Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një e ardhme e sigurt nën sundimin e Perëndisë

Një e ardhme e sigurt nën sundimin e Perëndisë

Një e ardhme e sigurt nën sundimin e Perëndisë

SË SHPEJTI ankthi ynë për të ardhmen do të marrë fund, sepse Perëndia do të marrë në dorë drejtimin e planetit Tokë duke vendosur qeverinë e tij, që quhet Mbretëria e Perëndisë. Jezu Krishti kishte ndër mend këtë të ardhme të mrekullueshme kur i mësoi dishepujt e tij të luteshin: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë.»​—Mateu 6:9, 10.

Mbretëria e Perëndisë nuk do të bashkëpunojë me udhëheqësit politikë të njerëzimit dhe as nuk do t’i përdorë ata. Përkundrazi, ajo do të asgjësojë çdo gjurmë të sundimit njerëzor të pavarur nga Perëndia, siç tregon kjo profeci e Danielit për «ditët e fundit» në të cilat jetojmë. «Në ditët e atyre mbretërve, Perëndia i qiellit do të vendosë një mbretëri që nuk do të shkatërrohet kurrë. . . . Ajo do të thërrmojë dhe do t’u japë fund të gjitha këtyre mbretërive, dhe vetë do të qëndrojë përgjithmonë.» (Danieli 2:44) Këto fjalë s’janë aspak ngushëlluese ose shpresëdhënëse për ata që parapëlqejnë të sundohen nga njerëzit. Kurse për të gjithë ata që janë të lumtur që Perëndia do ta ushtrojë sovranitetin e tij përmes Mbretërisë, ky premtim është një premtim i shkëlqyer.

Një e ardhme e ndritur!

Kur Mbretëria e Perëndisë të sundojë mbarë tokën, nënshtetasit e saj nuk do të jenë të përçarë nga politika, raca, feja ose nga kufijtë në hartë. Ata do të formojnë një vëllazëri mbarëbotërore, të cilën do ta bashkojë njohuria e së vërtetës për Perëndinë dhe dashuria e sinqertë. (Gjoni 13:34, 35; 17:3, 17) Po, nën sundimin e Mbretërisë, «i drejti do të lulëzojë» dhe «paqja do të jetë pa fund derisa të mos ketë më hënë».​—Psalmi 72:7.

Përveç kësaj, Mbretëria e Perëndisë do të bëjë që njerëzit e bindur të arrijnë përsosmërinë e mendjes e të trupit, duke çrrënjosur gjithë sëmundjet, vuajtjet dhe vdekjen. (Zbulesa 21:3, 4) Rezultati? Planeti ynë do të bëhet një parajsë në kuptimin e plotë të fjalës, duke përmbushur kështu qëllimin fillestar që Perëndia shprehu në Eden. *​—Zanafilla 1:28.

I vetmi lajm i mirë i vërtetë

Kur dha shenjën e përbërë ‘të përfundimit të sistemit’, Jezui përfshiu një element veçanërisht të rëndësishëm. (Mateu 24:3-7) Ai tha: «Ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet, dhe atëherë do të vijë fundi.»​—Mateu 24:14.

Në përputhje me vullnetin e Perëndisë, gjatë vitit 2007, rreth shtatë milionë Dëshmitarë të Jehovait në 236 vende u predikuan të tjerëve mesazhin e Mbretërisë, duke shpenzuar me gëzim në këtë vepër 1,4 miliardë orë nga koha e tyre. Pse Dëshmitarët janë kaq të bindur për premtimet e Biblës? Përgjigjja është shumë e thjeshtë. Siç shpjegon artikulli vijues, Perëndia e mban gjithnjë fjalën.​—Romakëve 3:4.

[Shënimi]

^ par. 6 Shih artikullin «A do të jetë toka Parajsë?», në faqen 10.

[Diçitura në faqen 7]

Bibla thotë se «paqja do të jetë pa fund»