Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse kaq shumë të pashpresë?

Pse kaq shumë të pashpresë?

Pse kaq shumë të pashpresë?

Kudo nëpër botë po ndodhin ngjarje shqetësuese që shkaktojnë frikë për të ardhmen. Në një numër gjithnjë e më të madh qytetesh, njerëzit mbikëqyren nga kamerat e sigurisë. Nga frika e terroristëve, shumë aeroporte të mëdha janë kthyer pothuajse në kampe ushtarake. Gjithnjë e më shumë hajdutë dhe pedofilë në Internet gjuajnë për viktima që nuk dyshojnë për motivet e tyre të këqija. Për sa i përket mjedisit, ndotja, shpyllëzimi, zhdukja e specieve të ndryshme dhe ngrohja globale, rrezikojnë të ardhmen e jetës në planetin tonë.

NDONËSE të paimagjinueshme dy a tre breza më parë, këto gjëra shqetësojnë sot mbarë globin. Për arsye të vlefshme, shumë veta pyesin veten se ç’po ndodh me botën dhe ç’jetë i pret ata dhe fëmijët e tyre. A mos po vjen koha kur, nga frika, njerëzit nuk do të hipin më as në autobus, tren apo aeroplan? Ndërkohë që çmimet rriten dhe njerëzit i përdorin gjithnjë e më shumë burimet e tokës, a do të kenë mundësi brezat e ardhshëm të kenë një kujdes mjekësor të mirë, ushqim cilësor dhe karburant të mjaftueshëm?

«E ardhmja duket shumë, po shumë e frikshme»,​—tha një ministër i shëndetësisë në Kanada, në lidhje me shpenzimet shëndetësore në rritje. Këmbanat e alarmit po bien edhe për ushqimin dhe karburantin. Pse? Për të qenë më pak të varura nga karburantet organike, disa vende po bëjnë investime të mëdha për të prodhuar karburant biologjik, si etanoli, që nxirret nga bimët. Pra, për herë të parë në histori, stomaku i njeriut është në garë me serbatorët e makinave se kush do t’i shfrytëzojë më shumë prodhimet e tokës. Si pasojë, inflacioni në çmimet e ushqimeve është i ndjeshëm.

Ndërkohë, pabarazia në rritje mes të pasurve e të varfërve po shton tensionet sociale. Sipas një raporti të Organizatës Botërore të Shëndetësisë: «Në këtë dekadë të parë të shekullit të 21-të, zhvillimet e jashtëzakonshme për të rritur mirëqenien e njerëzve bashkekzistojnë me pamundësinë ekstreme për të nxjerrë dobi prej tyre. Mesatarja e jetëgjatësisë në vendet më të varfra është sa gjysma e asaj në vendet më të pasura.» Kryesisht, shkaqet janë sëmundjet dhe kaosi ekonomiko-shoqëror në shtete të paqëndrueshme politikisht.

Po t’i shtojmë kësaj katrahure edhe ngrohjen globale, e cila mund të rritë shkretimin e tokës dhe kushtet ekstreme të motit, atëherë nuk habitemi se përse shumë njerëz të mirinformuar ndihen nervozë për të ardhmen. Buletini i shkencëtarëve atomikë, i cili përcakton atë që quhet ora e fundit të botës, shpreh frikën për një të ardhme të zymtë, «teksa shkencëtarët vazhdojnë të vërejnë pasojat e njëpasnjëshme [të ngrohjes globale] në ekosistemin e ndërlikuar të Tokës».

A është e ardhmja jonë kaq e zymtë sa duket? A varet shpresa jonë për një të ardhme më të mirë vetëm te liderët e biznesit, politikës, fesë dhe shkencës? ‘Ç’zgjidhje tjetër kemi?​—thonë disa.​—Vetë u futëm në këtë telash, dhe vetë duhet të dalim prej tij.’ Të tjerë mendojnë se është përtej aftësive njerëzore të dalin nga kjo situatë dhe se shpresa e vetme për një të ardhme të sigurt është në duart e Perëndisë. Nëse është kështu, çfarë sigurie kemi që Perëndia interesohet për ne dhe se do ta na shpëtojë nga vetëshkatërrimi? Artikujt vijues do t’u japin përgjigje këtyre pyetjeve.

[Diçitura në faqen 3]

A varet shpresa jonë për një të ardhme më të mirë vetëm te liderët e biznesit, politikës, fesë dhe shkencës?