Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Lundrim në ujërat e Keralës

Lundrim në ujërat e Keralës

Lundrim në ujërat e Keralës

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË INDI

PËRFYTYRONI sikur po lundroni në një varkë-shtëpi të mobiluar me shije që ju shëtit në deltat e 44 lumenjve. Këtë mund ta provoni në ujërat e shtetit të Keralës në jugperëndim të Indisë, që zgjaten për 900 km. Është një përvojë e gëzueshme dhe e pashoqe, është si të lundrosh në prehrin e natyrës. Ndërsa varka lëviz përtueshëm, s’ka si të mos kundrosh tërë admirim lagunat me palma kokosi përqark, orizoret plot gjelbërim, liqenet natyrore dhe kanalet e bëra nga njeriu. Ndoshta, për shkak të këtyre ujërave revista National Geographic Traveler e renditi Keralën «ndër 50 vendet e para ‘që duhen parë se s’bën në jetë’».

Mos lini t’ju ikë rasti pa takuar vendësit që jetojnë në brigjet e kanaleve të shumta. Atyre u kujtohet se dikur aty nuk kishte as turistë, as hotele me pesë yje. Sidoqoftë, jeta e tyre s’ka ndryshuar dhe aq. Vërtet që disa janë punësuar në hotele të reja ose në struktura të tjera turistike, por, në thelb, kultura dhe rutina e përditshme kanë mbetur po ato. Ata kujdesen për orizoret e zabelet me palma kokosi dhe, për të shtuar ca ushqimin e të ardhurat, peshkojnë dhe shesin peshq.

Peshkimi në ujërat e Keralës

Këtu peshkimi është pjesë e jetës. Një pamje që s’e sheh gjetkë, janë gratë që zënë me duar peshq me njolla ngjyrë perle që quhen kariminë. Këta peshq të cilët nuk gjenden tjetërkund, janë ushqim i preferuar si për indianët, edhe për të huajt. Në kërkim të peshqve, gratë çajnë përmes ujit dhe pas tyre pluskojnë enët metalike. Me të parë gratë që afrohen, peshqit zhyten dhe e futin kokën në baltë. Por s’ua hedhin dot grave, që me këmbët e ndjeshme ecin nëpër baltë dhe e gjejnë peshkun. Pastaj, përkulen rrufeshëm në ujë, mbërthejnë gjahun e zënë në befasi dhe, ndërkohë që ai përpëlitet, e futin tek enët që pluskojnë. Kur shohin që kanë kapur boll, çajnë për në breg ku blerësit mezi i presin. Peshqit më të mëdhenj e më të shtrenjtë përfundojnë në hotelet me pesë yje, ku kënaqin të pasurit. Kurse më të vegjlit janë një vakt i shijshëm për ata me të ardhura modeste.

Rrjetat kineze të peshkimit

Një pamje tipike e këtyre brigjeve janë rrjetat e hijshme të stilit kinez. Këto bëjnë për vete edhe turistët.

Mendohet se tregtarët kinezë të oborrit të Kublai Kanit ishin të parët që i sollën këto rrjeta në Kokin (sot Koki) para vitit 1400. Këto mjete peshkimi që manovrohen me dorë, u përdorën fillimisht nga kinezët dhe më vonë nga kolonizatorët portugezë. Ashtu si 600 vjet më parë, edhe sot shumë peshkatarë indianë e nxjerrin bukën e gojës falë tyre dhe mjaft njerëz të tjerë shtojnë ushqimin në tryezë. Për habi, me peshqit e zënë në një rrjetë mund të ushqehet një fshat i tërë. Pamja romantike e rrjetave që thahen me perëndimin e diellit në sfond, zënë një vend të veçantë në albumin fotografik të shumë turistëve.

Por nuk është vetëm pamja e rrjetave kineze ajo që i josh turistët drejt ujërave të Keralës. Edhe veprimtaritë ujore, si garat tradicionale me varkat-gjarpër, tërheqin mijëra veta çdo vit.

Garat me varka

Varkat-gjarpër janë kanoe të gjata hollake. Kiçi ka formën e kokës së kobrës, prej nga ka marrë emrin varkë-gjarpër. Në të kaluarën mbretërit kundërshtarë i përdornin këto varka për luftërat që bënin pas mbledhjes së prodhimit. Kur më në fund luftërat pushuan, ato nuk nevojiteshin dhe aq. Vetëm gjatë festave të tempullit, këto varka madhështore shkonin e vinin nëpër ujëra. Tërë pompozitet, ato mirëpritnin ekuipazhin, stoliseshin dhe ekspozoheshin si perla të kulturës vendëse. Gjatë periudhave festive, garat me varka organizoheshin për nder të personaliteteve të shquara që ishin të pranishëm. Kjo traditë, që zuri fill rreth një mijë vjet më parë, është e përhapur edhe sot.

Zakonisht, jo pak, por nja 20 varka futen në garë, ku secila vihet në lëvizje nga 100 deri në 150 burra. Më shumë se njëqind burra me lopata të shkurtra ulen në dy rreshta përgjatë varkës. Katër burra me lopata më të gjata rrinë në këmbë në kiç dhe drejtojnë varkën. Dy të tjerë, qëndrojnë në mes dhe me shkopinj i bien një vegle si tambur që rremtarët të mbajnë ritmin. Nxitja bëhet edhe më e fortë nga të paktën gjashtë burra të tjerë që duartrokasin, fërshëllejnë, bërtasin dhe këndojnë këngët tipike të varkëtarëve, për t’i dhënë zemër ekuipazhit që të ndjekë ritmin. Pasi kanë vozitur sipas ritmit, burrat i japin me sa kanë fuqi drejt vijës së finishit dhe gara bëhet spektakolare.

Më 1952-shin, kryeministri i Indisë Javaharlal Nehru, vizitoi Alepin, një qytet kryesor buzë ujërave të Keralës, dhe i la mjaft mbresë një garë që pa atje. Ç’është e vërteta, ai mbeti kaq i mrekulluar sa nuk pyeti për masat e sigurisë, por u hodh në varkën fituese teksa duartrokiste e këndonte bashkë me rremtarët. Kur u kthye në Delhi, ai dërgoi si dhuratë një varkë-gjarpër prej argjendi me firmën e tij dhe me një mbishkrim ku thuhej: «Fituesve të garës me varka​—veçori unike e jetës shoqërore.» Kjo varkë argjendi shërben si trofe për Garën e Trofeut Nehru që bëhet çdo vit. Rreth njëqind mijë njerëz dynden për të parë këtë garë. Në këtë periudhë, ujërat e paqta të Keralës marrin jetë.

Hotele luksoze që pluskojnë e lundrojnë

Varkat-gjarpër nuk janë të vetmet mjete lundrimi që bëjnë për vete turistët. Po përhapen gjithnjë e më shumë edhe varkat e orizit, varka të stilit të vjetër të kthyera në varka-shtëpi luksoze.

Ndonëse shumë nga ato që përdorin turistët janë të ndërtuara rishtazi, ka edhe varka orizi që janë mbi njëqindvjeçare dhe janë përshtatur për turizëm. Dikur ato njiheshin si ketuvalam, që do të thotë «varkë me nyje». E gjithë varka është e ndërtuar me dërrasa që bashkohen me litarë prej fibrash arre kokosi, të lidhur nyje. Nuk përdoret as edhe një gozhdë. Këto varka përdoreshin për të transportuar oriz dhe gjëra të tjera nga një fshat në tjetrin, si edhe për të çuar erëza në vende të largëta. Pasi dolën mjetet moderne të transportit, varkat s’hynin dhe aq në punë. Por një sipërmarrësi mendjehollë i lindi ideja t’i kthente ato në varka-shtëpi për turizëm. Me ballkon, dhoma gjumi luksoze të pajisura me banjë dhe dhoma ndenjjeje të mobiluara bukur, këto varka-shtëpi mund të quhen hotele pluskuese. Ka edhe shërbëtorë që mund ta çojnë varkën ku të doni dhe të gatuajnë ç’ju ka ënda.

Kur bie mbrëmja, varkat hedhin spirancën afër bregut, kurse për ata që dëshirojnë më shumë paqe dhe intimitet, ndalen në zemër të liqenit. Atje mund të shijojnë qetësinë magjepsëse që e trazon vetëm pllaquritja e ndonjë peshku të pagjumë.

Sidoqoftë, jo kudo në ujërat e Keralës ritmi i jetës rrjedh kaq shtruar. ‘Peshkatarët e njerëzve’ rrinë zgjuar dhe punojnë me zell këtyre anëve.

‘Peshkojnë njerëz’ në ujërat e Keralës

Shprehja «peshkatarë njerëzish» vjen nga fjalët që Jezui u tha peshkatarëve që u bënë dishepuj të tij. Ai tha: «Ejani pas meje dhe unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish.» Jezui po fliste për veprën me anë të së cilës njerëzit do të bëheshin dishepuj të tij. (Mateu 4:18, 19; 28:19, 20) Këtë detyrë po e përmbushin Dëshmitarët e Jehovait anekënd botës, edhe ata që jetojnë buzë ujërave të Keralës.

Në Keralë ka 132 kongregacione të Dëshmitarëve të Jehovait, duke përfshirë 13 kongregacionet në brigjet e ujërave. Shumë pjesëtarë të këtyre kongregacioneve e kanë zanat peshkimin. Një herë, ndërsa kishte dalë për peshk, një prej tyre foli për Mbretërinë e Perëndisë me një peshkatar tjetër. Shpejt ai dalloi ndryshimin midis mësimeve të kishës së tij dhe Biblës. Edhe e shoqja dhe katër fëmijët treguan interes. Me ta u fillua një studim biblik. Përparuan shpejt dhe katër nga kjo familje janë pagëzuar. Dy nga fëmijët po shkojnë drejt atij synimi.

Pjesëtarët e një kongregacioni shkuan me varkë në një ishull të vogël për të predikuar. Meqë atje mund të shkosh e të kthehesh vetëm me varka të rastit, vendësit e quajnë ishullin kadmakudi, që do të thotë «po hyre, ngece». Atje Dëshmitarët takuan Xhonin dhe të shoqen, Raninë. Ndonëse ishin katolikë, ata shkonin në një qendër fetare meditimi dhe jepnin atje të gjitha paratë që mundeshin. Xhoni u interesua shumë për të vërtetën biblike dhe nisi të studionte Biblën. Ai zu të fliste për besimin e ri me të tjerët. E vërteta e Biblës e ndihmoi të linte duhanin dhe të mos e tepronte me alkoolin.

Puna e Xhonit binte ndesh me Shkrimet, kështu ai bëri ndryshime. Në fillim kjo i solli familjes vështirësi ekonomike. Por s’kaloi shumë, e Xhoni nisi të zinte gaforre dhe i shiste që të mbante familjen. U pagëzua në shtator të 2006-s, kurse gruaja dhe fëmijët vitin pasues. Perspektiva e jetës së përhershme në një parajsë mbarëbotërore ua ka ndryshuar kryekëput pikëpamjen për jetën.​—Psalmi 97:1; 1 Gjoni 2:17.

Është vërtet një kënaqësi të shëtitësh ujërave të Keralës. Jo vetëm për rrjetat kineze, varkat-gjarpër dhe varkat-shtëpi, por edhe për të takuar ‘peshkatarët e njerëzve’, Dëshmitarët besnikë të Jehovait që jetojnë atje.

[Harta në faqet 22, 23]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

INDI

KERALË

[Figura në faqen 23]

Në Keralë, peshkimi është pjesë e jetës

[Burimi]

Fotografia sipër: Salim Pushpanath

[Figura në faqen 23]

Gratë zënë peshq me duar

[Figura në faqen 24]

Garë me varkë-gjarpër

[Figura në faqen 24]

«Ketuvalam»

[Figura në faqet 24, 25]

Varkë-shtëpi

[Figura në faqet 24, 25]

Xhoni me të shoqen, Raninë

[Burimi i figurës në faqen 24]

Salim Pushpanath