Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një gji bregdetar i mrekullueshëm

Një gji bregdetar i mrekullueshëm

Një gji bregdetar i mrekullueshëm

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË MEKSIKË

MIDIS Meksikës kontinentale dhe Gadishullit të Kalifornisë ndodhet Gjiri ngjyrë gurkali i Kalifornisë (tregohet më poshtë), i njohur fillimisht si Deti i Kortesit. Pjesa më e madhe e këtij rajoni me breg shkretinor dhe ishuj shkëmborë, është shpallur pjesë e Trashëgimisë Botërore nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO). Pse është kaq e veçantë kjo zonë?

Gjiri i Kalifornisë, me gjatësi mbi 1.000 kilometra dhe gjerësi mesatare 153 kilometra, si edhe zonat e tij përreth, janë të bukura e plot jetë. Në gji vërehen disa luhatje të nivelit ujor, nga më të mëdhatë në planet, që shkaktohen nga baticat. Në skajin verior ato arrijnë deri në 9 metra. Drita e diellit me bollëk dhe ngjitja në sipërfaqe e ujërave të poshtme plot lëndë ushqyese, bëjnë që të ketë mori planktonesh dhe një larmi të jashtëzakonshme gjallesash. Këta faktorë dhe ujërat e kthjellëta në pjesën më të madhe të rajonit, e nxitën eksploruesin e oqeaneve Zhak-Iv Kusto ta quante gjirin «akuariumi i botës».

Gjiri është një laborator natyror për studimin e gjallesave ujore, sepse përmban më tepër se 890 lloje peshqish, nga të cilat rreth 90 lloje nuk gjenden në asnjë vend tjetër. Por mjerisht, shumë lloje po pakësohen, përfshirë edhe një specie e pakapshme që ngjan me delfinin dhe quhet vakita, që në spanjisht do të thotë «lopë e vogël».

Vakita është pjesëtari më i vogël i familjes së derrave të detit dhe arrin një gjatësi deri 150 centimetra. Ngjyra e lëkurës së tij nuk është e njëjtë, mund të jetë gri e zbehtë ose kafe e çelur dhe përreth syve ka pulla të zeza. Kjo kafshë e vogël dhe e ndrojtur që gjendet në ujërat e cekëta e të turbullta të gjirit pranë grykëderdhjes së lumit Kolorado, shihet rrallë dhe njihet pak. Faktikisht, ajo u zbulua vetëm në vitin 1958 kur u gjetën tri kafka të saj në bregun e Gadishullit të Kalifornisë.

Popullata e vakitave numëron vetëm disa qindra, prandaj kjo kafshë është vënë në listën e atyre që rrezikojnë të zhduken. Megjithatë, dhjetëra syresh mbyten çdo vit në rrjetat e peshkatarëve vendës. Për të siguruar mbijetesën e këtij gjitari të rrallë, Meksika ka krijuar një rezervat që përfshin një pjesë të habitatit të vakitës. Ndër banorët e tjerë të gjirit dhe vizitorët shtegtarë përfshihen balenat, rajat gjigante (manta birostris), breshkat gjigante të ujit (dermochelys coriacea), luanët e detit, peshqit-shtizë (tetrapturus audax), peshku-velë (istiophorus) dhe tufa të stërmëdha me peshq ton.

Në brendësi të pjesës jugore të gjirit, shkencëtarët kanë gjetur forma jete ekzotike që shumë pak njerëz i kanë parë. Arsyeja është se këto organizma jetojnë në gropën e Guajmasit, e cila është rreth 2.000 metra e thellë. Në këtë humnerë ka burime hidrotermale që mbështetin morinë e krijesave që e sigurojnë energjinë jo nga drita e diellit, por nga sulfuri i hidrogjenit. Një krijesë që jeton pranë këtyre burimeve është krimbi-tub, i cili është një krimb me xhufkë ngjyrë të kuqe të ndezur që nuk ka as gojë, as aparat tretës. Ky krimb që jeton në grup, qëndron pingul me njërin skaj të mbërthyer në fund të oqeanit dhe lëkundet si shkopth në ujin e ftohtë të oqeanit dhe në rrjedhën e ngrohtë të burimeve hidrotermale. Çdo krimb-tub jeton falë një simbioze me bakteriet që jetojnë brenda trungut të tij. Xhufka në të kuqe të ndezur në të vërtetë është organi i frymëmarrjes për krimbin.

Edhe pse shumëllojshmëria e gjallesave të gjirit është në rrezik, e ardhmja e tyre është premtuese. Përse? Sepse Krijuesi interesohet për to. Në fakt, ai interesohet kaq shumë për gjithë tokën, saqë së shpejti do të ndërhyjë për ta mbrojtur që të mos e dëmtojnë më, dhe pastaj do ta rikthejë në atë gjendje që kishte si qëllim kur e krijoi. (Zanafilla 1:26-28; Zbulesa 11:18) Është e vështirë ta imagjinojmë sa i bukur do të jetë atëherë Gjiri i Kalifornisë. Po, fjala «i mrekullueshëm» zor se do të mjaftonte për ta përshkruar.

[Figura në faqen 25]

Balena

[Figura në faqen 25]

Krimbat-tub

[Burimet e figurave në faqen 24]

Pamja nga sateliti: NASA/​The Visible Earth (http:/​/​visibleearth.nasa.gov/​); shkëmbinj nënujorë: © Dirscherl Reinhard/​age fotostock

[Burimet e figurave në faqen 25]

Bregu: Mexico Tourism Board; balena: © Mark Jones/​age fotostock; krimbat-tub: © Woods Hole Oceanographic Institution