Nga lexuesit tanë
Nga lexuesit tanë
Arka e Noesë dhe projektimi i anijeve (janar 2007) Gjithnjë e kam ditur se arka ishte bërë për mrekulli, por s’ma merrte mendja se ishte aq e përsosur. Ky artikull e shpjegonte qartë se si gjatësia, gjerësia dhe lartësia, bënin që arka të ishte e qëndrueshme në ujë. Vendosa që bashkë me të rinjtë e kongregacionit të bënim një model të arkës, duke përdorur diagramin që jepej. Bëmë modele kafshësh me origami (arti i palosjes së letrave), i futëm në arkë dhe vizatuam Noenë me familjen e tij. Kështu mësuam më shumë për këtë ngjarje biblike, se e përjetuam vetë një pjesë të saj. Shumë faleminderit.
T. A., Japoni
Im bir 6-vjeçar vdes të sajojë modele të ndryshme. Sa u entuziazmuam kur, në fund të artikullit të revistës Zgjohuni!, pamë udhëzimet si të ndërtonim një model në miniaturë të arkës së Noesë! Falë artikullit tuaj të mrekullueshëm, kaluam tok një pasdite fantastike. Me jetën e ngarkuar që bëjmë sot dhe me gjithë ato vështirësi që hasin çdo javë në shkollë të vegjlit tanë, është vërtet bekim të kemi një mjet si Zgjohuni! që i ndihmon prindërit të rritin fëmijët në rrugët e Jehovait.
M. F., Shtetet e Bashkuara
Të rinjtë pyesin . . . Si ta mposht këtë ves? (nëntor 2006) U preka kur lexova artikullin dhe kuptova sa kujdeset Jehovai për ne dhe si na ndihmon të zgjidhim problemet. Edhe pse ndodh t’i dorëzohemi sërish këtij vesi, Jehovai është ‘gati të falë’. (Psalmi 86:5) Kur mendojmë për këtë, e kemi më të lehtë që si të rinj ‘të ikim nga dëshirat karakteristike rinore’.—2 Timoteut 2:22.
V.F.F., Brazil
Të rinjtë pyesin . . . Pse duhen gjithë këto rregulla? (dhjetor 2006) Kam gjashtë vjet që studioj Biblën. Edhe pse prindërit e mi janë shumë të rreptë me ne fëmijët, e di se ata merakosen vërtet për mua. Ky artikull më ndihmoi të kuptoj shqetësimet e prindërve dhe të çmoj kujdesin që më tregon Jehovai.
K. T., Tajlandë
Isha një bir plëngprishës (dhjetor 2006) E kam njohur Jehovain që nga viti 1992. Por pati një periudhë në jetën time kur doja të ndiqja një rrugë tjetër. Ashtu si Meros Sandei, kalova shumë të përpjeta e të tatëpjeta, dhe pas tre vjetësh larg Jehovait, nisa t’i lutesha për ndihmë. Më në fund, jam sërish në «shtëpi»! Faleminderit për punën tuaj.
D. K., Ukrainë
Të rinjtë pyesin . . . Kur mund të nis një lidhje romantike? (janar 2007) Jam 15 vjeçe. Kur shkova te halla, takova një Dëshmitar 17-vjeçar. Në fillim flisnim me raste nëpërmjet Internetit. Por, si pa e kuptuar, po flisnim çdo ditë dhe filluam ta simpatizonim njëri-tjetrin. Kur lexova këtë artikull kuptova që ishim përfshirë në një lidhje romantike. Me ndihmën e prindërve dhe të këtij artikulli, mora vendimin më të mirë: ndërpreva lidhjen me atë djalë. Mbetëm shokë, megjithatë në vend të parë kam miqësinë me Jehovain. Jam shumë mirënjohëse që ky artikull më hapi sytë.
D. D., Kanada