Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të rinjtë pyesin

Si t’i përballoj problemet me shëndetin?

Si t’i përballoj problemet me shëndetin?

«BUKURIA e të rinjve është fuqia e tyre»,​—thuhet te Proverbat 20:29. Nëse je i sëmurë ose ke ndonjë kufizim fizik mund të mendosh se ky shkrim nuk është fare për ty. Përkundrazi! E vërteta është që shumë të rinj me kufizime ose me sëmundje kronike kanë kapërcyer pengesa nga më të mundimshmet. Zgjohuni! intervistoi katër prej këtyre të rinjve.

Hiroki, nga Japonia, ka vuajtur që kur lindi nga paraliza cerebrale. Ai thotë: «Muskujt e qafës nuk ma mbajnë dot kokën drejt dhe duart bëjnë tamam të kundërtën e asaj që dua. Jam krejt i varur nga të tjerët.»

Natalia dhe i vëllai, Xhejmsi nga Afrika e Jugut, kanë lindur me një formë të rrallë nanizmi. Natalia ka edhe skoliozë, shtrembërim të shtyllës kurrizore. «Kam bërë katër operacione në shtyllën kurrizore,​—thotë ajo​—dhe ngaqë shtylla është me hark kam mushkëri të dobëta.»

Timoteu, nga Britania, u diagnostikua me sindromën e rraskapitjes kronike në moshën 17-vjeçare. Ai thotë: «Pa kaluar as dy muaj, nga një njeri plot shëndet dhe gjallëri, u bëra kaq i dobët sa s’më mbanin këmbët.»

Daniela nga Australia, u diagnostikua me diabet kur ishte 19 vjeçe. «Meqë diabeti nuk duket nga jashtë, disa njerëz nuk e kuptojnë sa i rëndë është ai. Diabeti mund edhe të më vrasë»,​—thotë ajo.

Nëse vuan nga ndonjë sëmundje ose kufizim fizik, pa dyshim që do të të japin zemër fjalët e Hirokit, Natalisë, Timoteut dhe Danielës. Në qoftë se gëzon shëndet të plotë, fjalët e tyre mund të të ndihmojnë t’i kuptosh më mirë ata që luftojnë me këto probleme.

Zgjohuni!: Cila është vështirësia më e madhe që të krijon problemi yt?

Natalia, 20 vjeçe, Afrika e Jugut

Natalia: Për mua është reagimi i njerëzve kur më shohin. Ndihem gjithmonë në siklet. Më duket sikur të gjithë i kanë sytë tek unë.

Daniela: Kur je me diabet vështirësia më e madhe është të dish se çfarë të hash, sa të hash dhe ç’ushqime të kufizosh. Po ta prish ndopak dietën, mund të arrij në hipoglicemi që mund të më çojë në gjendje kome.

Hiroki: Kam një karrige me rrota që është përshtatur për trupin tim dhe rri rreth 15 orë në ditë në të njëjtin pozicion. Veç kësaj nuk fle mirë. Edhe zhurma më e vogël më zgjon.

Timoteu: Në fillim gjëja më e vështirë ishte të pranoja se isha i sëmurë. Më vinte turp nga sëmundja ime.

Zgjohuni!: Çfarë vështirësish të tjera ke?

Daniela, 24 vjeçe, Australi

Daniela: Diabeti më bën të ndihem e këputur. Kam nevojë të fle më shumë se moshatarët e mi. Gjithashtu diabeti është një sëmundje kronike për të cilën nuk ka kurë.

Natalia: Kuptohet që në rastin tim është problem puna e gjatësisë. E kam të vështirë të bëj edhe gjëra fare të zakonshme, si të marr diçka në raftet e dyqaneve. Kur pazarin e bëj vetëm, mundohem shumë.

Timoteu: Duroj vazhdimisht dhimbje dhe herë pas here kaloj periudha depresioni. Para se të sëmuresha isha shumë energjik. Kisha një punë dhe patentën e shoferit. Luaja futboll, skuash dhe sporte të tjera. Tani jam i ngujuar në një karrige me rrota.

Hiroki: Kam probleme me të folurit. Kjo më ndrydh, ndaj ngurroj të hyj në bisedë. Nganjëherë nga lëvizjet e pavullnetshme të duarve godas pa dashje ndonjërin. Në këto raste nuk arrij as të them më fal nga problemi me të folurit.

Zgjohuni!: Çfarë të ka ndihmuar ta përballosh gjendjen tënde?

Daniela: Përpiqem të përqendrohem te gjërat e mira që kam në jetë. Kam një familje të mrekullueshme, miq të dashur në kongregacion dhe mbi të gjitha kam si mbështetje Perëndinë Jehova. Gjithashtu përpiqem të njihem me informacionet më të fundit për diabetin. Tregohem e përgjegjshme me shëndetin dhe bëj çmos të kujdesem sa më mirë për veten.

Natalia: Lutja është burim force. Përpiqem t’i marr problemet një nga një. Kur jam e zënë me aktivitete nuk kam kohë të bluaj mendime shkurajuese. Kam edhe dy prindër të mrekullueshëm me të cilët mund të hapem.

Timoteu, 20 vjeç, Britani

Timoteu: Çdo ditë bëj diçka frymore, edhe sikur për pak minuta. Për shembull, e nis ditën me shqyrtimin e shkrimit të ditës. Studimi personal i Biblës dhe lutja janë shumë të rëndësishëm për mua, sidomos kur ndihem përtokë shpirtërisht.

Hiroki: Mundohem të mos merakosem për gjërat që nuk i kam në dorë. Kot sa të humbësh kohë. Nga ana tjetër bëj gjithë sa kam në dorë për të ndërtuar miqësinë me Perëndinë dhe nuk e përdor problemin tim si justifikim për të mos studiuar Biblën. Kur s’më zë gjumi e shoh si mundësi për t’u lutur.​—Shih Romakëve 12:12.

Zgjohuni!: Si të kanë inkurajuar të tjerët?

Hiroki, 23 vjeç, Japoni

Hiroki: Pleqtë gjithnjë më lavdërojnë për atë pak që mund të bëj. Vëllezërit dhe motrat në kongregacion më marrin në rivizitat dhe studimet e tyre.​—Shih Romakëve 12:10.

Daniela: Gjëja që më prek më shumë është kur vëllezërit dhe motrat e kongregacionit më lavdërojnë me gjithë shpirt. Ndiej se më çmojnë, dhe kjo më jep zemër të vazhdoj.

Timoteu: Është një motër e moshuar që përherë përpiqet të bisedojë pak me mua në mbledhje. Edhe pleqtë e kongregacionit me gratë e tyre më inkurajojnë dhe më japin këshilla praktike. Një plak, i cili është 84 vjeç, më ka ndihmuar të vë synime të arritshme. Një shërbëtor ndihmës më ftoi të dilja me të në shërbim dhe e rregulloi që të predikonim në një territor ku të mos kisha probleme me karrigen me rrota.​—Shih Psalmin 55:22.

Natalia: Sapo vë këmbën në Sallën e Mbretërisë, vëllezërit dhe motrat e kongregacionit më përshëndetin me një buzëqeshje të ngrohtë. Të moshuarit gjithnjë kanë gati një mendim inkurajues për të më thënë, edhe pse vetë kanë shumë probleme.​—Shih 2 Korintasve 4:16, 17.

Zgjohuni!: Çfarë të ndihmon të ruash optimizmin?

Hiroki: Si Dëshmitar i Jehovait, jam në një organizatë me njerëz që kanë një shpresë të shkëlqyer. Ideja se ku bëj pjesë, më ndihmon të jem optimist.​—Shih 2 Kronikave 15:7.

Daniela: Mendoj çfarë privilegji kam që e njoh qëllimin e Perëndisë. Ka njerëz që gëzojnë shëndet të mirë e prapëseprapë nuk janë të kënaqur në jetë, siç jam unë.​—Shih Proverbat 15:15.

Natalia: Për mua është e rëndësishme të rri mes njerëzve optimistë. Marr zemër edhe kur lexoj përvojat e të tjerëve që i shërbejnë Jehovait, pavarësisht nga sprovat. Gjithashtu, sa herë shkoj në Sallën e Mbretërisë, e di që do të marr forcë dhe do të më ngulitet edhe më shumë sa privilegj i madh është të jesh Dëshmitar i Jehovait.​—Shih Hebrenjve 10:24, 25.

Timoteu: Sipas 1 Korintasve 10:13, Jehovai nuk do të lejojë diçka që s’mund ta mbajmë. Atëherë, nëse Krijuesi im ka besim se unë mund ta përballoj këtë sprovë, kush jam unë që të mendoj ndryshe?!

PYETJE PËR TË MENDUAR

  • Hiroki dhe Timoteu janë që të dy në karrige me rrota. Nëse je në një situatë të tillë, si të ndihmojnë fjalët e tyre për të mbajtur optimizmin?

  • Daniela thotë se «meqë diabeti nuk duket nga jashtë, disa njerëz nuk e kuptojnë sa i rëndë është ai». A vuan edhe ti nga ndonjë sëmundje «e padukshme»? Nëse po, çfarë mund të mësosh nga Daniela?

  • Natalia thotë se një nga gjërat më të vështira për të është reagimi i njerëzve kur e shohin. Ç’do të bëje që dikush si Natalia të ndihej rehat? Nëse ke ndonjë sëmundje ose kufizim fizik që të bën të ndihesh si Natalia, si mund ta imitosh qëndrimin e saj optimist?

  • Shkruaj më poshtë emrat e të njohurve të tu që kanë ndonjë kufizim fizik a sëmundje kronike.

  • Ç’mund të bësh për ta inkurajuar secilin prej tyre?