Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A ka vetëm një fe të vërtetë?

A ka vetëm një fe të vërtetë?

A ka vetëm një fe të vërtetë?

Për disa njerëz kjo pyetje është fyese. Meqë në mbarë botën ka shumë besime fetare, ata arsyetojnë se, kushdo që pretendon se vetëm ai ka të vërtetën, duhet të jetë mendjengushtë, madje arrogant. Sigurisht, duket e arsyeshme të mendosh se në të gjitha fetë ose të paktën në shumicën prej tyre duhet të ketë diçka të mirë. A mendoni kështu?

PATJETËR ka situata ku është gjë e mençur të pranosh se mund të ketë vend për mendime të ndryshme. Për shembull, dikush mund të besojë se një dietë e caktuar ushqimore mund të jetë e shëndetshme për të. Por, a duhet t’ia imponojë atë dietë çdo njeriu, sikur të ishte e vetmja mënyrë për të pasur një shëndet të mirë? Natyrisht, ai do të tregohej i mençur dhe modest po të pranonte se edhe dieta e dikujt tjetër mund të jetë po aq e mirë ose edhe më e mirë për këtë të fundit.

A është njësoj edhe me fenë? A ka një larmi mundësish të pranueshme nga të cilat një njeri mund të zgjedhë, në varësi të formimit dhe të mënyrës se si i koncepton gjërat? Apo ka vetëm një tërësi bindjesh fetare të vërteta që vlejnë për të gjithë njerëzit? Le të shohim se ç’thotë Bibla për këtë. Para së gjithash do të shohim nëse është e mundur ta gjejmë të vërtetën. Në fund të fundit, nëse kjo nuk është e mundur, as ia vlen ta kërkojmë fenë e vërtetë.

A mund të gjendet e vërteta fetare?

Pak kohë para se ta vritnin, Jezu Krishti i tha guvernatorit romak, Ponc Pilatit, që po e merrte në pyetje: «Kushdo që është në anën e së vërtetës, e dëgjon zërin tim.» Ka mundësi që Pilati t’i jetë përgjigjur me cinizëm kur i tha: «Ç’është e vërteta?» (Gjoni 18:37, 38) Megjithatë, Jezui foli hapur e me guxim për të vërtetën. Ai nuk kishte asnjë dyshim që ajo ekzistonte. Shqyrtoni, për shembull, katër pohimet vijuese që Jezui ua tha njerëzve të ndryshëm:

«Për këtë linda dhe erdha në botë, që të jap dëshmi për të vërtetën.»​Gjoni 18:37.

«Unë jam udha, e vërteta dhe jeta.»​—Gjoni 14:6.

«Perëndia është Frymë, dhe ata që e adhurojnë, duhet ta adhurojnë me frymë dhe të vërtetë.»​Gjoni 4:23, 24.

«Nëse qëndroni në fjalën time, jeni vërtet dishepujt e mi. Do ta njihni të vërtetën, dhe e vërteta do t’ju lirojë.»​—Gjoni 8:31, 32.

Meqë Jezui foli me kaq siguri për të vërtetën dhe se mund ta njohim, a nuk duhet të shqyrtojmë të paktën mundësinë se e vërteta fetare ekziston dhe mund të gjendet?

A ekziston e vërteta absolute?

Pa dyshim, jeni dakord se ka disa gjëra për të cilat jeni absolutisht të sigurt. Ju jeni të sigurt se ekzistoni dhe se objektet që ju rrethojnë janë reale. Pemët, malet, retë, dielli dhe hëna, pra e gjithë bota materiale, nuk janë fryte të imagjinatës. Sigurisht, mund të ketë disa njerëz që në kuptimin filozofik argumentojnë se edhe ekzistenca e këtyre gjërave nuk është e sigurt. Por ndoshta ju nuk jeni dakord me këtë koncept ekstrem.

Pastaj janë edhe ligjet e natyrës. Edhe për këto jeni absolutisht të sigurt. Për shembull, po të hidheni nga një shkëmb, do të bini; po të mos hani, do të keni uri dhe po të rrini pa ngrënë për një kohë të gjatë, do të vdisni. Ju nuk e vini në dyshim nëse këto ligje të natyrës janë të vërteta për disa njerëz, por jo për të tjerë. Ato vlejnë për të gjithë njerëzit, prandaj thuhet se janë universale.

Bibla i referohet një ligji të tillë universal kur bën pyetjen: «A mund të grumbullojë një burrë zjarr në gji e të mos i digjen rrobat?» Faktikisht, kur u shkruan këto fjalë, pranohej nga të gjithë se rrobat do të digjeshin po të preknin zjarrin. Mirëpo, duke përmendur këtë fakt, në të vërtetë proverbi i mësipërm biblik po thekson një gjë më të rëndësishme, domethënë që kushdo «që ka marrëdhënie [seksuale] me gruan e tjetrit» do të ketë pasoja.​—Proverbat 6:27, 29.

A është ky pohim një e vërtetë absolute për të cilën mund të jemi të sigurt? Disa do të thoshin jo. Ata pohojnë se normat morale janë një gjë personale, se ato varen nga formimi, bindjet dhe rrethanat e secilit. Por shqyrtoni disa ligje morale që Perëndia i ka shkruar në Bibël. A nuk janë këto të vërteta universale?

Bibla e dënon kurorëshkeljen. (1 Korintasve 6:9, 10) Disa nuk e pranojnë këtë mësim biblik si një të vërtetë, kështu që jepen pas kurorëshkeljes. Megjithatë, edhe ata zakonisht korrin pasoja të hidhura, ndër të cilat shpesh janë ndërgjegje të trazuara, divorce dhe vraga të thella emocionale për gjithë personat e përfshirë.

Perëndia dënon edhe dehjen. (Proverbat 23:20; Efesianëve 5:18) Ç’ndodh kur njerëzit e kanë zakon të dehen? Në shumë raste humbin punën, shkatërrojnë shëndetin dhe familjet, të cilat gjithashtu vuajnë emocionalisht. (Proverbat 23:29-35) Këto pasoja i kanë edhe ata që nuk besojnë se dehja është e gabuar. A varet vërtetësia e këtyre ligjeve morale nga bindjet ose mendimet e individëve?

Përveç këtyre, Bibla ka edhe ligje morale që nxitin veprime pozitive të tilla, si urdhri për të dashur gruan, për të respektuar burrin dhe për t’u bërë mirë të tjerëve. (Mateu 7:12; Efesianëve 5:33) Zbatimi i këtyre urdhërimeve sjell rezultate të mira. A do të argumentonit se këto këshilla morale janë të mira për disa, por jo për të tjerët?

Pavarësisht nëse zbatohen apo jo ligjet morale të Biblës, ato ndikojnë te njerëzit. Ky fakt tregon se këto ligje nuk janë thjesht pikëpamje të ndryshme. Përkundrazi, ato janë të vërteta jetësore. Faktet tregojnë se kur ligjet morale të Biblës zbatohen, sjellin rezultate të mira, por, kur nuk zbatohen, pasojat janë të këqija.

Kështu, mendoni për këto pyetje: nëse ligjet morale të Biblës vlejnë për të gjithë njerëzit, ç’mund të thuhet për ligjet e saj në lidhje me adhurimin? Po për atë që thotë Bibla se çfarë ndodh kur vdesim dhe për shpresën që kemi për një jetë të përhershme? Është e logjikshme të mendojmë se edhe këto mësime biblike janë të vërteta që janë dhënë për gjithë njerëzimin. Dobitë dhe pasojat që vijnë prej tyre nuk janë vetëm për njerëzit që i besojnë.

E vërteta mund të gjendet. Jezui tha se Fjala e Perëndisë, Bibla, është e vërteta. (Gjoni 17:17) Prapëseprapë duket sikur e vërteta nuk mund të gjendet. Pse? Sepse ka kaq shumë fe që pretendojnë se mësojnë gjërat që thotë Bibla. Cila fe mëson të vërtetën që gjendet në Fjalën e Perëndisë? A duhet të presim që këtë të vërtetë ta mësojë vetëm një fe? Mos ndoshta e vërteta ose të paktën pjesë të saj mund të gjenden në disa fe?

[Diçitura në faqen 4]

Ç’lidhje ka mes pasojave që vijnë po të prekësh zjarrin dhe mosbindjes ndaj ligjeve të Perëndisë?