Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A kanë lidhje besëtytnitë me mësimet e Biblës?

A kanë lidhje besëtytnitë me mësimet e Biblës?

Pikëpamja e Biblës

A kanë lidhje besëtytnitë me mësimet e Biblës?

NJË gazetar nuk udhëtoi me avion për një vit, ngaqë një fallxhor i kishte thënë se do të vdiste në një aksident ajror. Njerëz të të gjitha shtresave, përfshirë politikanë, biznesmenë, aktorë, sportistë dhe studentë, u besojnë besëtytnive. Kur përjetojnë pasiguri, strese ose ankthe, ata mendojnë se besëtytnitë do t’i mbrojnë nga rreziqet ose do t’i ndihmojnë të arrijnë synimet.

Shumë lloje besëtytnish konsiderohen tërheqëse ose si mbështetje psikologjike të padëmshme. Antropologia e ndjerë Margaret Mid komentoi: «Besëtytnitë pasqyrojnë dëshirën tonë të zjarrtë që të realizohet diçka e mirë që presim ose të mos na ndodhë ndonjë gjë e keqe. Qoftë duke i pranuar, qoftë duke i mohuar, ne përfitojmë nga besëtytnitë.» Megjithatë, ata që janë të vendosur t’i pëlqejnë Perëndisë, duhet të pyesin veten: ‘A kanë lidhje besëtytnitë me mësimet e Biblës?’

Burimi i besëtytnive

Njerëzimin e ka munduar gjithnjë frika: frika nga vdekja, frika nga e panjohura dhe nga ajo që quhet ‘bota e përtejme’, për të përmendur vetëm disa. Satanai, kundërshtari rebel i Perëndisë, është i vendosur t’i skllavërojë njerëzit, dhe i ka ushqyer këto lloje të frikës me gënjeshtra dashakeqe. (Gjoni 8:44; Zbulesa 12:9) Satanai nuk është i vetëm në përpjekjet e tij për t’i joshur njerëzit që t’i largojë nga Perëndia. Bibla e quan Satanain ‘sundimtarin e demonëve’. (Mateu 12:24-27) Ç’janë demonët? Në kohën e Noesë, disa engjëj u bashkuan në rebelimin e Satanait kundër Perëndisë dhe u bënë demonë. Që nga ajo kohë, ata janë përpjekur të ndikojnë në mendjet e njerëzve. Besëtytnitë janë një nga mjetet që kanë përdorur.​—Zanafilla 6:1, 2; Luka 8:2, 30; Juda 6.

Baza për besëtytnitë është një nga gënjeshtrat e Satanait. Kjo gënjeshtër është besimi se diçka e padukshme brenda trupit të njeriut vazhdon të jetojë pas vdekjes dhe mund të ndikojë te të gjallët. Mirëpo Bibla thotë: «Të vdekurit s’janë të vetëdijshëm për asgjë.» Pastaj shton se pas vdekjes «nuk ka asnjë punë, as plan, as njohuri, as mençuri».​—Eklisiastiu 9:5, 10.

«Të pështirë për Jehovain»

Shumë njerëz kanë zgjedhur t’u besojnë gënjeshtrave të Satanait. Por, kohë më parë, Perëndia i kishte dhënë popullit të tij, Izraelit, udhëzime të qarta për këtë çështje. Në Fjalën e Perëndisë thuhet: «Mes teje të mos gjendet asnjë nga ata . . . që hedhin fall, që merren me magji, që kërkojnë ogure, ndonjë shtrigë, ndonjë që ysht të tjerët, që këshillohet me një medium ose me dikë që ka si zanat parathënien e ngjarjeve a ndonjë që pyet të vdekurit. Sepse ata që i bëjnë këto, janë të pështirë për Jehovain.»​—Ligji i përtërirë 18:10-12.

Mjerisht, izraelitët nuk ia vunë veshin gjithmonë këtij paralajmërimi. Për shembull, në kohën e profetit Isaia, disa besonin se për të pasur të korra të mbara duhej të kënaqnin «perëndinë e Fatit të Mirë». Kjo besëtytni u solli pasoja të tmerrshme, sepse humbën miratimin dhe bekimin e Jehovait.​—Isaia 65:11, 12.

Pikëpamja e Jehovait për besëtytnitë nuk ndryshoi me ardhjen e krishterimit. Apostulli Pavël u bëri thirrje njerëzve besëtytë në Listër ‘që të ktheheshin nga këto kotësira te Perëndia i gjallë, që bëri qiellin, tokën, detin dhe gjithçka që është në ta’.​—Veprat 14:15.

Çlirohuni nga besëtytnitë!

Besëtytnitë janë të panumërta dhe të gjitha kanë diçka të përbashkët: nuk kanë një shpjegim logjik. Një nga pasojat e këqija të besëtytnive është se mund t’i shtyjnë njerëzit që, për të gjitha ‘tersllëqet’ e tyre, t’ia hedhin fajin fatit të keq, në vend që të pranojnë se janë përgjegjës për veprimet e tyre.

Megjithatë, shumë njerëz janë çliruar nga besëtytnitë. Jezui tha: «Do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë.» (Gjoni 8:32) Klementina, një braziliane që kishte qenë fallxhore për 25 vjet, tha: «E vetmja mënyrë për të nxjerrë bukën e gojës, ishte të hidhja fall. Megjithatë, e vërteta e Biblës me çliroi nga besëtytnitë.» Vërtet, studimi i rregullt i Biblës dhe lutjet me gjithë zemër drejtuar Perëndisë Jehova mund të na japin forcë të brendshme. Kjo na ndihmon të mendojmë me qetësi dhe logjikë, e kështu të marrim vendime të mençura për të parandaluar problemet dhe për të lehtësuar ankthet.​—Filipianëve 4:6, 7, 13.

Bibla ngre pyetjen: «Ç’pjesë ka drita me errësirën? Ç’harmoni ka mes Krishtit dhe Belialit [Satanait]?» Prandaj, shërbëtorët e vërtetë të Perëndisë duhet t’u rrinë larg besëtytnive.​—2 Korintasve 6:14-16.

A DONI TË DINI?

▪ Në vend që t’i besonin Perëndisë, ku besonin izraelitët besëtytë në kohën e Isaisë?​—Isaia 65:11, 12.

▪ Për çfarë u bëri thirrje apostulli Pavël njerëzve besëtytë në Listër?​—Veprat 14:15.

▪ A kanë lidhje besëtytnitë me mësimet e Biblës?​—2 Korintasve 6:14-16.

[Figurat në faqen 10]

Besëtytnitë i përgjumin njerëzit duke u dhënë një ndjenjë të rreme sigurie