Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
▪ «Ose për shkak të ngrohjes globale, ose për ndonjë arsye tjetër, katastrofat e lidhura me motin u trefishuan në vitet 70 deri në vitet 90.»—THE ECONOMIST, BRITANI.
▪ Një djali 10-muajsh i është dhënë leja për armëmbajtje në shtetin e Ilinoisit, SHBA. Në lejen që e kërkoi i ati, jepet gjatësia e foshnjës rreth 69 cm dhe pesha rreth 9 kg. Në këtë shtet nuk ka kufizime për moshën e atyre që mund të bëjnë kërkesë.—CABLE NEWS NETWORK, SHBA.
▪ Shkencëtarët e kanë kthyer në akull ujin që ishte nën trysni ekstreme dhe «më i nxehtë se pika e vlimit të ujit». Përveç akullit «të zakonshëm», ka «të paktën 11 lloje të tjera akulli që krijohen në gjithfarë temperaturash dhe trysnish».—SANDIA NATIONAL LABORATORIES, SHBA.
Rivendoset liria fetare në Gjeorgji
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut mori një vendim kundër qeverisë së Gjeorgjisë që kishte lejuar ushtrimin e dhunës fetare ndaj Dëshmitarëve të Jehovait. Gjykata shpalli sërish të drejtën e Dëshmitarëve, si fe e njohur e krishterë, që të mblidhen për të adhuruar e për të studiuar Biblën. Gjithashtu urdhëroi që viktimat të dëmshpërbleheshin për vuajtjet dhe shpenzimet ligjore. Nga tetori i vitit 1999 deri në nëntor të 2002-shit, kundër Dëshmitarëve të Jehovait u bënë 138 sulme të dhunshme dhe autoriteteve gjeorgjiane iu paraqitën 784 ankesa. Megjithatë, për këto ankesa nuk u ndërmor asnjë hetim serioz. Madje policia nuk pranoi të ndërhynte menjëherë dhe të mbronte viktimat. Dhuna është pakësuar ndjeshëm që nga nëntori i vitit 2003.
Observator i lashtë diellor në Peru
Sot arkeologët kanë hedhur idenë se një pjesë e një rrënoje misterioze 2.300-vjeçare në Peru, ka shërbyer si observator diellor. Në vendndodhjen e tij, të quajtur Çankijo, gjendet mbi një kreshtë një varg me 13 kulla. Ky varg krijon një horizont «dhëmbë-dhëmbë» paksa të harkuar. Sipas revistës Science, pikat e vrojtimit ishin «zgjedhur në mënyrë të tillë që në solsticet e dimrit e të verës, dielli të lindte e të perëndonte mbi kullat në [skajet] e vargut. Kështu përcaktohej fillimi dhe mesi i vitit diellor». Lindja dhe perëndimi i diellit në kullat e ndërmjetme përcakton momente të tjera të vitit. Në këtë vend të thatë, ishte jetike të dije kohën e mbjelljeve, prandaj «njerëzit [duhej] t’i dinin datat me njëfarë saktësie».
[Diagrami dhe figura në faqen 29]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Solstici i qershorit
Ekuinoksi
Solstici i dhjetorit
Observatori
[Burimi]
REUTERS/Ivan Ghezzi/Handout
Pamje që i bëjnë gratë të ndihen keq
«Bjondja superelegante dhe magjepsëse në kopertinat e revistave bën që të gjitha gratë të ndihen keq për trupin e tyre, pavarësisht nga përmasat, forma, gjatësia ose mosha që kanë»,—thotë një raport i Universitetit të Kolumbias në Misuri, Shtetet e Bashkuara. Lori Minci, profesoreshë për arsimin, shkollën dhe psikologjinë e këshillimit, thotë që «mendohej se gratë më të bëshme ndiheshin më keq se ato më elegante kur shihnin trupin ideal në media». Por, Minci shton: «Zbuluam që pesha nuk ndikonte. Këto pamje bënin të ndihej keq kushdo.»