Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Ç’po i ndodh fëmijës tim?»

«Ç’po i ndodh fëmijës tim?»

«Ç’po i ndodh fëmijës tim?»

Stefani dhe Sandra * shtangën kur vajza e tyre 15-vjeçare hyri në kuzhinë. Flokët e saj të verdhë tani ishin të kuqe flakë. Edhe më befasuese ishte biseda që vijoi.

—Kush të dha leje të lyesh flokët?

—Se mos tha njeri mos i lyej.

—Pse nuk na pyete?

—Se e dija që do të thoshit jo.

SIÇ do ta pohonin menjëherë edhe Stefani e Sandra, adoleshenca është një periudhë e trazuar jo vetëm për fëmijët, por edhe për prindërit. Vërtet, shumë baballarë dhe nëna janë krejt të papërgatitur për ndryshimet e mëdha dhe të befasishme që ndodhin kur fëmija arrin pubertetin. «Papritur e papandehur vajza jonë u bë tjetër njeri,—sjell ndër mend Barbara, një nënë nga Kanadaja.—Pyesja veten: ‘Ç’po i ndodh fëmijës tim?’ Dukej sikur dikush na e kishte marrë ndërsa flinim dhe në vend të saj na kishte sjellë një tjetër.»

Rasti i Barbarës nuk është aspak i vetmi. Ja se çfarë thanë për Zgjohuni! disa prindër anekënd botës.

«Kur u bë adoleshent, papritur im bir nisi të ngulte këmbë tek e vetja dhe shpesh na e bënte fjalën dysh.»—Lia, Britani.

«Vajzat tona e vrisnin mendjen më tepër, sidomos kur vinte puna te pamja.»—Xhoni, Ganë.

«Im bir donte t’i merrte vetë vendimet. Nuk donte t’i thoshte njeri çfarë të bënte.»—Selina, Brazil.

«Vajza jonë nuk donte më ta përqafonim e ta puthnim.»—Andrea, Kanada.

«Djemtë u bënë më agresivë. Nuk i pranonin vendimet tona, por i kundërshtonin dhe debatonin.»—Stivi, Australi.

«Ime bijë i fshihte ndjenjat. U mbyll në botën e saj të vogël dhe bezdisej kur unë mundohesha të hyja në të.»—Xhoana, Meksikë.

«Fëmijët na mbanin sekrete dhe kërkonin të kalonin më shumë kohë në intimitetin e tyre. Shpesh, u pëlqente të rrinin më shumë me shokët sesa me ne.»—Danieli, Filipine.

Nëse ke një fëmijë adoleshent, disa nga komentet e mësipërme mund të të duken tamam si fjalët e tua. Në një rast të tillë, të jesh i sigurt se përpjekjet e tua për ta kuptuar këtë «të huaj» që keni në familje, pra djalin ose vajzën adoleshente, nuk janë të pashpresa. Bibla mund të të ndihmojë. Si?

Mençuri dhe kuptueshmëri

Një proverb biblik thotë: «Fito mençuri, fito kuptueshmëri.» (Proverbat 4:5) Të dyja këto cilësi janë thelbësore kur ke të bësh me një adoleshent. Kuptueshmëria të nevojitet për të parë përtej sjelljes dhe për të kuptuar çfarë po kalon fëmija. Të nevojitet edhe mençuri për të reaguar në mënyrë të tillë që ta ndihmosh fëmijën të bëhet një i rritur i përgjegjshëm.

Mos u mashtro nga ai që duket si një hendek që sa vjen e thellohet mes teje dhe djalit a vajzës. E vërteta është se adoleshentët kanë nevojë, madje duan që prindërit të përfshihen gjatë kësaj periudhe delikate të jetës. Si mund të të vlejnë kuptueshmëria dhe mençuria që ta ndihmosh fëmijën tënd?

[Shënimi]

^ par. 2 Në këtë seri emrat janë ndryshuar.