Pse quhet Ishulli i Madh?
Pse quhet Ishulli i Madh?
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË HAVAI
ÇFARË u vjen ndër mend njerëzve kur përmenden ishujt Havai? Ndoshta plazhet me rërë të bardhë, ujërat e kristalta, palmat që përkunden dhe netët e ngrohta në tendat prej kashte ku drita e pishtarëve sjell nota romantike. Shtoju këtyre banketin polinezian luau plot e përplot me ushqime karakteristike, si: ananasë, poi, salmonë lomilomi dhe sigurisht derr kalua, e ja tek kemi një tablo të plotë. E ç’mund të kërkosh më shumë?!
Po ja që në Havai mjaft veta shijojnë ku e ku më shumë se kaq. Para së gjithash Havai quhet Ishulli i Madh, sepse mund t’i nxërë fare mirë të gjithë ishujt e tjerë kryesorë të ishujve Havai—Oahun, Mauin dhe Kauain. Ky ishull mahnitës zë mbi 10.432 km2 dhe po zgjerohet ende. Por për këtë do të flasim më tej.
Vendndodhja dhe klima
Meqë është ishulli më jugor, Ishulli i Madh ka një klimë të butë. Në zonat turistike bregdetare temperaturat mesatare gjatë ditës lëvizin nga rreth 27 gradë celsius në verë (maj deri në tetor) në rreth 21 gradë celsius në dimër (nëntor deri në prill), kurse natën zakonisht lëvizin nga 15 deri në 18 gradë celsius. Në përgjithësi krahina e Konës, e cila ndodhet në anën e ishullit të mbrojtur nga era, ka më shumë diell, kurse zona e Hilos, në anën që e rreh era, ka shumë më tepër shira.
Klima tropikale e dheu i pasur vullkanik, krijojnë kushtet që të rriten një bollëk frutash e perimesh. Mangot e shijshme, papajat, arrat liçe dhe fruta të tjera ekzotike rriten me shumicë bashkë me orkidetë e lule të tjera të bukura. Lulëzojnë edhe arrat makadamia dhe bimët e kafesë. Kafeja e Konës është e famshme në mbarë botën. Tregtarët e kafesë dynden vit për vit nga çdo cep i globit në Festën e Kafesë së Konës për ta shijuar dhe për të bërë porositë.
Ishulli i Madh ka një larmi zonash klimatike, duke përfshirë pyjet e shiut, shkretëtirat dhe tundrat. Pyjet e shiut shtrihen në lindje, në pjesën me shira të ishullit. Ky është vendi i shumë zogjve ekzotikë, i fiereve dhe i lloj-lloj orkidesh. Mesatarja e reshjeve shkon nga rreth 25 cm në vit në krahinën e Kona-Kohalës, në më shumë se 250 cm në vit në zonën e Hilos.
Kilaua—Një vullkan veprues, por i zbutur
Ishulli ka pesë vullkane të mëdha: Mauna-Loa, Mauna-Kea, Kilaua, Kohala dhe Hualalaji. Emri Kilaua do të thotë «vjell shumë». Në vitin 1979, Kilaua u zgjua me një shpërthim spektakolar. Që nga viti 1983 lava e tij e zjarrtë ka vërshuar thuajse pareshtur. Ajo ka rrënuar tri qytete bregdetare, por ka krijuar qindra hektarë tokë të re.
Lava arrin në oqean me vrumbullima e fërshëllima dhe krijon shtëllunga të mëdha avulli e tymi, si edhe re e plazhe me rërë të zezë. Zakonisht nuk është e rrezikshme ta shohësh nga afër Kilauan.
Vullkani i fjetur Mauna-Kea, i lartë 4.205 m, është mali më i lartë i ishullit dhe ia kalon fare pak Mauna-Loas, që arrin në 4.169 m. Megjithatë po të matet nga rrëza e tij që ndodhet në fund të oqeanit, Mauna-Kea ngrihet mbi 9.000 m dhe është mali më i lartë në botë. Nga ana tjetër, Mauna-Loa dallohet pasi është mali më masiv në botë me një vëllim prej 40.000 km3.
Larmi argëtimesh
Në dimër, shpesh bora mbulon Mauna-Kean, prandaj ky mal është i denjë për emrin që i kanë vënë, Mali i Bardhë. Disa banorë shkojnë atje për ski, ndonëse është e rrezikshme në këto shpate shkëmbore. Sot, 13 nga teleskopët më të fuqishëm të botës, që u përkasin rreth 11 vendeve, gjenden tok në majë të Rezervatit Shkencor të Mauna-Keas.
Brigjet e Ishullit të Madh ziejnë nga aktivitetet. Gjithë vitin mund të dëfrehesh me sportet në ujë, pasi ajri dhe uji mbeten të ngrohtë. Ka plazhe të bardha mjaft të preferuara në zonat turistike, por ka edhe plazhe të veçuara ku shpesh shkojnë vetëm ata që pëlqejnë marshimet ose që kanë fuoristradë.
Ishulli i Madh është vërtet i bekuar me shumë dhurata—madhësia, vendndodhja, klima dhe veçoritë e tjera gjeografike. Njerëzit atje janë miqësorë, të dashur e mezi presin të tregojnë mikpritjen e ngrohtë havajane.
[Harta në faqen 16]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
NIHAU
KAUAI
OAHU
HONOLULU
MOLOKAI
MAUI
LANAI
KAHOOLAVI
HAVAI
Hilo
Kohala
Mauna-Kea
Hualalaji
Mauna-Loa
Kilaua
[Figura në faqet 16, 17]
Mauna-Kea në sfond
[Burimi i figurës në faqen 17]
U.S. Geological Survey/Fotografi nga T.J. Takahashi