Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
▪ Në një anketë të Shteteve të Bashkuara, «njëzet e nëntë për qind e burrave thanë se gjatë jetës kishin kryer marrëdhënie seksuale me 15 partnere a më shumë, ndërkohë që vetëm 9% e grave thanë se kishin kryer marrëdhënie me 15 a më shumë partnerë».—QENDRAT AMERIKANE PËR KONTROLLIMIN DHE PARANDALIMIN E SËMUNDJEVE.
▪ Në Greqi, «62 për qind e fëmijëve nën 16 vjeç pranojnë se kanë futur materiale pornografike në celularët e tyre».—ELEFTHEROTYPIA, GREQI.
▪ Në Britani, 82 për qind e njerëzve të anketuar e shohin «fenë si shkak përçarjesh dhe tensioni».—THE GUARDIAN, BRITANI.
Dhembje koke për 64 vjet
Më në fund një grua kineze zbuloi nga se i vinte «dhembja e vazhdueshme e kokës» që e kishte munduar për më se 60 vjet. Mjekët i nxorën nga koka një plumb 3 cm të gjatë. Gruaja u plagos në kokë në moshën 13-vjeçare kur japonezët pushtuan një fshat në provincën Sinji në shtator të vitit 1943. Askujt s‘ia merrte mendja nga i vinte kjo dhembje. Agjencia e Lajmeve Ksinhua thotë se, kur dhembja e kokës iu bë më e shpeshtë, bëri një grafi, dhe kështu u zbulua plumbi. Raportohet se gruaja, tani 77-vjeçare, është «në gjendje të mirë».
Balena jetëgjatë
Kur gjuetarët vendës të Alaskës vranë një balenë të Grënlandës në vitin 2007, i gjetën në trup majën dhe pjesë të një fuzhnje të vjetër. Sipas gazetës The Boston Globe u kuptua se këto ishin «pjesë të një heshte plasëse të prodhuar në Nju–Bedford [Masaçusets, SHBA] në fund të viteve 1800». Kjo lloj heshte doli shpejt nga përdorimi, prandaj historianët e Muzeut të Gjuetisë së Balenave në Nju–Bedford arritën në përfundimin se balenës i kishin gjuajtur «diku mes viteve 1885 dhe 1895». Pra, ajo duhet të ishte të paktën 115 vjeçe kur e vranë. Sipas gazetës Globe, ky zbulim është «provë e mëtejshme për idenë e përhapur se balena e Grënlandës është ndër gjitarët më jetëgjatë në tokë, që mund të jetojë edhe 150 vjet».
Pyll shiu i fosilizuar
Gjeologët kanë gjetur nëntokë një pyll shiu gjigant të fosilizuar që ka një larmi marramendëse bimësh të zhdukura, disa prej të cilave arrinin mbi 40 metra. Ky pyll i pashoq gjendet në galeritë e një miniere qymyrguri, në Ilinois, SHBA. Shkencëtarët mendojnë se pylli përfundoi thellë nëntokë si pasojë e një tërmeti katastrofik. «Mbetesh pa fjalë,—thotë Bill DiMikele, drejtuesi i ekipit të kërkimeve që e bëri të njohur këtë zbulim.—Mund ta përfytyrojmë pyllin sikur të ishim duke ecur vërtet nëpër të.»
Gërmojnë për verëra të vjetra
Sipas gazetës Kathimerini—Botimi në anglisht, sa vjen e rritet numri i njerëzve që shkojnë në Maqedoni «për të gërmuar për verëra të vjetra që lanë . . . trupat aleate gjatë Luftës I Botërore». Të pajisur me harta, vizitorët, që vijnë kryesisht nga Franca, gërmojnë në depot e braktisura të ushtrisë. Çdo verë që gjendet sot atje, është të paktën 90-vjeçare dhe, sipas gazetës, «një shishe e ruajtur mirë mund të shitet . . . edhe 2.000 euro (2.675 dollarë)». Vendësit që kanë gjetur verë dhe konjak thonë se «gjë më të mirë nuk kishin provuar kurrë».