Nga lexuesit tanë
Nga lexuesit tanë
T’i ndihmojmë të rinjtë të përballojnë vështirësitë (mars 2007) Si 18-vjeçare që jam, pashë se shumë nga sugjerimet për përdorimin e celularit dhe të Internetit ishin tamam për mua. Kisha nisur të komunikoja me të panjohur në sitet e rretheve shoqërore. Shpejt rashë në grackat që sjell shoqëria e keqe. Marrëdhënia me Jehovain m’u dobësua thuajse menjëherë. Madje pranova të takoja disa nga ata individë. Mjerisht, kjo çoi në sjellje imorale. Lutem që ky artikull t’i ndihmojë të tjerët t’i kursejnë vetes dhembjen dhe ankthin që po kaloj. Netët pa gjumë dhe pamjet që s’më shqiten nga mendja, ma bëjnë çdo ditë të vështirë, por po mbaj një qëndrim të patundur kundër Satanait.
B. R., Shtetet e Bashkuara
Pse më bie të fikët? (prill 2007) Mora zemër kur mësova se nuk jam e vetmja që vuaj nga ky problem. Artikulli më bëri të ndihesha sikur vetë Jehovai po më thoshte: «E di se ç’po të ndodh, prandaj me këtë po të jap zemër.»
I. R., Madagaskar
Diçka më e qëndrueshme se arti (prill 2007) Nuk gjej fjalë të shpreh mirënjohjen për këtë artikull. Për gjashtë vjet drejtova dy studio fotografike të famshme. E kisha pasion punën, pasi më jepte mundësi të shpalosja krijimtarinë time. Megjithatë kuptova që ndërsa suksesi dhe fama në punë rritej, shërbimi ndaj Jehovait po vakej. Isha kaq e dhënë pas artit, saqë nuk më mbetej kohë për asgjë tjetër. E dija se diçka duhej ndryshuar. Kështu, lashë punën dhe u përfshiva më shumë në aktivitetet që lidhen me adhurimin. Kënaqësia dhe gëzimi që ndieja kur bëja fotografi të bukura as që krahasohen me gëzimin që më jep shërbimi i krishterë.
A. P., Shtetet e Bashkuara
Të rinjtë pyesin . . . A është njeriu i duhur për mua? (maj 2007) Kohët e fundit fillova të ndieja për dikë dhe mendoja se ishte njeriu i përshtatshëm për mua. Por, kur lexova artikullin, kuptova se cilësitë që pëlqeja tek ai nuk ishin ato më të rëndësishmet. Artikulli më ndihmoi të kuptoja se cilësitë frymore të një bashkëshorti të mundshëm dhe mënyra si i trajton të tjerët janë të parat. Falënderoj Jehovain për artikuj si ky që na mbrojnë dhe na drejtojnë ne të rinjve.
E. P., Shtetet e Bashkuara
Njihuni me banorët e Timorit Lindor (maj 2007) E përpiva këtë artikull. Për herë të parë dëgjova për këtë vend në lajme ku thuhej se atje kishte trazira. Pas kësaj isha në merak si po e përballonin situatën banorët e Timorit Lindor dhe si po ndikonte te vepra e predikimit e Dëshmitarëve të Jehovait. Më habiti qëndrimi i këtyre njerëzve që nuk mposhten nga mizoria përreth, por vazhdojnë jetën plot energji. S’do ta harroj qëndrimin e paepur të popullit të Timorit Lindor dhe buzëqeshjet me gjithë shpirt të Jakobit dhe familjes së tij.
J. M., Japoni