Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A është i sigurt gjaku i kontrolluar për HIV?

A është i sigurt gjaku i kontrolluar për HIV?

A është i sigurt gjaku i kontrolluar për HIV?

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË NIGERI

▪ KJO pyetje u ngrit në Nigeri kur u zbulua se një foshnjë ishte infektuar me HIV nga një transfuzion gjaku në një nga spitalet më me emër të Nigerisë.

Sipas drejtuesit të asaj qendre spitalore, menjëherë pas lindjes, Eniola u diagnostikua me verdhëz. Mjeku vendosi ta trajtonte duke zëvendësuar gjakun e saj me atë të një tjetri, dhe babai dhuroi disa njësi gjaku. Mirëpo gjaku i tij nuk përputhej me atë të foshnjës, prandaj u përdor gjak nga banka e gjakut e spitalit. Pas pak kohësh, foshnja rezultoi me HIV, edhe pse asnjëri nga prindërit nuk ishte i infektuar. Sipas spitalit, «gjaku ishte kontrolluar dhe nuk kishte dalë i infektuar me HIV në kohën kur foshnjës iu bë transfuzioni».

Atëherë, si ishte infektuar foshnja? Qeveria nigeriane hetoi për këtë ngjarje që ngjalli shumë debat dhe doli në përfundimin se burimi i infektimit mund të kishte qenë gjaku i përdorur për transfuzion. Gazeta Nigerian Tribune citoi fjalët e një virologu: «Në kohën e dhurimit të gjakut, dhuruesi ka qenë në ‘fazën dritare’ kur virusi i HIV-it është i padiktueshëm.»

Vërtet ky është veç një rast, por ai tregon qartë se transfuzionet e gjakut nuk janë pa rreziqe. Ja si përshkruhet «faza dritare» e virusit HIV nga Qendrat Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve: «Sistemit imunitar i duhet njëfarë kohe të prodhojë antitrupa aq sa të diktohen nga analizat, dhe kjo periudhë mund të ndryshojë nga një njeri te tjetri. Kësaj periudhe zakonisht i referohemi si ‘faza dritare’. Te pjesa më e madhe e njerëzve antitrupat e diktueshëm zhvillohen brenda 2 deri 8 javësh (mesatarisht në 25 ditë). Megjithatë, te disa ka mundësi të nevojitet më tepër kohë. . . . Në raste shumë të rralla mund të duhen deri në 6 muaj.»

Prandaj, fakti që gjaku është kontrolluar për HIV, nuk garanton se është i sigurt. Një fondacion paralajmëron: «Megjithëse HIV-i mund të mos diktohet nga analizat gjatë fazës dritare, ai mund të transmetohet gjatë kësaj faze. Në fakt, të prekurit infektojnë më lehtë gjatë kësaj periudhe (pak pasi janë infektuar me HIV).»—The San Francisco AIDS Foundation.

Dëshmitarët e Jehovait kanë kohë që ndjekin drejtimin e Biblës për të qëndruar «larg nga . . . gjaku». (Veprat 15:29) Mbrojtja që u ka siguruar, tregon qartë sa e mençur është t’u bindesh udhëzimeve të Perëndisë. Për të ditur më shumë rreth alternativave të tjera përveç transfuzionit, ju lutemi shihni broshurën Si mund t’jua shpëtojë gjaku jetën? *

[Shënimi]

^ par. 8 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.