Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Lëngu i florinjtë i Mesdheut

Lëngu i florinjtë i Mesdheut

Lëngu i florinjtë i Mesdheut

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË SPANJË

«I gjelbër isha, u bëra i zi. Kur më shtypën për merak, dhashë një lëng si flori.»​—Gjëegjëzë tradicionale spanjolle.

KUR ulliri piqet në pemë, nga i gjelbër merr një të zezë të ndritshme. Por, nën cipën e errët fshihet «floriri» që pret ta nxjerrin prej andej. Kur shtypen, ullinjtë e pjekur lëshojnë një lëng të florinjtë që prej mijëra vjetësh ka hijeshuar tryezat e familjeve mesdhetare. Lëngu i florinjtë​—vaji i ullirit​—është një prodhim i çmuar i pemëve të ullirit që mbulojnë si qilim faqet e kodrave nga Portugalia në Siri.

Vaji i këtyre pemëve të forta, jo vetëm shijohet me ëndje, por edhe të bën mirë për shëndetin. Me fjalën «vaj», mesdhetarët ngaherë kanë nënkuptuar «vajin e ullirit». Ç’është e vërteta, fjala spanjolle për «vajin», aseite, vjen nga fjala arabe azeit, që do të thotë «lëng ulliri». E tamam kështu është vaji i ullirit: lëng safi që del nga ullinjtë e shtypur. Meqë vaji del nga ullinjtë dhe s’ka nevojë t’i shtosh diçka ose ta trajtosh kimikisht, ai ruan të gjitha vetitë natyrore, shijen dhe aromën e ullirit.

Lëngu i florinjtë që s’ka të dytë

Historiania Erla Zuingel shpjegon se vaji i ullirit është «vlerësuar ndër shekuj si ushqim, lëndë djegëse, balsam e për qëllime fetare». Sot, siç shton ajo, «ndër të gjitha vajrat s’ka të dytë si lëngu i florinjtë i ullirit». Për mijëra vjet procesi i thjeshtë i nxjerrjes së vajit të ullirit ka mbetur po ai. Në fillim vjelësit i shkundin degët e pemëve me shkopinj që ullinjtë të bien përtokë ku më pas i mbledhin. Pastaj, ullinjtë me gjithë bërthamë shtypen në mulli. Më tej hiqen bërsitë. Në fund, në një enë të madhe, vaji i ullirit ndahet nga uji dhe është gati për t’u konsumuar. *

Por ndryshe nga ari, vaji i ullirit është thuajse po aq i larmishëm sa verërat. Në mbarë botën kultivohen një miliard rrënjë ulliri. * Specialistët e hortikulturës i kanë klasifikuar ullinjtë në më shumë se 680 varietete. Përveç ndryshimit në varietet, te shija, ngjyra dhe aroma e ullirit ndikojnë edhe faktorë të tillë si: dheu, moti, koha e vjeljes (nëntor-shkurt) dhe procesi i nxjerrjes. Ekipe profesionistësh që vlerësojnë shijen, i ndajnë shijet e vajit në: të ëmbël, djegëse, të fortë dhe të harmonishme. Ata sigurohen që të ruhet cilësia e prodhimit përfundimtar.

Klima mesdhetare favorizon kultivimin e ullinjve. Kështu që, afro 95 për qind e të gjithë vajit që prodhohet në botë vjen nga pellgu i Mesdheut. Udhëtarëve u zë syri ullishte që mbulojnë faqet e kodrave në Greqi, Itali, Marok, Portugali, Spanjë, Siri, Tunizi dhe Turqi. Produkti me vlera që vjen nga ullinjtë mund të quhet «lëngu i florinjtë i Mesdheut».

Përbërës i shëndetshëm i ushqimit mesdhetar

Për shekuj me radhë, vaji i ullirit ka lezetuar shumë gatime karakteristike të kuzhinës mesdhetare. Ai mund të përdoret për të skuqur, marinuar ose për shije. Duke folur për rëndësinë e vajit të ullirit në kuzhinën spanjolle, kryekuzhinieri Hose-Garsia Marin pohon: «Një produkt që përdoret prej 4.000 vjetësh, s’ka si të mos jetë i mirë. Veç kësaj, falë metodave të kujdesshme të prodhimit, vitet e fundit është përmirësuar cilësia e këtij ‘nektari’.»

Prej kohësh, kërkuesit kanë vërejtur se dieta tradicionale mesdhetare është shumë e dobishme për shëndetin. * Së fundi, specialistët e ushqimit organizuan Konferencën Ndërkombëtare për Dobitë Shëndetësore të Vajit të Virgjër të Ullirit. Ata nxorën si përfundim se dieta mesdhetare ku përfshihet vaji i virgjër i ullirit, ndihmon për një shëndet më të mirë dhe një jetë më të gjatë. Një dietë e pasur me vaj të virgjër ulliri mund të ulë rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe të kancerit. «Në të gjitha vendet ku njerëzit kanë dietën tipike mesdhetare . . . në të cilën vaji i virgjër i ullirit është yndyra kryesore,​—thanë specialistët,​—përqindja e rasteve me kancer është më e ulët se në vendet e Evropës Veriore.»

Mund të ketë shumë arsye për këto dobi shëndetësore. Një prej tyre mund të jetë se vaji i ullirit ka shumë acid oleik (deri në 80 për qind), i cili ndikon për mirë në sistemin e qarkullimit të gjakut. Për më tepër, meqë nuk trajtohet kimikisht dhe nuk i shtohen konservues, ai i ruan vitaminat, yndyrnat mono-të-pangopura dhe përbërësit e tjerë natyrorë të ullirit të pjekur.

Falë vetive antioksiduese të përbërësve të tij më të vegjël, si vitamina E dhe polifenolet (përbërës aromatikë), vaji i ullirit mbron dhe e bën elastike lëkurën. Prandaj ai përdoret dendur për artikuj kozmetikë, locione, shampo dhe sapunë. Grekët dhe romakët e lashtë përdornin vaj ulliri me bimë për pastrimin dhe zbutjen e lëkurës. Më vonë në shekullin e 6-të, mjeshtrat francezë filluan të bënin sapunë me vaj ulliri duke e përzierë vajin me hirin e bimëve të detit.

Vaji i ullirit në kohët biblike

Në kohët biblike, vaji i ullirit përdorej dendur si ushqim, produkt kozmetik, lëndë djegëse, ilaç dhe për qëllime të tjera. Bibla e përmend më shumë se 250 herë vajin e ullirit, qoftë më vete, qoftë si përbërës kryesor të vajrave të parfumuara.

Shkrimet e tregojnë qartë rolin e rëndësishëm që luante vaji i ullirit në jetën e një familjeje izraelite tipike. Ishte një përbërës bazë i ushqimit të tyre dhe bollëku i vajit ishte shenjë begatie. (Joeli 2:24) Si gratë, edhe burrat e përdornin vajin e ullirit për trajtimin e lëkurës. Përpara se të takonte Boazin, Rutha ‘u lye me vaj’. (Rutha 3:3) Edhe mbreti David pas shtatë ditësh agjërimi, «u ngrit nga toka, u la, u lye me vaj, ndërroi mantelin, vajti në shtëpinë e Jehovait».​—2 Samuelit 12:20.

Në lashtësi, që llambat të rrinin ndezur, duhej një sasi e mirë vaj ulliri. (Mateu 25:1-12) ‘Vaji i kulluar prej ullinjsh të shtypur’, përdorej për të ndriçuar tabernakullin në shkretëtirë. (Levitiku 24:2) Në kohën e mbretit Solomon, vaji i ullirit ishte bërë një artikull i rëndësishëm në tregtinë ndërkombëtare. (1 Mbretërve 5:10, 11) Profetët i mirosnin mbretërit me këtë vaj. (1 Samuelit 10:1) Për të treguar mikpritje të përzemërt, të zotët e shtëpisë ua lyenin mysafirëve kokën me vaj. (Luka 7:44-46) Në ilustrimin e Jezuit, samaritani i gjindshëm ia leu plagët me vaj dhe verë një burri që ishte plagosur.​—Luka 10:33, 34.

Në Shkrime, këshillat qetësuese dhe ngushëllimi krahasohen me vajin, meqë përdorej shumë për mjekim. Dishepulli i krishterë Jakov shkroi: «A ka mes jush ndonjë të sëmurë? Le të thërrasë pranë vetes pleqtë e kongregacionit dhe ata le të luten për të, duke e lyer me vaj në emër të Jehovait. E lutja e besimit do ta shërojë të pamundurin, dhe Jehovai do ta ngrejë.»​—Jakovi 5:14, 15.

Prodhimet e begata të pemës së ullirit nuk janë aspak jetëshkurtra. Një pemë e vetme ulliri mund t’i japë të zotit tre deri në katër litra vaj në vit për shekuj të tërë. S’ka pikë dyshimi: ky lëng i florinjtë na bën mirë për shëndetin, qetëson lëkurën dhe i rrit vlerat ushqimit.

[Shënimet]

^ par. 7 Vetëm vaji i ullirit i virgjër i cilësisë së lartë dhe vaji i virgjër, janë vajra safi që dalin nga kokrrat e ullirit. Vaji i ullirit i rafinuar ose i zakonshëm, si dhe vaji i bërsisë së ullirit trajtohen kimikisht për të neutralizuar shijen e fortë.

^ par. 8 Këto rrënjë prodhojnë rreth 1,7 miliardë litra vaj çdo vit.

^ par. 12 Zakonisht pjesë e kësaj diete janë edhe frutat e zarzavatet.

[Kutia në faqen 19]

Ja ç’duhet të dini për vajin e ullirit

▪ Vaji i ullirit i ruan vlerat deri në 18 muaj.

▪ Drita i dëmton përbërësit, prandaj vaji duhet të mbahet në vende të errëta e të freskëta.

▪ Vaji i ullirit i humbet antioksiduesit po të skuqet me të më shumë se një herë.

▪ Specialistët e ushqimit këshillojnë se, për të përfituar plotësisht nga vlerat shëndetësore të vajit të ullirit, njerëzit duhet ta përdorin atë gjithë jetën.

▪ Dobitë shëndetësore të vajit të ullirit rriten kur përdoret si element bazë i dietës mesdhetare që është e pasur me peshk, perime, bishtajore dhe fruta.

[Figurat në faqet 16, 17]

Procesi tradicional i nxjerrjes së vajit të ullirit

Punëtorët shkundin degët për të mbledhur ullinjtë

Gurët e mullirit shtypin kokrrat me gjithë bërthamë

Kjo makineri ndan vajin nga bërsitë

Vaji i ullirit del nga përzierësi

[Burimi]

Gurët e mullirit dhe makineria: Museo del Olivar y el Aceite de Baena

[Figura në faqen 18]

Sipër: ullishte shekullore

[Figura në faqen 18]

Djathtas: llambë e lashtë me vaj ulliri

[Burimi]

Llamba: Museo del Olivar y el Aceite de Baena

[Figura në faqen 18]

Më djathtas: ilustrimi i Jezuit për dhjetë virgjëreshat me llambat me vaj