Misteri i majmunëve të shkëmbit
Misteri i majmunëve të shkëmbit
KUR mendoni për majmunët, ka shumë të ngjarë t’ju shkojë mendja te vendet e nxehta tropikale. Janë të pakta llojet e majmunëve që guxojnë të jetojnë në vendet me klimë të butë. Gjithsesi, spikatin nja dy përjashtime.
Në lartësinë e maleve Atlas të Afrikës Veriore, ku zakonisht në dimër bie borë, ka grupe të vogla majmunësh të Barbarisë që enden nëpër pyjet me cedra e lisa. * Një grup i veçuar i këtyre majmunëve gjenden 300 km në veri, të ngujuar në shkëmbin e Gjibraltarit, në skajin më jugor të Evropës.
Si e shpjegojnë natyralistët këtë mister? Disa mendojnë se këta majmunë kolonizuan vende të tjera të Evropës në të kaluarën e largët dhe se i vetmi grup që mbijetoi janë majmunët e Gjibraltarit. Të tjerë mendojnë se, në këtë shkëmb i sollën kolonizatorët arabë ose britanikë. Sipas legjendës, majmunët i kaluan ngushticat që ndajnë Evropën nga Afrika nëpërmjet një tuneli të nëndheshëm që nuk ekziston më. Cilado qoftë origjina e tyre, ata janë të vetmit majmunë në Evropë që rriten të lirë në natyrë.
Majmunët e Barbarisë jetojnë në pyjet me pisha që mbulojnë pjesën e sipërme të shkëmbit të Gjibraltarit. Ndonëse janë pak a shumë 100, sipas Shoqatës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Primatëve, ata janë bërë «banorët më të famshëm të gadishullit». *
Meqë Gjibraltarin e vizitojnë çdo vit shtatë milionë turistë, majmunët çamarrokë kanë ushqim sa të duan. Megjithëse dalin për të kërkuar bimë të egra, janë bërë mjeshtra për t’u lypur ushqim vizitorëve e nganjëherë s’ia përtojnë t’ua vjedhin. Edhe autoritetet vendëse u sjellin majmunëve fruta dhe perime.
Përveçse ushqehen, një të pestën e ditës e kalojnë duke pastruar dhe lëmuar qimet e njëri-tjetrit. Si femrat, edhe meshkujt kujdesen dhe luajnë me të vegjlit. Ata jetojnë në grupe, dhe kjo nganjëherë sjell acarime që çojnë në përleshje. Ndonëse majmunët më të mëdhenj përdorin kërcënimet dhe ulëritjet për të zbuar majmunët më të rinj, ata kanë edhe zakonin e veçantë që skërmitin dhëmbët, e, me sa duket, kjo i qetëson.
Se si erdhën ata në Gjibraltar mund të mbetet një mister. Gjithsesi këta majmunë miqësorë i japin lezet këtij kepi gëlqeror që vigjilon në hyrje të detit Mesdhe. Pa ta, Gjibraltari nuk do të ishte i njëjtë.
[Shënimet]
^ par. 3 Majmunët e Barbarisë nuk janë majmunë të mëdhenj antropoidë, por majmunë të vegjël pa bisht.
^ par. 5 Edhe kushërinjtë e tyre, majmunët rezus të Japonisë, që në dimër mblidhen në burimet termale, janë bërë të famshëm pasi tërheqin turistët.