Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kush duhet ta përcaktojë se cila është feja e vërtetë?

Kush duhet ta përcaktojë se cila është feja e vërtetë?

Kush duhet ta përcaktojë se cila është feja e vërtetë?

JEZUI e bëri të qartë se disa forma adhurimi nuk janë të pranueshme për Perëndinë. Ai foli për «profetët e rremë» dhe i krahasoi me pemët që japin fryt të keq e që ‘priten dhe hidhen në zjarr’. Ai tha: «Jo kushdo që më thotë: ‘Zotëri, Zotëri’ do të hyjë në mbretërinë e qiejve.»​—Mateu 7:15-22.

Për disa që pretendonin se e ndiqnin, Jezui tha: «Do t’u them atyre: ‘Kurrë nuk ju kam njohur. Largohuni nga unë, ju që bëni paligjshmëri!’» (Mateu 7:23) Më tej, kur po fliste me udhëheqësit fetarë të kohës së tij, Jezui i zbatoi për ta fjalët që Perëndia kishte thënë për Izraelin apostat: «Më kot vazhdojnë të më adhurojnë, sepse mësimet e tyre janë thjesht urdhërime njerëzish.»​—Marku 7:6, 7.

Qartë, jo çdo formë adhurimi është e miratuar nga Perëndia ose nga Biri i tij. Prandaj, jo çdo formë adhurimi është e vërtetë. A nënkupton kjo se vetëm një fe mëson të vërtetën? Mos vallë Perëndia po përdor vetëm disa fe, ndërkohë që të tjerat nuk i pranon? Apo mos ndoshta Perëndia pranon ose hedh poshtë adhurimin e individëve të feve të ndryshme, pavarësisht se çfarë mëson feja e tyre?

Apostulli Pavël shkroi nën frymëzimin hyjnor: «Tani ju nxit, vëllezër, nëpërmjet emrit të Zotërisë tonë Jezu Krisht, të flitni të gjithë në harmoni e mes jush të mos ketë përçarje, por të jeni të bashkuar si duhet në të njëjtën mendje dhe në të njëjtën vijë mendimi.» (1 Korintasve 1:10) Gjithashtu, Bibla i nxit të krishterët që të jenë ‘në një mendje dhe të kenë të njëjtën dashuri, duke qenë të bashkuar në shpirt, duke mbajtur në mendje të njëjtin mendim’.​—Filipianëve 2:2.

Kur ekziston një unitet i tillë, përfundimi është një fe e vetme. Ja pse, Bibla thotë se ka «një Zotëri të vetëm, një besim të vetëm, një pagëzim të vetëm».​—Efesianëve 4:4, 5.

Çfarë thotë Bibla?

Bibla na tregon qartë se përfundimi i mësipërm mbështetet fortësisht në Shkrimet e Shenjta. Po të kërkoni në Shkrime, do të zbuloni se Perëndia ka qenë i lidhur me popullin e tij nëpërmjet një forme të vetme adhurimi. Në fillimet e hershme të historisë, Perëndia përdori si përfaqësues të tij patriarkë ose krerë familjesh. Ndër ta spikatin Noeja, Abrami (Abrahami), Isaku dhe Jakobi.​—Zanafilla 8:18-20; 12:1-3; 26:1-4; 28:10-15.

Pasardhësit e Jakobit u bënë skllevër në Egjipt. Ndonëse atje ishin të shtypur mizorisht, u shtuan dhe u bënë miliona. Me anë të një mrekullie, Perëndia i çliroi nga robëria duke i nxjerrë përmes Detit të Kuq. Më pas, i zgjodhi që të ishin populli i tij dhe u dha ligje me anë të Moisiut. Ata u bënë kombi i lashtë i Izraelit, kombi i Perëndisë.​—Dalja 14:21-28; 19:1-6; 20:1-17.

Vlen të përmendet se Perëndia nuk i miratoi format e adhurimit që praktikonin kombet përreth Izraelit. Në fakt, ai e ndëshkoi popullin e vet kur iu shmang ligjeve të tij dhe përvetësoi këto forma adhurimi.​—Levitiku 18:21-30; Ligji i përtërirë 18:9-12.

Çfarë duhej të bënin individët e kombeve të tjera që donin të adhuronin Perëndinë e vërtetë? Para së gjithash duhej të hiqnin dorë nga adhurimi i rremë dhe më pas të bashkoheshin me Izraelin në adhurimin e Perëndisë Jehova. Shumë prej tyre fituan miratimin e Perëndisë dhe u bënë shërbëtorë të tij besnikë. Disa prej tyre ishin gra, si për shembull, kananitja Rahabë dhe moabitja Ruthë; burra të tillë si hititi Uriah dhe etiopasi Ebed-Melek dhe grupe njerëzish si gibeonitët. Mbreti i Izraelit, Solomoni, u lut me gjithë zemër për të gjithë ata individë të kombeve të tjera që, si këta, u bashkuan me popullin e Perëndisë në adhurimin e vërtetë. *​—2 Kronikave 6:32, 33.

Pasi Jezui erdhi në tokë

Më vonë, pasi Jezui erdhi në tokë, mësimet e tij përbënë bazën e adhurimit të vërtetë dhe qëllimet e Perëndisë u bënë tejet të qarta. Me kalimin e kohës, adhuruesit e vërtetë u quajtën «të krishterë». (Veprat 11:26) Kështu, judenjtë që donin miratimin e Perëndisë duhej të hiqnin dorë nga mënyra e mëparshme e adhurimit. Atyre nuk u kërkohej të zgjidhnin njërën nga dy format e adhurimit ose të adhuronin në mënyrë individuale. Sikurse kemi parë në Fjalën e Perëndisë, adhuruesit e vërtetë ishin të bashkuar në «një besim të vetëm».​—Efesianëve 4:4, 5.

Sot, mendimi se Perëndia është i lidhur me njerëzit nëpërmjet një feje të vetme, disave mund t’u duket ekstrem dhe i vështirë për t’u pranuar. Por ja që Bibla na çon në këtë përfundim. Në të kaluarën, shumë njerëz që adhuronin sipas mënyrës së tyre, e kuptuan dhe e pranuan këtë fakt. Ata u bashkuan me adhuruesit e vërtetë të Jehovait, e çdo dyshim që mund të kishin pasur u la vendin bekimeve dhe gëzimeve të mëdha. Për shembull, Bibla thotë se, pasi një etiopas pranoi krishterimin e u pagëzua, «vazhdoi udhën i gëzuar».​—Veprat 8:39.

Cilido që sot pranon dhe praktikon fenë e vërtetë do të marrë bekime të ngjashme. Por, me kaq shumë fe që ekzistojnë sot, si mund të gjeni fenë e vërtetë?

[Shënimi]

[Figura në faqen 5]

Çfarë do t’i ndodhë një feje që jep fryte të këqija?