Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
▪ Në gjashtë vitet e fundit, «afro 100.000 veta . . . janë vrarë në Shtetet e Bashkuara».—THE NEW YORK TIMES, SHBA.
▪ Një rrjet shoqëror në Internet u ka hequr të drejtën e përdorimit 29.000 të dënuarve për krime seksuale që ishin anëtarë të tij. «Shpërthimi i epidemisë së anëtarësimit të autorëve të krimeve seksuale në [sit], është një thirrje e fortë për të vepruar»,—thotë Prokurori i Përgjithshëm i Kënektikatit, Riçard Blumentali.—AGJENCIA E LAJMEVE ROJTERS, SHBA.
▪ «Kina është në krizë për mbiemra. . . . Një sondazh në shkallë kombëtare në vitin 2006, tregoi se rreth 85 për qind . . . e 1,4 miliardë banorëve të Kinës, kanë vetëm 100 mbiemra.»—CHINA DAILY, KINË.
▪ Për çdo kilometër, «motoçiklistët rrezikojnë 32 herë më shumë të vdesin» në aksidentet rrugore, sesa ata që udhëtojnë me makina.—UC BERKELEY WELLNESS LETTER, SHBA.
Dëshmitarët e Jehovait njihen ligjërisht në Turqi
Më 31 korrik 2007, Dëshmitarët e Jehovait në Turqi morën njoftimin zyrtar se njiheshin si ent fetar i ligjshëm. Ky status u jep mundësi të blejnë e të zotërojnë prona, të marrin me qira vende për mbledhje, të pranojnë kontribute dhe të mbrojnë të drejtat e tyre ligjore në gjyq kur është e nevojshme.
Interneti «largon ndrojtjen»
Sipas një njoftimi për shtyp, në një sit gjerman të krijuar për ta bërë më të lehtë jobesnikërinë bashkëshortore, thuhej se kishte 310.000 përdorues dhe çdo ditë shtoheshin 1.000 veta. Agjencia krenohej se krijonte mundësi për lidhje jashtëmartesore duke e ruajtur «100 për qind anonimitetin». Një nga drejtuesit thoshte se «anonimiteti në Internet largon ndrojtjen» dhe e bën «më të lehtë komunikimin e sinqertë dhe të hapur». Një drejtues tjetër shprehu bindjen se Interneti do ta përhapë edhe më shumë jobesnikërinë.
Fosile problematike
Shkencëtarët shpesh i përshkruajnë «fazat» përfundimtare të «evolucionit të njeriut» si kalim nga Homo habilis te Homo erectus e deri te «njeriu i sotëm», Homo sapiens. Megjithatë, në Kenia janë zbuluar dy fosile jo larg njëra-tjetrës. Sipas shkencëtarëve, këto tregojnë se llojet Homo habilis dhe Homo erectus që mendohet se janë paraardhës të njeriut, jetuan në të njëjtën kohë. Miv Liki, një autore e këtij raporti, thotë: «Bashkekzistenca e tyre e bën të pamundur që Homo erectus të ketë evoluar nga Homo habilis.»
A prishet koha në fundjavë?
Shumë gjermanë dyshojnë se në fundjavë koha është më e keqe se gjatë javës. Sipas revistës Der Spiegel, analiza e të dhënave për motin e 15 viteve në vende të ndryshme të Gjermanisë, mund të provojë se dyshimi i tyre është i vërtetë. Dita më e ngrohtë është e mërkura, kurse më e freskëta e shtuna. Të shtunave bie 15 për qind më shumë shi dhe 10 për qind më shpesh sesa të hënave, që janë ditët më të thata. Të martave ka mesatarisht 15 minuta më shumë diell sesa të shtunave. Studiuesit mendojnë se gazet që lëshohen në atmosferë nga aktiviteti i njeriut gjatë javës, grumbullohen në fundjavë. Këto pasqyrojnë dritën e diellit dhe, duke krijuar thërrmija ku kondensohen avujt e ujit, ndihmojnë në formimin e reve.