Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Muzika​—Dhuratë nga Perëndia për zemrën

Muzika​—Dhuratë nga Perëndia për zemrën

Muzika​—Dhuratë nga Perëndia për zemrën

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË SPANJË

MUZIKA ndikon fuqishëm. Ajo na qetëson, na çon zemrën peshë e na ngre humorin. Mund të shprehë gëzimet dhe brengat tona. Ajo vërehet pothuajse te të gjitha kulturat e së shkuarës dhe së tashmes, dhe është gjuha e mendjes dhe zemrës. Po, muzika është vërtet një dhuratë nga Perëndia.​—Zanafilla 4:21.

Që kur kemi lindur, ka shumë mundësi që të gjithë kemi dëgjuar ndonjë lloj muzike. Ndoshta mamaja na këndonte ninulla që të na vinte në gjumë. Gjatë viteve të adoleshencës, marroseshim pas ndonjë muzike që na e çonte zemrën peshë. Shumë prej nesh, edhe pse të rritur, na pëlqen të dëgjojmë muzikë qetësuese në makinë ose në shtëpi në fund të një dite të ngarkuar.

Teksti i një kënge mund të përmbajë disa aspekte të kulturës dhe historisë së një vendi. Izraelitët e lashtë i kremtonin me këngë shumë raste të veçanta. (Dalja 15:1-21; Gjykatësit 5:1-31) Profeti Moisi kompozoi një këngë që përmbante histori dhe këshilla të përzemërta për popullin. (Ligji i përtërirë 32:1-43) Pa dyshim, këto këngë ndihmuan shumë për t’i kujtuar këto aspekte.

Edhe ti mund të kesh prirje për muzikë

Ndoshta po mendon: ‘Unë s’kam vesh për muzikë.’ Mirëpo, mendo pak për zërin tënd. Falë zhdërvjelltësisë së këtij instrumenti të brendshëm, pothuajse çdokush mund të ketë prirje për muzikë e ta shprehë deri në njëfarë mase, me ose pa ndihmën e veglave muzikore. Mjafton vetëm të hapësh gojën e të këndosh, dhe mos u shqetëso nëse të tjerët nuk do të brohorasin për zërin tënd e nuk do të fitosh ndonjë çmim. Praktikohu dhe do të përmirësohesh.

Botimi spanjoll i revistës Psychologies thotë: «Zëri është në kontakt të drejtpërdrejtë me vatrën nga ku burojnë emocionet tona më të thella dhe është instrumenti më i efektshëm për t’i shprehur ato.» «[Të kënduarit] të entuziazmon,​—thotë sopranoja Ajnoa Arteta.​—Këshilloj që, kush ka qejf, të këndojë lirshëm dhe në mënyrë spontane.»

Ngaqë muzika ndikon fuqimisht në zemër, duhet të jemi përzgjedhës. Për shembull, melodi të bukura mund të sheqerosin tekste të shëmtuara që justifikojnë e madje nxitin urrejtjen, imoralitetin ose dhunën​—tema këto që nuk do të ishin zbavitëse për një njeri me parime. (Efes. 4:17-19; 5:3, 4) Fjala e Perëndisë thotë: «Më shumë se gjithçka tjetër që duhet ruajtur, ruaj zemrën, sepse prej saj dalin burimet e jetës.» (Proverbat 4:23) Po, zgjedhja e muzikës nuk është një çështje e parëndësishme. *

Muzika e mirë mund të jetë ilaç

Një libër thotë: «Një arsye pse muzika ekziston pothuajse në çdo kulturë, [është] aftësia e saj për të dhënë e ruajtur shëndetin e mirëqenien.» (Principles and Practice of Stress Management) Sipas një referimi tjetër, kur këndojmë, krejt trupi kumbon dhe vibron. Si rrjedhim, vibrimet e ëmbla i ndihmojnë indet të shtendosen e të zgjerohen, dhe kjo mund të ndihmojë për të pakësuar dhembjen.

Për këtë arsye, disa terapistë i nxitin pacientët që vuajnë nga stresi, të dëgjojnë sa më shumë muzikë qetësuese, e cila mund të përmirësojë edhe humorin. Madje disa spitale transmetojnë muzikë në pavijonin e reanimacionit. Foshnjat e lindura para kohe, si edhe pacientët e operuar, shpesh reagojnë mirë ndaj muzikës së këndshme. Sipas librit të përmendur më sipër, studimet sugjerojnë që dëgjimi i muzikës qetësuese «sjell ulje domethënëse të niveleve të hormoneve të stresit gjatë operacionit».

Gjithashtu, muzika mund të pakësojë ankthin te gratë shtatzëna duke i qetësuar gjatë lindjes. Disa herë, dentistët vënë muzikë qetësuese për të krijuar një atmosferë më të qetë për pacientët që janë në ankth. Por muzika dhe të kënduarit mund të kenë edhe dobi të tjera. Ato mund të na ndihmojnë të forcojmë marrëdhënien me Perëndinë.

‘Me këngën time do ta përlëvdoj Perëndinë’

A e di se rreth një e dhjeta e Biblës është shkruar në formë kënge? Shembujt kryesorë janë Psalmet, Kënga e këngëve dhe Vajtimet. Siç mund të kuptohet, shumica e rreth treqind referimeve për këngët lidhen me adhurimin e Perëndisë. «Jehovai është forca . . . ime . . . dhe me këngën time do ta përlëvdoj»,​—shkroi mbreti izraelit David, një muzikant dhe kompozitor i talentuar.​—Psalmi 28:7.

Në fakt, Davidi organizoi 4.000 burra nga fisi i Levit që të shërbenin si muzikantë dhe këngëtarë në Jerusalem. Nga këta, 288 veta ishin «stërvitur për t’i kënduar Jehovait, të gjithë mjeshtër». (1 Kronikave 23:4, 5; 25:7) Pa dyshim, këta këngëtarë ushtroheshin me seriozitet. Muzika ishte aq e rëndësishme për adhurimin e Perëndisë, saqë këngëtarët nuk kishin detyrime të tjera në tempull, me qëllim që të përqendroheshin te profesioni i tyre.​—1 Kronikave 9:33.

Natën para se të vdiste, Jezui dhe apostujt kënduan këngë lavdie për Perëndinë, ndoshta Psalmet 113 deri 118. Në kohën e Jezuit, këto Psalme, që quheshin «Psalmet Halel», këndoheshin gjatë kremtimit të Pashkës. (Mateu 26:26-30) Termi «Psalmet Halel» vjen ngaqë në to përdoret shpesh pasthirrma «Halelujah!» që do të thotë «Lëvdoni Jah!». «Jah» është një formë e shkurtuar dhe poetike e fjalës Jehova, emri i Perëndisë Më të Lartë.​—Psalmi 83:18.

Këngët u bënë edhe pjesë e adhurimit të krishterë. Një libër thotë: «Të kënduarit në adhurimin publik ose privat ishte diçka e natyrshme për të krishterët e hershëm. Për judenjtë e kthyer në të krishterë ky ishte një vazhdim i zakoneve të sinagogave . . . Përveç Psalmeve Hebraike . . . , besimi i ri kishte prirjen të nxirrte vazhdimisht këngë të reja.» (The History of Music) Edhe sot, Dëshmitarët e krishterë të Jehovait kënaqen duke i dhënë lavdi Perëndisë, qoftë kur janë vetëm, qoftë në mbledhjet e krishtere.

Ngaqë muzika na jep mundësinë të shprehim pothuajse çdo emocion dhe ngaqë ajo mund të ketë një ndikim të fuqishëm në zemrën, mendjen dhe trupin tonë, për këtë ‘dhuratë të përsosur nga lart’ duhet të tregojmë respektin më të thellë. (Jakovi 1:17) Po, le ta përdorim lirisht dhe me mençuri!

[Shënimi]

^ par. 9 Përveç këngëve që lartësojnë urrejtjen, imoralitetin ose dhunën, ata që e duan Perëndinë dhe njerëzit, nuk pranojnë të dëgjojnë muzikë që nxit idhujtarinë, nacionalizmin ose gënjeshtrat fetare.​—Isaia 2:4; 2 Korintasve 6:14-18; 1 Gjonit 5:21.