A mund të garantojnë njerëzit një të ardhme të lumtur?
A mund të garantojnë njerëzit një të ardhme të lumtur?
Sapo ke blerë një apartament në një pallat të ri, që duket goxha i fortë dhe i bukur. Kjo ka qenë gjithmonë ëndrra jote! E ardhmja duket fantastike! Por s’kalojnë shumë vite dhe në strukturën e apartamentit shfaqen krisje të mëdha. Të copëtohet zemra. Por s’je i vetmi. Të njëjtat defekte kanë edhe apartamentet e tjera të pallatit. Nga hetimet del se shkaku i problemeve është paaftësia e projektuesit dhe e ndërtuesit të pallatit, si dhe përdorimi i tullave jocilësore. Prandaj, pallati duhet shembur.
NGJASHËM atij pallati, sot bota është në hall të madh. Pavarësisht nga eksperimentet politiko-shoqërore dhe përparimet pothuajse të mrekullueshme në shkencë dhe teknologji, struktura bazë e shoqërisë duket sikur po shpërbëhet. Në disa vende, sundojnë tashmë paligjshmëria dhe anarkia. A do t’i detyrojë dëshpërimi njerëzit që më në fund të zgjidhin problemet dhe të krijojnë një qeveri të mirë? Shqyrtoni se çfarë kanë thënë disa autoritete për historinë e njerëzimit.
«I kemi bërë të gjitha»
Në përpjekje për ta bërë botën një vend më të mirë, mendimtarët, që nga filozofi grek Platoni deri te filozofi politik dhe socialisti Karl Marksi, kanë propozuar pa fund ideologji politike. Rezultati? Një artikull i revistës New Statesman thoshte: «As nuk kemi zhdukur varfërinë dhe as nuk kemi vendosur paqe në botë. Përkundrazi, duket sikur kemi arritur krejt të kundërtën. Nuk kemi lënë asgjë pa bërë. I kemi bërë të gjitha, që nga komunizmi deri te tregu i lirë; që nga Lidhja e Kombeve deri te zhvillimi i armëve bërthamore si mjet për të shkurajuar luftën. Kemi bërë shumë ‘luftëra për t’i dhënë fund luftës’, që të besojmë se dimë si t’i japim fund luftës, dhe qytetet tona duken sikur kanë qenë në një luftë të vazhdueshme.» Artikulli vazhdonte: «E nisëm shekullin [e 20-të] me entuziazëm dhe besim se shkencëtarët do të na shpëtonin, dhe po e përfundojmë duke mos u besuar asnjë fjalë që thonë.»
Në vitin 2001, Erik Hobsbaumi, profesor nderi i historisë ekonomike dhe sociale në Universitetin e Londrës, shkroi se sistemet politike «përballen me një epokë gjatë së cilës aktiviteti i njeriut ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm mbi natyrën dhe globin». Zgjidhja ose zbutja e këtyre problemeve «do të kërkojë marrjen e masave, të cilat është pothuajse e sigurt që nuk do të gjejnë as mbështetjen e votave
dhe as nuk do të kenë parapëlqimin e konsumatorëve. Kjo nuk është aspak inkurajuese për perspektivat afatgjata të demokracisë e të globit».Duke parë se njerëzimi gjendet përballë katastrofës, astrofizikani dhe autori me famë botërore Stivën Hoking shtroi pyetjen: «Si mund të vazhdojë të ekzistojë njerëzimi edhe për 100 vjet të tjerë, në një botë që është në kaos politik, shoqëror dhe mjedisor?»
Pse ka dështuar njerëzimi?
Vetëm Bibla e shpjegon në mënyrë të plotë dështimin total të vetëqeverisjes njerëzore. Së pari, Bibla na bën një përshkrim vërtet të ndershëm të situatës së njerëzimit. Shqyrto, për shembull, këto katër të vërteta themelore.
Të gjithë jemi të papërsosur. «Të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e kanë arritur lavdinë e Perëndisë.» (Romakëve 3:23) Ashtu si tullat jocilësore mund të shkaktojnë dobësimin e strukturës dhe shembjen e një pallati, papërsosmëria e trashëguar e njerëzve bëhet e dukshme në mënyra të ndryshme që mund ta dobësojnë shoqërinë. Këtu përfshihet prirja për korrupsion, pandershmëri, lakmi dhe shpërdorim të pushtetit. Kjo s’është ndonjë gjë e re. Rreth tre mijë vjet më parë, një shkrimtar i mençur i Biblës vërejti: «Njeriu ka sunduar mbi njeriun në dëm të tij.»—Eklisiastiu 8:9.
Qeveritarët dhe sistemi gjyqësor i pranojnë papërsosmëritë e dobësitë e njerëzve, dhe përpiqen të kundërveprojnë me ligje pa fund. Sidoqoftë, ata e bëjnë këtë duke e ditur fare mirë se nuk mund ta detyrojnë me ligj dikë të dojë të tjerët ose të ketë dëshirë t’u bindet ligjeve.
Vdekja na mund të gjithëve. «Mos kini besim te fisnikët, as te ndonjë bir njeriu, që nuk sjell dot shpëtim. Kur fryma [ose forca e jetës] i del, ai kthehet prapë në dhé. Po atë ditë marrin fund mendimet e tij.» (Psalmi 146:3, 4) Mbreti i lashtë i Izraelit, Solomoni, që konsiderohej si një nga sundimtarët më të mençur të të gjitha kohërave, e kuptoi se sa i kotë mund të ishte mundi i tij. «Atëherë e urreva gjithë punën me të cilën isha munduar nën diell e që do t’ia lë atij njeriu që do të vijë pas meje. Kush e di nëse ai do të jetë i mençur apo i marrë? Gjithsesi, ai do të shtjerë në dorë gjithë punën, me të cilën u mundova. . . . Edhe kjo është kotësi.»—Eklisiastiu 2:18, 19.
Nuk kemi mundësi të vetëqeverisemi mirë. «Nuk i përket njeriut udha e tij. Njeriut që ecën, nuk i takon as të drejtojë hapat e vet.» (Jeremia 10:23) Përveç faktit që jemi të papërsosur, Bibla mëson se, në përputhje me qëllimin e tij fillestar, Perëndia nuk u ka dhënë njerëzve as të drejtën për t’u vetëqeverisur dhe as aftësinë për ta bërë këtë siç duhet. Për shembull, pse njerëzit i acaron ideja që një njeri ose një grup njerëzish t’u thotë se çfarë duhet të bëjnë apo të vendosë rregulla morale dhe etike për ta? Përgjigjja është se ne jemi krijuar për të ndjekur në jetë drejtimin e një autoriteti më të lartë se vetja jonë. Ky Autoritet është Perëndia.—Isaia 33:22; Veprat 4:19; 5:29.
Njerëzit ndikohen nga një sundimtar i padukshëm. «E gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut», pra, të Satana Djallit. (1 Gjonit 5:19) Sikur administrata më e lartë e një firme të ishte plotësisht e korruptuar—dhe pa askënd tjetër që të kishte pushtet mbi të—ç’mund të bënin punonjësit e thjeshtë për të ndrequr situatën? Pak, për të mos thënë aspak. E njëjta gjë vlen edhe kur vjen puna për ndreqjen e problemeve të shkaktuara nga sundimtarët e padukshëm të kësaj bote—krijesat frymore të padukshme e të liga që punojnë nën autoritetin e Satanait. Bibla i përshkruan këta sundimtarë si ‘qeveri’, ‘autoritete’, ‘sundimtarë botërorë të kësaj errësire’ dhe ‘forca të liga në vendet qiellore’.—Efesianëve 6:12.
Megjithatë, Bibla nuk mjaftohet vetëm duke paraqitur dështimet e njerëzimit dhe cilët janë sundimtarët e padukshëm të botës. Ajo na jep edhe lajmin e mirë që është zgjidhja e sigurt e të gjitha problemeve tona, duke na dhënë kështu një bazë të fortë për të pasur shpresë.
Krijuesi vjen të na shpëtojë
Të ishte për ne, nuk do ta gjenim kurrë zgjidhjen e problemeve tona. As njeriu më inteligjent, më i fuqishëm ose më i pasur nuk ka fuqinë të ndryshojë qoftë edhe një nga katër të vërtetat e përmendura në këtë artikull. * Por, si do të shohim edhe në artikullin vijues, Krijuesi ynë as nuk na ka harruar dhe as nuk na ka braktisur. Faktikisht, ai që është me të drejtë Sovrani i tokës, do të zhdukë çdo pengesë përgjatë rrugës sonë drejt lumturisë. (1 Gjonit 4:8) Për më tepër, do ta bëjë këtë së shpejti. Si e dimë?
Si shpjegonte numri i kaluar i kësaj reviste, ngjarjet botërore dhe kushtet shoqërore e bëjnë mjaft të dukshme se jemi thellë në «ditët e fundit» të kësaj bote. (2 Timoteut 3:1; Mateu 24:3-7) Jo, fundi nuk të vijë nga një shfarosje bërthamore ose nga përplasja me ndonjë asteroid apo në ndonjë mënyrë tjetër që do të zhdukte pa dallim të mirët e të ligjtë. Përkundrazi, fundi do të jetë rrjedhojë e ndërhyrjes hyjnore që do të ketë si shënjestër sidomos të ligjtë, duke përfshirë edhe ata që këmbëngulin të ruajnë sovranitetin njerëzor. (Psalmi 37:10; 2 Pjetrit 3:7) Njëkohësisht, Perëndia do t’u japë fund të gjitha vuajtjeve që kanë shkaktuar këta kundërshtarë të Perëndisë. *—2 Selanikasve 1:6-9.
Më pas, Krijuesi do të zgjidhë problemin e qeverisjes duke i dhënë autoritet të plotë mbi tokën një qeverie të quajtur ‘mbretëria e Perëndisë’. (Luka 4:43) Siç do të shohim tani, kjo qeveri mbarëbotërore na ndihmon ta shohim të ardhmen nga një këndvështrim plotësisht i ndryshëm.
[Shënimet]
^ par. 17 Shih artikullin «A është filantropia zgjidhja?», në faqen 19.
^ par. 18 Pyetja «Pse i lejon Perëndia vuajtjet?» trajtohet në faqen 106 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Kutia dhe figura në faqen 5]
«TULLAT JOCILËSORE» TË SHOQËRISË NJERËZORE
▪ Të gjithë jemi të papërsosur.
▪ Vdekja na mund të gjithëve.
▪ S’kemi mundësi të vetëqeverisemi mirë.
▪ Njerëzit ndikohen nga një sundimtar i padukshëm.
[Kutia në faqen 6]
NJERËZIT NUK DO TA RRËNOJNË TOKËN!
Bibla jep dëshmi të bollshme se qëllimi i Krijuesit është që toka të jetë shtëpia e sigurt dhe plot paqe e njerëzve që i frikësohen Perëndisë. Shqyrtoni shkrimet e mëposhtme.
«Ti e vendose tokën mbi themele të forta; ajo nuk do të lëkundet asnjëherë, po, kurrën e kurrës.»—Psalmi 104:5.
«E ke bërë tokën të patundur, që të mbetet përgjithnjë.»—Psalmi 119:90.
«Një brez shkon dhe një brez tjetër vjen, por toka qëndron përjetë.»—Eklisiastiu 1:4.
«Toka do të mbushet me njohurinë e Jehovait, ashtu si ujërat mbushin detin.»—Isaia 11:9.
«[Jehovai është] Formuesi i tokës dhe Bërësi i saj, Ai që e ka bërë të patundshme, që nuk e krijoi më kot, por e formoi që të banohej.»—Isaia 45:18.