Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ditët e fundit për çfarë?

Ditët e fundit për çfarë?

Ditët e fundit për çfarë?

BIBLA ka folur shumë kohë më parë për «ditët e fundit» dhe për «kohën e fundit». (2 Timoteut 3:1; Danieli 12:4) Para më shumë se 2.500 vjetësh, profetit Daniel iu shfaqën në vegime fuqitë botërore dhe konfliktet që do të ndodhnin mes tyre deri në «kohën e fundit». Një engjëll i tha se domethënia e këtyre vegimeve do të qartësohej në kohën e fundit. (Danieli 8:17, 19; 11:35, 40; 12:9) Danieli shkroi më tej: «Në ditët e atyre mbretërve, Perëndia i qiellit do të vendosë një mbretëri që nuk do të shkatërrohet kurrë. Kjo mbretëri nuk do t’i kalojë asnjë populli tjetër. Ajo do të thërrmojë dhe do t’u japë fund të gjitha këtyre mbretërive, dhe vetë do të qëndrojë përgjithmonë.»​—Danieli 2:44.

Jezu Krishti përmendi ‘fundin’ kur iu përgjigj pyetjes për ‘shenjën e pranisë [së tij] dhe të përfundimit të sistemit’. (Mateu 24:3-42) Me sa duket, si Danieli, ashtu edhe Jezui po flitnin për përfundimin e diçkaje​—për një ndryshim rrënjësor që do të ndikonte te njerëzit që jetojnë apo që kanë jetuar në tokë. Danieli shkroi për fundin e të gjitha qeverive botërore. Jezui foli për ‘përfundimin e sistemit’.

A duhet t’ju interesojë domethënia e shprehjes ‘ditët e fundit’? Patjetër. Të gjithë njerëzve duhet t’u interesojë, pasi të tërë jemi të përfshirë. Megjithatë, shumë veta nuk e marrin seriozisht këtë çështje. Bibla paratha: «Në ditët e fundit do të vijnë tallës, që do të tallen e do të vazhdojnë të ecin sipas dëshirave të veta, dhe do të thonë: ‘Ku është kjo prania e tij e premtuar?! Se ja, që nga dita që paraardhësit tanë ranë në gjumin e vdekjes, të gjitha gjërat po vazhdojnë tamam si nga fillimi i krijimit.’» (2 Pjetrit 3:3, 4) Po, sot disa mendojnë se historia thjesht përsëritet dhe se jeta do të vazhdojë pafundësisht kështu siç është.

A ka ndonjë provë se po jetojmë vërtet në atë periudhë që Bibla e quan ‘ditët e fundit’? Le ta shohim në artikujt vijues.