Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë pret Perëndia nga ti?

Çfarë pret Perëndia nga ti?

Pikëpamja e Biblës

Çfarë pret Perëndia nga ti?

RITMI i vrullshëm i jetës na streson me kërkesat e shumta. Nganjëherë është vërtet një luftë të përmbushim të gjitha detyrimet tona. Gjithsesi, duhet të mbajmë në mendje se vetë jeta është një dhuratë nga Perëndia. (Psalmi 36:9) Sa kohë dhe energji pret Perëndia që t’i kushtojmë atij? Përgjigjja e Biblës është e arsyeshme, dhe kjo na jep zemër.

Jezui e dinte më mirë se kushdo tjetër se çfarë pret Ati i tij nga njerëzit. (Mateu 11:27) Kur e pyetën cili ishte urdhërimi më i madh, Jezui tha: «Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde dhe me gjithë forcën tënde.» (Marku 12:30) Ç’do të thotë kjo? A po kërkohet tepër?

Ç’do të thotë ta duash me gjithë shpirt Perëndinë?

Dashuria jonë për Perëndinë rritet kur meditojmë për mirësinë e pakufishme ndaj nesh. Nëse dashuria jonë është me gjithë shpirt, do të na nxitë t’i japim Perëndisë më të mirën e gjithçkaje që kemi. Do të ndihemi si një shkrimtar i Biblës që pyeti: «Si t’ia kthej Jehovait gjithë të mirat që më ka bërë?» (Psalmi 116:12) Si ndikon dashuria për Perëndinë te mënyra si e shfrytëzojmë kohën?

Bibla nuk na dikton se sa orë në javë duhet t’i kushtojmë adhurimit të Perëndisë. Sidoqoftë, ajo tregon se cilat veprimtari duhet të vëmë në vend të parë dhe shpjegon arsyet. Për shembull, Jezui mësoi se të marrësh njohuri për Perëndinë është një hap thelbësor që çon drejt ‘jetës së përhershme’. (Gjoni 17:3) Gjithashtu, ai tha se dishepujt e tij duhet t’i ndihmojnë ata që nuk e njohin Perëndinë të fitojnë jetën, duke u mësuar rreth Perëndisë. (Mateu 28:19, 20) Bibla na udhëzon të mblidhemi rregullisht me bashkëbesimtarët që të na forcohet besimi dhe të inkurajojmë njëri-tjetrin. (Hebrenjve 10:24, 25) Të gjitha këto aktivitete duan kohë.

A pret Perëndia që ne të jetojmë si fanatikë, pra të mos merremi me asgjë tjetër në jetë, por vetëm me fe? Absolutisht jo! Edhe gjërat e jetës së përditshme kërkojnë vëmendje. Bibla i udhëzon kryefamiljarët që të plotësojnë nevojat e familjeve të tyre. Ajo thotë: «Nëse dikush nuk siguron gjërat e nevojshme për të vetët, e sidomos për pjesëtarët e shtëpisë së vet, ai . . . është më i keq se një njeri pa besim.»​—1 Timoteut 5:8.

Perëndia e krijoi njeriun me aftësinë për të gëzuar jetën. Kështu, është më se e përshtatshme të kalojmë kohë me familjen dhe miqtë tanë, duke u kënaqur me ushqim të shijshëm dhe zbavitje të dobishme. Mbreti Solomon shkroi: «Kam arritur të kuptoj se s’ka gjë më të mirë për ta, se të gëzojnë dhe të bëjnë mirë gjatë jetës së tyre; dhe që çdo njeri të hajë e të pijë e të shohë të mira për gjithë mundin e tij. Është dhuratë nga Perëndia.»​—Eklisiastiu 3:12, 13.

Perëndia Jehova i kupton edhe kufizimet tona si njerëz, pasi «nuk harron që jemi pluhur». (Psalmi 103:14) Bibla tregon se kemi nevojë të pushojmë mjaftueshëm. Pas një periudhe plot aktivitete, Jezui i ftoi dishepujt të shkonin ‘veçmas në një vend të vetmuar dhe të pushonin pak’.​—Marku 6:31.

Pra, jeta që i pëlqen Perëndisë është e drejtpeshuar dhe përfshin larmi aktivitetesh. Megjithatë, gjithçka që bëjmë​—e lidhur drejtpërdrejt me adhurimin ose jo​—duhet të pasqyrojë dashurinë tonë me gjithë shpirt për Perëndinë. Bibla këshillon: «Nëse hani, nëse pini apo nëse bëni diçka tjetër, gjithçka bëjeni për lavdi të Perëndisë.»​—1 Korintasve 10:31.

Si të vëmë gjërat kryesore në vend të parë?

A është jorealiste ose përtej mundësive të vëmë në vend të parë adhurimin e Perëndisë? Është e vërtetë se, për t’i dhënë Perëndisë atë që pret nga ne, mund të duhen ndryshime, madje sakrifica, në mënyrën si e shfrytëzojmë kohën. Por sigurisht që Krijuesi ynë i dashur nuk na ka kërkuar të pamundurën. Ç’është e vërteta ai na jep ndihmë me bollëk për të bërë vullnetin e tij. Mund t’ia dalim mbanë po të mbështetemi te «forca që jep Perëndia».​—1 Pjetrit 4:11.

Mund të jetë disi stresuese ta përshtatësh programin që të përfshish edhe veprimtari që lidhen me besimin. Rezervo shpesh kohë për të folur me Perëndinë Jehova, ‘Dëgjuesin e lutjes’. (Psalmi 65:2) Në lutje, mund të shprehësh çdo ankth që ke duke ditur se ‘ai interesohet për ty’. (1 Pjetrit 5:7) Mbreti David u lut: «Më mëso të bëj vullnetin tënd, sepse ti je Perëndia im.» (Psalmi 143:10) Edhe ti mund t’i kërkosh Perëndisë ndihmë për të bërë ndryshimet e nevojshme në jetë.

Bibla na bën këtë ftesë të ngrohtë: «Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet.» (Jakovi 4:8) Ndërsa fillon të marrësh pjesë në veprimtari që i pëlqejnë Perëndisë, siç është studimi i Biblës dhe pjesëmarrja në mbledhjet e krishtere, do t’i afrohesh atij. Nga ana tjetër, ai do të të japë forcë të bësh përparim të mëtejshëm.

Jelena, që po studion Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, tregon përpjekjet e saj për të vënë në vend të parë gjërat kryesore. Ajo thotë: «Për mua s’ka qenë një fjalë goje.» Por shton: «Pasi fillova të ndjek mbledhjet e krishtere, mora forcë për të zbatuar atë që thotë Bibla. Më ndihmoi edhe përkrahja e pareshtur e të tjerëve.» Gjithashtu, kur shijon dobitë që vijnë ndërsa i shërben Perëndisë, merr krahë. (Efesianëve 6:10) Jelena thotë: «Kam bërë përmirësime në marrëdhënien me tim shoq dhe në mënyrën si i disiplinoj fëmijët.»

Fryma e shenjtë dhe e fuqishme e Jehovait mund të të forcojë dhe të të motivojë të peshosh cilat janë gjërat kryesore në jetë dhe ‘të blesh kohën’ që t’i shërbesh Perëndisë, pavarësisht nga streset e jetës sot. (Efesianëve 3:16; 5:15-17) Jezui tha: «Ato që janë të pamundura për njerëzit, janë të mundura për Perëndinë.»​—Luka 18:27.

A E DINI?

▪ Pse duhet ta vësh në vend të parë në jetë vullnetin e Perëndisë?​—Psalmi 116:12; Marku 12:30.

▪ Në cilat veprimtari pret Perëndia që të marrësh pjesë?​—Mateu 28:19, 20; Gjoni 17:3; Hebrenjve 10:24, 25.

▪ Si t’ia dalësh të vësh në vend të parë gjërat kryesore që t’i pëlqesh Perëndisë?​—Efesianëve 5:15-17; Jakovi 4:8.

[Figura në faqen 20]

Duhet ekuilibër për t’i pëlqyer Perëndisë