Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Së shpejti krime ‘nuk do të ketë më’

Së shpejti krime ‘nuk do të ketë më’

Së shpejti krime ‘nuk do të ketë më’

«Edhe pak dhe i ligu nuk do të jetë më.»​—PSALMI 37:10.

KRIJUESI ynë, Perëndia Jehova, interesohet me gjithë zemër për njerëzit, krijesat e tij; ai nuk është i largët, siç mendojnë disa. (Psalmi 11:4, 5) Për më tepër, ai sheh çdo krim dhe padrejtësi, edhe ato që i shpëtojnë syrit të njeriut. «Sytë e Jehovait janë në çdo vend, duke vrojtuar të këqijtë dhe të mirët.» (Proverbat 15:3) Pra, të jesh i sigurt se të ligjtë janë vërtet «në vende të rrëshqitshme».​—Psalmi 73:12, 18.

Kurse të paqortueshmit dhe të drejtët, ndonëse mund të jenë të varfër a të nëpërkëmbur, i pret një e ardhme e mrekullueshme. Psalmisti David shkroi: «Vështroje të paqortueshmin dhe mbaji sytë mbi të drejtin, sepse e ardhmja e atij njeriu do të jetë paqësore.» (Psalmi 37:37) Këto fjalë na e ngrohin zemrën sot, sepse kemi shpresën se në një të ardhme të afërt do t’i shohim të plotësohen anembanë botës.

Jetojmë në ditët e fundit

Rreth 2.000 vjet më parë, dishepujt i bënë Jezu Krishtit këtë pyetje me shumë vlerë për të ardhmen: «Na thuaj, . . . cila do të jetë shenja e pranisë sate dhe e përfundimit të sistemit?» (Mateu 24:3) Përgjigjen e Jezuit e jep me hollësi Bibla, në kapitullin 24 të Mateut, në kapitullin 13 të Markut dhe në kapitullin 21 të Lukës. Këto tregime të ungjijve, që plotësojnë njëri-tjetrin, thonë se ditët e fundit të botës së sotme do të karakterizoheshin nga luftëra, zi buke, sëmundje, tërmete të mëdha dhe një rritje dramatike e paligjshmërisë.

Kushtet kritike që paratha Jezui filluan më 1914. Siç thotë edhe historiani Erik Hobsbaum në librin e tij Epoka e ekstremeve, shekulli i 20-të «ishte pa diskutim më gjakatari në histori».

Lidhur me përhapjen e ligësisë sot, Bibla thotë: «Të ligjtë mbijnë si bari dhe të gjithë ata që merren me të këqija, lulëzojnë, vetëm që të shfarosen përgjithmonë.» (Psalmi 92:7) Po, është e qartë se paligjshmëria sot është me bollëk, si bari që mbin e harliset, dhe kjo tregon se shfarosja e të ligjve është te pragu! A nuk është një sihariq ky?!​—2 Pjetrit 3:7.

«Të drejtët do të trashëgojnë tokën»

«Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të»,​—thotë Psalmi 37:29. Atëherë çdo lloj krimi e padrejtësie do t’i përkasë së kaluarës. Kështu nuk do të ketë më asgjë që lidhet me krimin: sisteme alarmi, dryna, gjykata, avokatë, polici dhe burgje. Bibla premton: «Gjërat e mëparshme nuk do të vijnë më në mendje dhe as do të zgjohen më në zemër.»​—Isaia 65:17.

Po, toka dhe shoqëria njerëzore do të pësojnë një transformim si kurrë më parë. (Isaia 11:9; 2 Pjetrit 3:13) Kjo është shpresa e sigurt që kanë Dëshmitarët e Jehovait dhe ata të ftojnë të shqyrtosh vetë se ajo do të bëhet së shpejti realitet. Mos harro se Ai që frymëzoi Shkrimet e Shenjta «nuk mund të gënjejë».​—Titit 1:2.

[Kutia dhe figura në faqen 9]

NDIHMOJNË TË BURGOSURIT TË NJOHIN PERËNDINË

Gjatë viteve Dëshmitarët e Jehovait në Shtetet e Bashkuara kanë marrë letra nga të burgosurit në 4.169 burgje, spitale burgu dhe qendra rehabilitimi për të droguarit. Disa prej tyre kërkojnë literaturë biblike; të tjerë kërkojnë një studim biblik pa pagesë. Këtyre kërkesave u përgjigjen Dëshmitarë të kualifikuar. Në mbarë botën Dëshmitarët shkojnë rregullisht në burgje për të drejtuar studime biblike me të burgosurit, burra e gra, që kanë kërkuar ndihmë të mësojnë për Perëndinë. Shumë prej tyre kanë bërë ndryshime rrënjësore në personalitet, janë pagëzuar si të krishterë dhe tani i respektojnë ligjet.