Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Leksion për operën

Leksion për operën

Leksion për operën

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË ITALI

Këngëtari rri drejt në këmbë, lirshëm, me kokën lart, gjoksin para, me ballin, buzët dhe gojën të shtendosura. Pasi orkestra bën një hyrje të shkurtër, tenori nis të këndojë një arie të shumëpritur. Notat rrjedhin me një lirshmëri të dukshme, ndërsa zëri duket sikur buron nga diku tjetër, jashtë trupit të këngëtarit. Një gjëmim duartrokitjesh shpërthen kur aria mbaron.

Opera është një dramë teatrale e interpretuar nga aktorë që këndojnë dhe e shoqëruar nga një muzikë orkestrale. A ju pëlqejnë operat? A keni pasur mundësi të ndiqni një shfaqje të tillë në teatrin e operës? Si mendoni, cili është sekreti i zërave të bukur të këngëtarëve të operës?

Zëri​—Një instrument muzikor

Zëri është një dhuratë e mrekullueshme nga Perëndia dhe me të drejtë është quajtur një instrument muzikor. Ndonëse pakkush mund të ketë zërin e një këngëtari operash, për shuma veta kënga është pjesë e jetës që vjen pothuajse po aq natyrshëm sa e ngrëna dhe fjetja. Keni ose jo zë të bukur për të kënduar, pa dyshim do t’ju pëlqente të shikonit më nga afër se si funksionon ky «instrument».

Laringu, që ndodhet në mes të fytit, është organi që prodhon tingujt. Ai përbëhet nga një mur kërcor që rrethon një zgavër ku gjenden dy pala të vogla muskujsh​—kordat e zërit. Si prodhohen tingujt? Gjatë një frymëmarrjeje normale kordat e zërit shtendosen dhe formojnë një të çarë trekëndore në skërfyell, e njohur si glotë. Kur këndoni, shtohet sasia e ajrit që çan përmes laringut, glota ngushtohet dhe kordat e zërit dridhen duke prodhuar tingujt. Sa më shumë të tendosen kordat, aq më e madhe është shpeshtësia e dridhjeve dhe lartësia e tingullit që prodhohet. Nga ana tjetër, ulja e presionit të ajrit dhe shtendosja e kordave të zërit e zgjeron hapësirën e glotës, duke pakësuar shpeshtësinë e dridhjeve dhe bën që tingujt të jenë më të mbyllur.

Teknika dhe fiziku

Kur ishte i ri, Enriko Karuzo kishte një zë të shkëlqyer; megjithatë i mungonte forca. Zëri iu forcua duke u ushtruar. Një zë i bukur është dhunti e lindur, por në opera ka rëndësi edhe teknika. Këngëtari duhet të mësojë si të marrë frymë, që të ketë një sasi të mjaftueshme ajri e më pas të mësojë si ta kontrollojë. Thuhet se këngëtari i famshëm i shekullit të 18-të Karlo Broski, i njohur si Farineli, mund të këndonte në këtë mënyrë 150 nota me një frymëmarrje.

Gjithashtu, këngëtarët e operës duhet të mësojnë të amplifikojnë zërin duke përdorur aftësitë rikumbuese të trupit. Sipas disa ekspertëve, për notat më të ulëta këtë rol e luajnë kockat e kraharorit, kurse për të notat më të larta këtë rol e bëjnë nofullat dhe zgavrat kockore të fytyrës.

Shumë veta mendojnë se të kënduarit është vetëm një funksion i fytit. Mirëpo, me të drejtë, është thënë se këndon i gjithë trupi, në kuptimin se janë të përfshira të gjitha energjitë e personit. Duhet mbajtur një ekuilibër i përsosur në koordinimin e tensionit muskulor të të gjitha pjesëve të trupit. Pra, që të këndosh opera duhen goxha përpjekje fizike dhe energji, dhe ndoshta për këtë arsye disa këngëtarë të operës janë të bëshëm. Maria Kalas ishte një nga këngëtaret e operës më të famshme të gjithë shekullit të 20-të, mirëpo shumë besojnë se rënia e shpejtë në peshë, për shkak të një diete të rreptë, i shkaktoi prishjen e zërit.

Ndryshime në opera

Me kalim e kohës, të kënduarit në opera ka pësuar ndryshime në stil dhe teknikë. Ja nja dy shembuj. Kur operat nisën të mos këndoheshin më nëpër kisha apo ambiente të tjera të vogla, por në teatro operash, mënyra e butë, delikate dhe pa shumë përpjekje e të kënduarit, u zëvendësua nga një mënyrë të kënduari e përforcuar nga përdorimi i aftësive rikumbuese të trupit. Këtë ndryshim e përforcoi më tej kalimi nga orkestrat e vogla që përdorte Moxarti në orkestrat shumë më të mëdha që përdorën, për shembull, Verdi dhe Vagneri. Në shekujt e 17-të dhe 18-të, si dhe në një pjesë të shekullit të 19-të, orkestra kishte një rol më të vogël se virtuoziteti apo aftësia teknike e këngëtarëve. Stili që karakterizoi gjysmën e dytë të shekullit të 19-të dhe fillimin e shekullit të 20-të ishte krejt i ndryshëm. Në këtë periudhë, ndonëse kishte ende rëndësi, zëri u bë vetëm një nga elementët thelbësorë të operës.

Potenciali i operës u dha hov krijimeve muzikore. Kompozitorë të tillë, si Paizielo, Çimaroza, Gluku, Moxarti, Donixeti, Rosini, Belini, Vagneri, Verdi, Puçini, Bizeja, Mejerberi dhe Maskanji, për të përmendur disa nga më të famshmit, kompozuan pjesë të paharrueshme që ngjallin emocione të thella.

Abuzime në emër të muzikës

Në historinë e operës ka pasur edhe momente të errëta. Mendoni, për shembull, për «kastratët», të cilët për më shumë se një shekull patën një rol thelbësor në operën italiane. * Djem të rinj i tridhnin para periudhës së pubertetit që të ruanin zërat e tyre me tonalitet të lartë, me shtrirje dhe forcë të rrallë. Sipas Guido Tartonit, një praktikë të tillë e ushqeu «Kisha, e cila i ndalonte gratë . . . të këndonin në ambientet e saj».

Disa këngëtarë të njohur të operës janë bërë yje dhe disa nga admiruesit e tyre i kanë adhuruar. Funerali i Luçiano Pavarotit ishte një shembull i këtij adhurimi. Maria Kalas u quajt La Divina (Hyjnorja) dhe Xhoun Sjudhëlënd u quajt La Stupenda (E mrekullueshmja). Sidoqoftë, nëse opera ka arritur njëfarë popullariteti, kjo është rrjedhojë e aftësisë së saj për të ndezur publikun.

Mbase ndonjë ditë do të dëgjoni një soprano të këndojë një arie të famshme. Nëse kjo ndodh, ndaluni dhe mendoni për ushtrimin dhe disiplinën që duhen për t’i dhënë jetë atij zëri të bukur. Kjo mund t’ju shtyjë të nisni ta shihni operën ashtu si një shkrimtar, i cili e quajti një mënyrë «për të lidhur fjalët me muzikën dhe për t’i dhënë poezisë . . . flatrat e melodisë».

[Shënimi]

^ par. 16 Për informacione të mëtejshme për «kastratët» shihni revistën Zgjohuni! të 8 shkurtit 1996, faqet 11-14, anglisht.

[Kutia dhe figura në faqen 12]

DISA KLASIFIKIME ZËRASH

Soprano koloraturë: Zë femëror që arrin të kapë me lehtësi nota të shpejta e të larta. Këngëtarja shpesh luan personazhe të gjalla dhe komike.

Soprano lirike: Zë femëror më i pasur. Këngëtarja luan rolin e një personazhi sentimental ose romantik.

Soprano dramatike: Zë femëror edhe më i plotë. Zakonisht këngëtares i jepet roli i një personazhi dramatik.

Mexosoprano: Zë femëror më i pasur dhe më i plotë se sopranoja dramatike. Shpesh këngëtarja luan rolin e një gruaje të moshuar ose të rivales së sopranos.

Kontralto: Zë i rrallë femëror. Këngëtarja luan të njëjtat personazhe si mexosopranoja.

Tenori: Zë mashkullor me karakteristika të ngjashme si të sopranos​—i lehtë, lirik, dramatik. Shpesh këngëtari luan rolin e të dashurit ose të personazhit kryesor.

Baritoni: Ky është një zë i ndërmjetëm mes tenorit dhe basit. Këngëtari luan rolin e vëllait, babait ose të rivalit.

Basi: Zëri më i plotë mashkullor, i cili ndahet në tri kategori: buffo, cantante dhe profondo. I pari është i përshtatshëm për personazhe të gjalla dhe komike; i dyti për role sentimentale; dhe i treti për personazhe që përcjellin ndjenja të forta.

[Figura në faqen 10]

Skenë operash

[Figura në faqen 10]

Teatër operash

[Burimet e figurave në faqen 10]

Skenë: Filip Groshongu për Operën e Sinsinatit; teatri i operas: me mirësjellje nga Zyra e Turizmit e Budapestit