Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë të bëj nëse vëllai a motra është vetëvrarë?

Çfarë të bëj nëse vëllai a motra është vetëvrarë?

Të rinjtë pyesin

Çfarë të bëj nëse vëllai a motra është vetëvrarë?

Jeta e Karolës ndryshoi që ditën kur babai i dha lajmin e hidhur. «Sheila iku.» Vetëm kaq arriti të thoshte. Karola dhe i ati u hodhën në krahët e njëri-tjetrit, duke u përpjekur të kuptonin këtë akt që s’ka pikë kuptimi. Motra e Karolës i kishte dhënë fund jetës. *

KUR vdes dikush në moshë të re, ngushëlluesit dashamirës shpesh përqendrohen te prindërit. Ata i pyesin vëllezërit ose motrat e atij që ka vdekur: «Si po e përballojnë mami dhe babi?», por mund të harrojnë të pyesin: «Si po e përballon ti?» Ja pse motrat dhe vëllezërit e të ndjerit janë quajtur të pikëlluarit e harruar.

Studimet tregojnë se vdekja e vëllait ose e motrës ndikon thellë te të rinjtë. «Kjo humbje e madhe ndikon për keq në shëndetin, sjelljen, mësimet, vetëvlerësimin dhe zhvillimin e fëmijës»,—shkruan dr. P. Xhill Uajt në librin e saj Sibling Grief—Healing After the Death of a Sister or Brother.

Ajo lë pasoja edhe te të rinjtë në moshë më të madhe. Karola, e përmendur më sipër, ishte 22 vjeçe kur Sheila, motra e saj më e vogël, i dha fund jetës. Prapëseprapë, kishte raste kur dhembja e saj dukej e padurueshme. «S’mund të them se vuajta më shumë se prindërit,—thotë ajo,—por isha më e pafuqishme se ata për të përballuar vuajtjen.»

A të ka vdekur edhe ty një vëlla ose motër, ashtu si Karolës? Nëse po, mund të ndihesh si psalmisti David, që shkroi: «E kam humbur toruan, jam kërrusur fare, gjithë ditën e ditës endem i trishtuar.» (Psalmi 38:6) Si mund ta përballosh trishtimin?

«Ah, sikur . . .»

Vetëvrasja e vëllait ose e motrës mund të të lërë me ndjenja faji që të torturojnë. «Sikur t’i kisha bërë gjërat ndryshe, vëllai ose motra do të ishte ende gjallë»,—mund të thuash me vete. Mund të duket se ka prova që mbështetin këtë mendim. Kështu mendonte Krisi, që ishte 21 vjeç kur vëllai i tij 18 vjeç vrau veten. «Unë isha i fundit që fola me vëllanë,—thotë ai,—ndaj mendoja se duhej ta kisha kuptuar se kishte diçka. Thosha me vete se po të isha treguar më i afrueshëm, ai mund të ishte hapur me mua.»

Krisit ia shtonte dëshpërimin fakti që ai dhe vëllai mezi shkonin mirë. «Shënimi që la, thoshte se mund të kisha qenë vëlla më i mirë,—kujton Krisi me shumë dhembje.—Sado që e di se ai nuk ishte mirë, ky mendim vazhdon të më torturojë.» Shpesh, ndjenja e fajit zmadhohet kur kujton fjalët e hidhura të shkëmbyera me të para se të vdiste. «Shumë nga fëmijët që u ka vdekur një motër ose vëlla, më kanë thënë se më pas vazhdon t’i torturojë faji për një zënkë që kanë pasur muaj ose edhe vite më parë»,—thotë për Zgjohuni! dr. Uajt, e përmendur më sipër.

Nëse vuan nga ndjenja e fajit për vetëvrasjen e vëllait ose të motrës, bëji vetes këtë pyetje: «A ka njeri që të ketë kontroll të plotë mbi veprimet e dikujt tjetër?» Karola thotë: «Nuk kishe si ta parandaloje vuajtjen së cilës po mundohej t’i shpëtonte dhe mënyrën e tmerrshme në të cilën ai ose ajo i dha fund.»

Por, çfarë mund të bësh nëse s’heq dot nga mendja fjalët e pakujdesshme ose të ashpra që i ke thënë dikur? Bibla mund të të ndihmojë t’i shohësh gjërat siç duhet. Ajo thotë: «Të gjithë ne pengohemi shumë herë. Nëse dikush nuk pengohet në fjalë, është njeri i përsosur.» (Jakovi 3:2; Psalmi 130:3) Në fakt, ta mbash mendjen te rastet kur të duket se je treguar i ashpër ose i ke folur vrazhdë vëllait a motrës, s’bën gjë tjetër veç shton pikëllimin. Sado të dhimbshme të jenë ato kujtime, e vërteta është që vëllanë ose motrën nuk e çove ti drejt vdekjes. *

Si ta përballosh trishtimin?

Nuk ka dy njerëz që e shprehin trishtimin njësoj. Disa shpërthejnë në lot para të tjerëve, dhe kjo s’ka asgjë të keqe. Bibla thotë se Davidi ‘qau me të madhe’ pas vdekjes së të birit, Amnonit. (2 Samuelit 13:36) Edhe Jezui «nuk i mbajti dot lotët» kur pa hidhërimin që shkaktoi vdekja e mikut të tij, Lazarit.—Gjoni 11:33-35.

Por ka edhe nga ata që nuk e shprehin menjëherë dhembjen, sidomos nëse vdekja ka qenë e papritur. «Kisha ngrirë si copë akulli,—kujton Karola.—Për njëfarë kohe s’isha për asgjë.» Ky reagim është krejt normal kur vëllai ose motra vetëvritet. «Vetëvrasja është një traumë,—thotë për Zgjohuni! dr. Uajt,—dhe para trishtimit, duhet përballuar trauma. Disa nga ata që sigurojnë kujdes profesional, përpiqen t’i bëjnë të qajnë e të vajtojnë të afërmit e të ndjerit, kur ende nuk janë gati. Ata janë akoma të mpirë nga tronditja.»

Për t’u mësuar me faktin që vëllai ose motra ka vdekur, duhet kohë, dhe kjo kuptohet kur mban parasysh çfarë ka ndodhur. «Familja jonë është bërë si një vazo e thyer, e pastaj copat janë ngjitur prapë,—thotë Krisi.—Tani është më e prirur të ‘kriset’ për gjëra edhe më të vogla.» Për ta përballuar më lehtë situatën, provo sugjerimet e mëposhtme:

Bëj një listë me vargje biblike që të ngushëllojnë dhe lexoji të paktën një herë në ditë.​—Psalmi 94:19.

Bisedo me një mik të besuar e të dhembshur. Kur shprehesh, e ke më të lehtë të shërosh zemrën.​—Proverbat 17:17.

Medito rreth premtimit të Biblës për ringjalljen.​—Gjoni 5:28, 29.

Gjithashtu, mbajtja e një ditari, të paktën për njëfarë kohe, do të të ndihmojë të tregosh ekuilibër, edhe pse ndien dhembje. Provo të përdorësh kutinë në faqen tjetër si model.

Të jesh i sigurt se «Perëndia është më i madh se zemra jonë dhe di gjithçka». (1 Gjonit 3:20) Ai njeh më mirë se çdokush faktorët dhe rrethanat që mund të kenë çuar në gjendjen e dëshpëruar të vëllait ose të motrës. Gjithashtu, ty të njeh më mirë nga ç’e njeh ti veten. (Psalmi 139:1-3) Ndaj, mund të jesh i sigurt se ai e kupton se çfarë po kalon. Kur duket se po të mbyt trishtimi, sill ndër mend fjalët e Psalmit 55:22: «Hidhja barrën tënde Jehovait, dhe ai vetë do të të mbështetë. Ai nuk do të lejojë kurrë që i drejti të lëkundet.»

[Shënimet]

^ par. 3 Në këtë artikull emrat janë ndryshuar.

^ par. 12 Është njësoj si të kishte vdekur nga një sëmundje ose aksident. Pavarësisht sa shumë e ke dashur vëllanë a motrën, ti ke pak ose aspak kontroll mbi ‘kohët e vështira dhe ngjarjet e paparashikuara’.—Eklisiastiu 9:11.

PËR TË MENDUAR

▪ Me kë mund të flasësh nëse po të mbyt trishtimi?

▪ Si mund ta mbështetësh një të ri që është trishtuar për vdekjen e vëllait ose të motrës?

[Kutia në faqen 20]

Kur i hedh mendimet në letër, mund ta kesh më të lehtë të përballosh pikëllimin. Me këtë në mendje, plotëso fjalitë dhe përgjigjju pyetjeve të mëposhtme.

Tre nga kujtimet e bukura me vëllanë ose motrën janë:

1 ․․․․․

2 ․․․․․

3 ․․․․․

Fjalët që do të doja t’i kisha thënë vëllait ose motrës sa ishte gjallë:

․․․․․

Çfarë do t’i thoshe një fëmije në moshë më të vogël që fajëson veten për vdekjen e vëllait ose motrës?

․․․․․

Cili nga shkrimet e mëposhtme të duket më ngushëllues dhe pse?

□ «Jehovai u rri pranë zemërthyerve, dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërrmuar.»—Psalmi 34:18.

□ «Ai as e përbuzi dhe as e përçmoi mundimin e të përvuajturit. Nuk e fshehu fytyrën nga ai, përkundrazi, kur thirri për ndihmë, ai e dëgjoi.»—Psalmi 22:24.

□ «Po vjen ora, kur të gjithë ata që janë në varre, do ta dëgjojnë zërin e tij [Jezuit] dhe do të dalin.»—Gjoni 5:28, 29.