Ditët e fundit po më pas?
Ditët e fundit po më pas?
DISA njerëz dridhen kur mendojnë për «ditët e fundit». (2 Timoteut 3:1) Ata i përfytyrojnë ato vetëm si kohë kritike. Përse atëherë gjatë shekujve shumë veta mezi i kanë pritur këto ditë? Sepse ditët e fundit nënkuptojnë edhe se do të vijnë kohë më të mira.
Për shembull, sër Isak Njutoni ishte i bindur se koha e fundit do të sillte një epokë të re paqeje dhe begatie mbarëbotërore, nën Sundimin Mijëvjeçar të Mbretërisë së Perëndisë. Ai tha se profecitë e Mikesë 4:3 dhe të Isaisë 2:4 do të përmbusheshin në atë kohë: «Ata do t’i farkëtojnë shpatat duke i kthyer në plore dhe heshtat në kiza për krasitje. Kombet nuk do ta ngrenë shpatën kundër njëri-tjetrit, dhe as do të mësojnë më të luftojnë.»
Kur foli për kohën e fundit, Jezui i nxiti dishepujt e tij që të kishin një qëndrim pozitiv. Pasi foli për vështirësitë, ankthet dhe frikën që do të mbizotëronin gjatë shtrëngimit të madh, ai tha: «Kur të fillojnë të ndodhin këto gjëra, drejtoni trupin dhe ngrini kokën lart, sepse çlirimi juaj po afrohet.» (Luka 21:28) Për çfarë çlirimi e kishte fjalën?
Premtimet e Perëndisë
Luftërat, konfliktet civile, krimi, dhuna dhe uria janë vetëm pak nga gjërat që sot kanë pllakosur njerëzimin dhe bëjnë që miliona veta të jetojnë me frikë e ankth. A ju ka prekur edhe ju ndonjë nga këto plagë? Nëse po, vini re çfarë premton Perëndia:
«Edhe pak dhe i ligu nuk do të jetë më . . . Zemërbutët do të trashëgojnë tokën dhe do të kënaqen pa masë me paqen e pafund.»—Psalmi 37:10, 11.
«Populli im do të banojë në një vend paqësor, në banesa plotësisht të sigurta e në vende pushimi të qeta.»—Isaia 32:18.
«[Jehovai] i pushon luftërat deri në skaj të dheut; thyen harkun dhe e bën copë-copë heshtën; karrocat i djeg në zjarr.»—Psalmi 46:9.
«Kanë për t’u ulur secili nën hardhinë e vet dhe nën fikun e vet, dhe askush nuk do t’i trembë.»—Mikea 4:4.
«Në tokë do të ketë drithë me bollëk, edhe në majat e maleve drithi do të vërshojë.»—Psalmi 72:16.
«Ai që më dëgjon, do të banojë i sigurt dhe i patrazuar nga tmerri i gjëmës.»—Proverbat 1:33.
Edhe sikur të jetojmë në ndonjë vend ku kushtet e jetesës janë relativisht të kënaqshme, prapëseprapë të gjithëve do të na duhet të përballemi me sëmundjet dhe vdekjen. Edhe këto do
të zhduken në botën e re që do të sjellë Perëndia. Pra, mund të kemi edhe shpresën për të parë përsëri njerëzit tanë të dashur që kanë vdekur. Shqyrtoni këto shkrime:«Asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë.’»—Isaia 33:24.
«[Perëndia] do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme shkuan.»—Zbulesa 21:4.
«Armiku i fundit që do të asgjësohet, është vdekja.»—1 Korintasve 15:26.
«Po vjen ora, kur të gjithë ata që janë në varre, do ta dëgjojnë zërin [e Jezuit] dhe do të dalin.»—Gjoni 5:28, 29.
Apostulli Pjetër i përmblodhi bukur të gjitha këto, kur shkroi: «Sipas premtimit të tij, ne presim qiej të rinj e një tokë të re, dhe në ta do të banojë drejtësia.» (2 Pjetrit 3:13) Mirëpo, që në mbarë botën të ketë drejtësi, duhet të hiqet kushdo që do ta trazonte këtë gjendje. Kjo vlen edhe për kombet që ekzistojnë sot e që shkaktojnë shumë konflikte e gjakderdhje duke rendur me egoizëm pas interesave të veta. Të gjitha sundimet njerëzore do të zëvendësohen me sundimin e Mbretërisë së Perëndisë nën drejtimin e Krishtit. Në lidhje me atë sundim, na është dhënë kjo siguri: «Sundimi i tij i madh princëror dhe paqja nuk do të kenë fund në fronin e Davidit dhe në mbretërinë e tij, që ajo të vendoset patundshmërisht dhe të qëndrojë me anë të drejtësisë dhe veprave të drejta që tani e në përjetësi. Këtë do ta bëjë zelli i Jehovait të ushtrive.»—Isaia 9:7.
Kjo mund të jetë e ardhmja juaj, sepse Bibla na siguron: «Vullneti i [Perëndisë] është që njerëz të çdo lloji të shpëtojnë dhe të fitojnë njohurinë e saktë të së vërtetës.» (1 Timoteut 2:4) Mos humbni kohë. Merrni njohurinë që do t’ju sjellë jetën e përhershme. (Gjoni 17:3) Hidhni hapin e parë duke u lidhur me botuesit e kësaj reviste e duke kërkuar një studim biblik pa pagesë në shtëpi.
[Figurat në faqet 8, 9]
Ju mund të keni shpresën për të jetuar përgjithmonë në Parajsën që do të vijë këtu në tokë, duke gëzuar shëndet të përsosur dhe paqe