Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Zakone të lashta në Meksikën e sotme

Zakone të lashta në Meksikën e sotme

Zakone të lashta në Meksikën e sotme

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË MEKSIKË

SOT në Meksikë, krahas celularit dhe Internetit, gjen edhe zakone e bindje të hershme fetare. Në rrjedhën e shekujve, disa zakone të indianëve u përzien me katolicizmin. Këto tradita ende spikatin në mënyrën si adhurojnë katolikët e Meksikës.

Për shembull, çdo vit më 2 nëntor, shumë njerëz në Meksikë shkojnë në varreza për të kremtuar Ditën e të Gjithë Shpirtrave, të quajtur ndryshe Dita e të vdekurve. Atje lihen lule, ushqime dhe pije alkoolike për të afërmit e vdekur. Madje disa marrin grupe muzikore që të luajnë këngët që i pëlqenin të ndjerit. Shumë katolikë ndërtojnë edhe një altar në shtëpitë e tyre dhe mbi të mund të vënë një fotografi të të vdekurit.

Vëllimi Enciclopedia de México thotë se disa praktika që lidhen me kremtimin e kësaj dite, me sa duket, «kanë ruajtur veçori të ceremonive indiane të muajve oçpaniztli dhe teotleko, gjatë së cilave manesave [shpirtrave të të vdekurve] u ofroheshin lule kempasuçil, si dhe një gatim me mish e miell misri në atë periudhë të vitit kur sapo ishin mbledhur të mbjellat​—në fund të tetorit dhe në fillim të nëntorit». Siç vëren enciklopedia, disa nga traditat pasqyrojnë festime të ngjashme të kohës para pushtimit spanjoll, ku ndihej edhe një atmosferë karnavalesh.

Adhurimi i Virgjëreshës

Për katolikët e Meksikës, 12 dhjetori është ditë e shenjtë. Atë ditë, mijëra njerëz nga shtetet e Meksikës bëjnë pelegrinazh në kishën e Virgjëreshës së Guadalupes, që ndodhet në faqen e kodrës së Tepejakut, Meksiko. Shumë veta ecin me ditë të tëra dhe rrugës i luten Virgjëreshës. Kur mbërrijnë, e kanë si zakon të hyjnë në kishë të gjunjëzuar (sipër) dhe të çojnë trëndafila.

Shëmbëlltyrat e Virgjëreshës së Guadalupes i gjen edhe nëpër shtëpi, si dhe në stacione autobusi e në vende të tjera publike. Virgjëreshës së Guadalupes i kanë vënë titujt «Nëna e Perëndisë» dhe «Zeshkania e vogël e Tepejakut». Që nga shekulli i 16-të, shpesh besimtarët kanë thënë se ajo ka kryer shërime dhe mrekulli të tjera.

Rrënjët e adhurimit të Virgjëreshës

Adhurimi i një perëndie femër, si edhe veçori të tjera të kësaj dite ishin karakteristikë e adhurimit të perëndisë-nënë të actekëve, Kihuaguatlit, të quajtur edhe Tonacin, që do të thotë «nëna jonë e vogël». Libri México a través de los siglos (Meksika ndër shekuj) thotë se actekët e lashtë e sollën këtë perëndi, si dhe të birin Uicilopoçtli, në Tenoçtitlan, kryeqyteti i dikurshëm i Perandorisë Acteke, sot qyteti i Meksikos.

Tempulli kushtuar Kihuaguatlit, që gjendet në kodrën e Tepejakut, u shkatërrua nga spanjollët. Sipas gojëdhënave, më pak se 40 vjet pasi Kolombi shkeli në këtë kontinent, Virgjëresha e Guadalupes iu shfaq këtu një indiani vendës, Huan Diegos. Thuhet se ajo kërkoi t’i ngrihej atje një shenjtërore.

Kihuaguatli adhurohej shumë nga actekët. Nga sa thuhet, ajo kishte flokë të gjatë e të lëshuar dhe fustan krejt të bardhë. Tempulli i saj e kishte hyrjen kaq të ulët saqë mund të futeshe vetëm në gjunjë. Sapo hynte, besimtari shihte statujën e saj rrethuar nga idhuj që e bënin të dukej «nëna . . . e perëndive».

Në festën e Kihuaguatlit flijoheshin njerëz, kërcehej dhe bëhej një paradë luftëtarësh që kishin «trëndafila në duar, rreth qafës dhe në kokë». Këto dhurata liheshin në majë të tempullit si blatime për Uicilopoçtlin. Disa indianë, përfshirë edhe shumë nga Guatemala, ecnin më shumë se 1.500 km për në festën e Kihuaguatlit.

A ka rëndësi origjina?

Është e qartë se adhurimi i shëmbëlltyrave katolike të Virgjëreshës së Guadalupes i ka rrënjët në ritet e njerëzve që nuk adhuronin Perëndinë e vërtetë të Biblës. (Psalmi 83:18) A ndryshon gjë kjo? A ka rëndësi origjina e një forme adhurimi?

Apostulli Pavël dha një këshillë të mençur për këtë: «Mos u futni nën të njëjtën zgjedhë me jobesimtarët. . . . Ç’harmoni ka mes Krishtit dhe Belialit? Apo ç’pjesë ka një besimtar me një jobesimtar?» Pavli tha edhe: «Sigurohuni për të gjitha gjërat, mbani fort atë që është e shkëlqyer.»​—2 Korintasve 6:14, 15; 1 Selanikasve 5:21.

Këto nxitje janë me vend edhe sot. Duhet të mendojmë thellë për adhurimin që i bëjmë Perëndisë dhe të pyesim veten: ‘A përputhet forma ime e adhurimit me mësimet e Fjalës së Perëndisë, Biblës? Apo ndoshta, disa veçori të saj i kanë rrënjët te mënyra si adhuronin ata që u shërbenin perëndive të rreme?’ Një njeri që dëshiron t’i pëlqejë Jehovait, Perëndisë së vërtetë, tregohet i mençur nëse kërkon përgjigjet e këtyre pyetjeve.

[Figura në faqen 23]

Pelegrinët mbërrijnë në kishën e Virgjëreshës së Guadalupes

[Figura në faqen 23]

Muzikantë në varreza, më 2 nëntor