Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Kur dita u bë natë»

«Kur dita u bë natë»

«Kur dita u bë natë»

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË BENIN

«UAA! Eklipsi diellor la gojëhapur miliona veta»,​—thuhej në faqen e parë të gazetës Daily Graphic të Ganës, të nesërmen e eklipsit të plotë diellor që ndodhi më 29 mars 2006. Eklipsi, që për herë të parë u vërejt në skajin lindor të Brazilit, kaptoi Atlantikun me një shpejtësi gati 1.600 km në orë dhe vizitoi me radhë vendet bregdetare të Ganës, Togos dhe Beninit, duke filluar aty rreth orës 8.00 të mëngjesit. Si do të dukej eklipsi në këto vende të Afrikës Perëndimore?

Eklipsi i plotë në Ganë, u pa për herë të fundit në vitin 1947. Teodori, asokohe 27-vjeçar, sjell ndër mend: «Në atë kohë shumë veta nuk kishin parë kurrë eklips dhe nuk e kuptonin mirë ç’po ndodhte. Prandaj njerëzit e quajtën këtë ngjarje ‘kur dita u bë natë’.»

Fushata paralajmëruese

Autoritetet filluan fushata të mëdha për të paralajmëruar publikun për rreziqet që do të kishte nëse do t’ia ngulnin sytë diellit gjatë eklipsit. Në Togo, postera tërheqës jepnin paralajmërimin: «Kujdes sytë! Rrezikoni të verboheni!»

Autoritetet qeveritare vunë theksin në dy mundësi. E para, që njerëzit të rrinin brenda dhe ta shihnin pamjen spektakolare në televizor. E dyta, nëse do të rrinin jashtë, të vinin syze të posaçme mbrojtëse. Miliona veta u ngulën para ekranit të televizorit a kompjuterit për të kundruar pamjet mbresëlënëse. Gjithsesi, ekrani kurrë nuk mund ta përcillte atë atmosferë të elektrizuar nga kërshëria e entuziazmi para dhe gjatë eklipsit. Le t’i jetojmë sërish ato çaste.

Ethet e pritjes

Dukej një mëngjes si gjithë të tjerët në Afrikën Perëndimore​—dielli shkëlqente dhe qielli ishte i kthjellët. A do të ndodhte vërtet eklipsi? Teksa akrepat shkonin drejt orës kur eklipsi do të përshëndeste Afrikën Perëndimore, ata që ishin jashtë vunë syzet mbrojtëse dhe ia mbërthyen sytë qiellit. Disa merrnin në celular të njohurit në zona të tjera për t’i pyetur se çfarë shihnin.

Më shumë se 350.000 km mbi kokat e vëzhguesve, hëna, ndonëse fillimisht e padukshme, shkonte pa u ndalur drejt vendtakimit. Kur ja, befas ajo u shfaq si një copëz e errët që nisi të zinte diellin. Ethet e pritjes shtoheshin ndërsa spektatorët e pikasnin njëri pas tjetrit.

Orën e parë, vëzhguesit nuk vunë re ndonjë ndryshim rreth e qark. Sidoqoftë, teksa hëna triumfonte mbi diellin, atmosfera ndryshoi. Qielli i kaltër zuri të errej. Temperatura ra. Dritat e sigurisë dhe dritat e ndjeshme të rrugëve u ndezën vetë ndërsa mëngjesi errësohej. Rrugët u boshatisën. Dyqanet u mbyllën. Zogjtë ndalën këngën dhe kafshët u futën në strehën e tyre që të flinin. Errësira po merrte pushtetin në dorë. Pastaj ndodhi eklipsi i plotë dhe mbretëroi heshtja.

Eklipsi i plotë​—Çast i paharrueshëm

Yjet nisën të xixëllonin. Kurora e shndritshme e diellit (shtresa e jashtme e atmosferës diellore) ngjasonte me një brerore ngjyrë perle përqark hënës së zezë. Pika drite rrëzëllitëse, të quajtura rruazat e Bejlit, * feksnin mbi rrethin e hënës teksa dielli përshkëndiste luginat dhe relievin e thyer të hënës. «Unaza me diamant» vezullonte. E kuqja dhe roza përflakën kromosferën (shtresa poshtë kurorës diellore). «Ishte spektakli më fantastik që kam parë; një bukuri mahnitëse»,​—tha një vëzhgues i emocionuar.

Eklipsi i plotë zgjati rreth tri minuta. Më pas dielli nisi të zaptonte sërish qiellin. Shumë spektatorë e pritën tërë hare. Qielli shkëlqeu dhe yjet u zhdukën. Atmosfera e frikshme u davarit si mjegulla e mëngjesit.

Hëna është «dëshmitar i besueshëm në qiej», ndaj eklipset mund të llogariten shekuj përpara. (Psalmi 89:37) Afrikës Perëndimore iu desh të priste gati 60 vjet për të parë këtë eklips. Tjetrin do ta shohë në vitin 2081. Mbase, në vendin tuaj, do të keni rastin të shihni një eklips të paharrueshëm shumë më herët.

[Shënimi]

^ par. 13 Sipas emrit të astronomit britanik Frensis Bejli që e dokumentoi për herë të parë shfaqjen e tyre gjatë një eklipsi në vitin 1836.

[Kutia dhe figura në faqen 29]

A ndodhi eklips diellor kur vdiq Jezui?

Te Marku 15:33 thuhet: «Kur erdhi ora e gjashtë, gjithë vendin e mbuloi një errësirë deri orën e nëntë.» Kjo errësirë triorëshe, nga mesdita deri në orën tre pasdite, ishte një mrekulli. Nuk mund të ketë qenë eklips diellor. Së pari, sepse eklipsi diellor më i gjatë që mund të ndodhë në çfarëdo pjese të tokës, zgjat rreth shtatë minuta e gjysmë. Së dyti, sepse Jezui vdiq ditën e 14-të të muajit hënor të nisanit. Dita e parë e nisanit përcaktohet nga hëna e re, koha kur Hëna gjendet midis Tokës e Diellit, dhe mund të shkaktojë një eklips. Kur arrin data 14 nisan, Hëna e ka përshkuar tashmë gjysmën e orbitës së saj. Në këtë ditë, Toka ndodhet midis Diellit dhe Hënës e cila, jo vetëm nuk e mbulon dritën e diellit, por përkundrazi e pasqyron atë plotësisht. Prandaj shohim hënën e plotë, një sfond i përkryer për të kremtuar Përkujtimin e vdekjes së Jezuit.

[Figura]

Data 14 nisan gjithmonë bie ditën e hënës së plotë ose afër asaj dite

[Diagrami dhe harta në faqet 28, 29]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Udha e eklipsit

⇧ AFRIKË

BENIN ●

TOGO ●

GANË ●

[Burimi]

Harta: bazuar në pamje nga NASA/​Visible Earth

[Figura në faqen 28]

Eklipsi i plotë i 29 marsit 2006

[Figura në faqen 28]

Me syzet e posaçme mbrojtëse, vëzhguesit mund ta shihnin eklipsin drejtpërdrejt