe të rinj të tjerë që forcojnë marrëdhënien e tyre me Jehovain dhe vazhdojnë në shërbimin e krishterë!—Psalmi 110:3.
Bekime pa fund
Kur mendoj për të kaluarën, shoh ngjashmëri dhe ndryshime midis shërbimit në ushtri dhe shërbimit si ushtar i Krishtit. Në të dyja rastet kërkohet besnikëri, bindje, integritet, vetëdisiplinim dhe sakrificë. Por, ndërkohë që shumë në ushtri mund të jenë të gatshëm të vdesin për vendin dhe miqtë e tyre, të krishterëve të vërtetë u kërkohet të duan edhe armiqtë. (Mateu 5:43-48) Dhe, nëse heronjtë e ushtrisë dekorohen për një akt të vetëm guximi, të krishterët e vërtetë fitojnë miratimin e Perëndisë duke duruar me besnikëri në shërbim, që ndonjëherë do të thotë të tregosh guxim përballë kundërshtimit, talljeve dhe sprovave të tjera vit pas viti. (Hebrenjve 10:36-39) Vëllezërit e motrat e krishtere janë njerëzit më të mirë që kam njohur.
Ndryshe nga përshëndetjet që përmenda në fillim, tani përshëndetjet e mia janë: «Mirëmëngjes, motër!» ose «Mirëmbrëma, vëlla!» Ç’gëzim është të jesh në shërbimin e krishterë me njerëz që e duan vërtet Perëndinë! Por nderi më i madh është t’i shërbesh Më të Lartit, vetë Jehovait. Jetë më shpërblyese se kjo nuk mund të gjeja.
[Shënimet]
^ par. 15 Botuar në numrin e 22 tetorit 1989, faqet 2–10.
^ par. 17 Shih faqet 240-243 të librit Zbulesa—Plotësimi i saj madhështor është afër! botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Diçitura në faqen 14]
Ndërkohë që shumë në ushtri mund të jenë të gatshëm të vdesin për vendin dhe miqtë e tyre, të krishterëve të vërtetë u kërkohet të duan edhe armiqtë.
[Figura në faqet 12, 13]
Me një avion të Forcave Ajrore mbi ndërtesën e Parlamentin në Kanberrë
[Figura në faqen 15]
Drama biblike, kongresi krahinor më 1994 në Sidnei, Australi
[Figura në faqen 15]
Me Kerin në Shkollën e Shërbimit për Pionierë
[Figura në faqen 15]
Me Dianën dhe Kerin sot