Ajrimi në foletë e termiteve
A është projektuar?
Ajrimi në foletë e termiteve
▪ Foletë e termiteve janë quajtur mrekulli inxhinierike, dhe jo më kot. Këto struktura mbresëlënëse, të bëra me dhé e pështymë, mund të arrijnë deri në 6 metra lartësi. Muret e tyre 45 cm të gjera piqen nga dielli aq sa bëhen të forta si beton. Disa ndërtohen brenda një nate.
Afër qendrës së folesë jeton mbretëresha, e cila mund të shtrojë disa mijëra vezë në ditë. «Termitet punëtore» që janë të verbra e pa krahë, i çojnë vezët në dhomëza të ndërtuara enkas. Atje kujdesen për larvat që çelin. Megjithatë, mrekullia më e madhe e folesë ndoshta është sistemi i saj i ajrimit.
Shqyrtoni faktet: Një varg dhomash dhe galerish e mbajnë konstante temperaturën brenda folesë, pavarësisht nga ndryshimi i kushteve atmosferike jashtë. Për shembull, në Zimbabve, Afrikë, temperatura mund të luhatet nga 2°C natën deri mbi 38°C gjatë ditës. Megjithatë, brenda folesë temperatura mbetet konstante 31°C. Pse?
Termitet bëjnë qëllimisht vrima ajrimi në vende kyç në fund të folesë, që të futin ajrin e freskët dhe të detyrojnë ajrin e ndenjur të dalë nga sipër. Ajri më i ftohtë hyn në fole nga një dhomë e nëndheshme dhe pastaj qarkullon nëpër kalime e dhomëza. Termitet i hapin dhe i mbyllin vrimat për të rregulluar temperaturën sipas nevojës. Atyre u duhet një temperaturë e qëndrueshme që të kultivojnë kërpudhën që është ushqimi i tyre kryesor.
Projekti i folesë së termiteve është aq i mahnitshëm, sa arkitektët përdorën një teknologji të ngjashme për një ndërtesë zyrash në Zimbabve. Kjo ndërtesë harxhon vetëm 10 për qind të energjisë që duhet për ndërtesat me të njëjtat përmasa me sisteme standarde ajrimi.
Si mendoni? Mos vallë termitet u bënë të afta rastësisht për të rregulluar temperaturën brenda folesë? Apo është një dëshmi e projektimit?
[Burimet e figurave në faqen 25]
Sipër: Stockbyte/Getty Images; në fund: Scott Bauer/Agricultural Research Service, USDA