Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Vizitë në vendin e banjave termale

Vizitë në vendin e banjave termale

Vizitë në vendin e banjave termale

MË SHUMË se 2.000 vjet më parë, keltët ngritën një koloni pranë disa burimeve minerale dhe e quajtën Ak-Ink, që do të thotë «ujë me bollëk». Sot Ak-Inku njihet si Budapesti, kryeqyteti i Hungarisë, dhe një nga qytetet më të lashta të Evropës. Kolonizatorëve të hershëm u pëlqente që, herë pas here, të kridheshin në burimet me ujë të ngrohtë që i çlodhnin e u qetësonin dhembjet.

Në shekullin e parë të erës sonë, kjo pjesë e Evropës ra nën sundimin e Romës. Romakët e zgjeruan këtë koloni dhe ndërtuan aty një kamp ushtarak që e quajtën «Akuinkum». Mendohet se emri vjen nga fjala kelte «ujë» ose nga shprehja në latinisht akua kuinkue, që do të thotë «pesë ujërat». Romakët ndërtuan ujësjellës, sisteme të ujërave të zeza dhe banja termale private e publike. Pra, banjat termale të Budapestit kanë një histori të gjatë.

Do të kalonin shekuj pas rënies së Perandorisë Romake që banjat termale të bëheshin sërish të famshme. Shkrimtarët e shekullit të 15-të i lavdëronin banjat termale afër kryeqytetit të Hungarisë dhe ai u bë me nam. Thuhet se mbreti Matia Korvini, që sundoi në Hungari nga viti 1458 deri në vitin 1490, e lidhi burimin e tij mineral të preferuar, banjën termale «Raç», me kështjellën mbretërore me anë të një korridori të mbuluar. Kështu, atje mund të shkohej sido që të ishte moti.

Gjatë shekujve 16 dhe 17, turqit pushtuan pjesën më të madhe të Hungarisë, përfshirë edhe kryeqytetin. Ata ndërtuan banja me avull dhe banja me ujë të nxehtë, që luajnë një rol të rëndësishëm në larjen ceremoniale islame dhe janë pjesë thelbësore e jetës shoqërore turke. Banjat e mrekullueshme të turqve ishin pishina me shkallë përqark e me çati në formë kubeje. Uji arrinte gjer në sup. Rreth e qark pishinave kishte vaska dhe vende çlodhjeje që përdoreshin herë nga burrat, herë nga gratë. Disa prej këtyre banjave përdoren ende sot.

Më 1673, një vepër rreth udhëtimeve i përshkroi llixhat e zonës që sot quhet Budapest, si ndër më fantastiket në Evropë, falë «burimeve të bollshme termale dhe vetive kuruese, si dhe madhësisë e arkitekturës së bukur të ndërtesave». Në shekullin e 19-të, llixhat e atjeshme u pasuruan kur nisi të përdorej banja finlandeze me avull ose sauna. Me kalimin e kohës, llixhave të Budapestit iu shtuan edhe saunat, dhomat me avull dhe pishinat me ujë të ftohtë.

Ndërtimi gjeologjik i zonës

Rreth 70 milionë litra ujë në ditë gufojnë nga 123 burimet e nxehta dhe 400 burimet me ujë të hidhur në Budapest. Nga vjen gjithë ky ujë? Përgjigjja gjendet në ndërtimin gjeologjik të zonës.

Lumi Danub, i cili rrjedh përmes Budapestit, ndan kodrat e Budës në bregun e tij perëndimor nga ultësirat e Pestit në bregun lindor. Dikur në të kaluarën e largët deti mbulonte këtë zonë dhe aty u depozituan gurë gëlqerorë dhe dolomite. Këta shkëmbinj u mbuluan nga shtresa argjile, mergeli, rëre dhe qymyrguri.

Plasaritjet në sipërfaqen e tokës bëjnë që reshjet të depërtojnë thellë në tokë, ku nxehen nga shkëmbinjtë e nxehtë të pasur me minerale. Pastaj uji vërshon tërë avull e presion në sipërfaqe, përmes plasaritjeve ose puseve.

Kjo dukuri gjeologjike, vërehet jo vetëm në Budapest, por edhe në mbarë Hungarinë. Prandaj shumë zona në këtë vend janë plot burime të pasura me minerale dhe banja termale të bukura që, siç mendojnë disa, kanë veti mjekësore dhe shëruese. *

Burimet termale janë vlerësuar prej kohësh në shumë pjesë të botës. Madje, në kohën e patriarkëve të Biblës u shkrua për zbulimin e burimeve të tilla në shkretëtirën e Seirit që gjendet midis Detit të Vdekur dhe gjirit të Akabës.​—Zanafilla 36:24.

Njeriu ende ka shumë për të mësuar për kompleksitetin e planetit ku jeton. Për shembull, si i vuri themelet e tokës Perëndia dhe si i bëri të gjitha gjërat e mrekullueshme në të? Kur bluajnë në mendje pyetje të tilla, njerëzit që besojnë te Perëndia admirojnë mençurinë e papërshkrueshme të Krijuesit.​—Jobi 38:4-6; Romakëve 1:20.

[Shënimi]

^ par. 11 Zgjohuni! nuk përkrah ndonjë trajtim mjekësor të veçantë.

[Figura në faqet 24, 25]

Banjë termale në hotelin «Gelert»

[Figura në faqen 24]

Banjat termale «Rudosh», të ndërtuara nga turqit

[Figura në faqet 24, 25]

Banjat termale «Seçenji» në dimër

[Burimi e figurës në faqen 24]

Të gjitha fotografitë: me mirësjellje nga Zyra e Turizmit të Budapestit