Jo vetëm lodra
Jo vetëm lodra
EGJIPTIANËT i bënin me copa druri të sheshta, japonezët me letra të palosura, gjermanët me porcelan, kurse eskimezët me lëkurë foke. Të rriturit i koleksionojnë. Fëmijët vdesin për to. Çfarë janë ato? Kukullat.
Botimi Enciklopedia botërore (anglisht) thotë: «Në kohët e hershme, shumë objekte me pamje kukullash përdoreshin për magji dhe qëllime fetare, jo si lodra.» Egjiptianët e lashtë merrnin copa druri në formë rremash të vegjël, pikturonin në to veshje me motive dhe për flokë u vinin vargje rruazash balte. Ata i linin këto «kukulla si rrema» në varret e të afërmve të vdekur, me bindjen se kukullat do t’u shërbenin në jetën e përtejme. Në Inditë Perëndimore, njerëzit që donin të hakmerreshin ngulnin gjilpëra në kukullat vudu, me shpresën se kjo do t’i dëmtonte armiqtë e tyre.
Në shumë kultura, kukullat përdoreshin në ritet e pjellorisë. Për shembull, në Greqinë e lashtë vajzat i linin kukullat në altarin e Artemisës, perëndeshës së pjellorisë, pak para se të martoheshin. Sot gratë e fisit ashanti në Ganë, Afrikë, mbajnë një kukull në brez, duke shpresuar se ajo do t’i ndihmojë të lindin fëmijë të bukur. Disa vajza në Siri, varin kukulla në dritare për të treguar se janë në moshën e martesës.
Çdo vit, më 3 mars, kukullat përdoren në një festë në Japoni, të quajtur Hina Macuri ose festa e kukullave. Sipas botimit Japonia: Enciklopedi me ilustrime (anglisht), kjo «vjen nga zakone të ndryshme» e njihet edhe si festa e vajzave. Enciklopedia vazhdon: «Një nga këto është një rit kinez pastrimi që bëhej buzë ndonjë lumi në fillim të muajit të tretë hënor. Gjatë periudhës heiane (794-1185), oborrtarët mblidhnin fallxhorët ditën e tretë të muajit të tretë për t’u pastruar nga papastërtitë. Fallxhorët ua hiqnin këto papastërti,
duke ua kaluar shëmbëlltyrave prej letre . . . , që më pas flakeshin në lumë ose në oqean.»Kukulla si lodra
Gjatë periudhës së Idos në Japoni (1603-1867), kukullave të bëra enkas për fëmijët u jepnin pamjen e njerëzve të vërtetë dhe u vishnin lloj-lloj kostumesh. Kukulla të tjera mund të lëviznin duke përdorur litarë, susta, çikrikë dhe ingranazhe të drunjta. Imagjinoni që një model kukulle mund t’i çonte një filxhan çaj mysafirit dhe të kthehej me filxhanin bosh!
Në një enciklopedi thuhet se, në vendet perëndimore, përpara shekullit të 18-të «fëmijëria nuk ishte si sot. Fëmijët konsideroheshin si të rritur të vegjël dhe pritej që të silleshin si ta». Kukullat bëheshin edhe për të rriturit, edhe për fëmijët. Megjithatë, në shekullin e 19-të u kuptua sa e rëndësishme është për zhvillimin e fëmijës që ai të luajë. Si rrjedhim, në Evropë lulëzoi industria e prodhimit të kukullave.
Që në vitin 1824, prodhuesit gjermanë të kukullave shpikën një pajisje që i bënte kukullat të thoshin «mama» dhe «baba». Më vonë, po në atë shekull, ata prodhuan kukulla që ecnin. Madje shpikësi amerikan Tomas Edison bëri një magnetofon fare të vogël që i bënte kukullat të dukeshin sikur flisnin. Ndërkohë, francezët bënë kukullën Bebe gurman, një kukull që hante. Francezët shquheshin edhe për kukullat elegante me veshje plot stil. Për këto kukulla mund të blije edhe aksesorë të tillë, si: krehër, pellush, erashkë dhe mobilje.
Në shekullin e 20-të, prodhimi i kukullave pati një shpërthim të paparë. Përdorimi i plastikës në vitet 40 bëri të mundur që të prodhoheshin kukulla të lira, por me elementë të ndërlikuar e të bërë me finesë. Kukulla plastike Barbi ka mbizotëruar në industrinë e kukullave që kur doli në vitin 1959. Janë shitur më shumë se një miliard Barbi dhe, vetëm në vitin 1997, prodhuesit e tyre fituan 1,2 miliardë euro.
Kukulla si mësuese
Për t’u mësuar fëmijëve për perënditë e fisit, indianët pueblo në jugperëndim të Shteteve të Bashkuara, përdornin kukullat kaçina, të gdhendura në rrënjë kaktusi ose në dru pishe. Gjatë një ceremonie të veçantë, një pjesëtar i fisit vishej dhe hiqej si një nga perënditë. Pastaj, prindërit u jepnin fëmijëve një kukull që i ngjante asaj perëndie, me qëllim që ata të luanin, e kështu të njiheshin me këtë perëndi.
Në botimin Enciklopedia botërore thuhet se kukullat «janë një mënyrë që fëmijët të shprehin ndjenjat e lënduara, zemërimin dhe ndjenja të tjera. Kur luajnë me kukulla, fëmijët kanë mundësi të provojnë rolet që shpresojnë të kenë kur të rriten». Një kukull e ekspozuar në festën e fëmijëve, që organizohet çdo maj në Japoni, tregon një djalë të veshur komplet me armaturën e një luftëtari tradicional. Kukulla përdoret si shembull për të inkurajuar djemtë e vegjël që, sipas kulturës vendëse, kur të rriten, të bëhen të fortë e të respektuar në shoqëri.
Për shkak të lidhjes emocionale që krijojnë fëmijët me kukullat, prindërit e mençur e marrin seriozisht ndikimin që mund të kenë ato në zhvillimin e fëmijëve. Për shembull, ca mendojnë se pamja dhe gardëroba e pafund e disa
kukullave ndikojnë për keq te vajzat. Një kritike thotë se këto kukulla mund të ndikojnë për keq te «vajzat duke u ngulitur mendimin e cekët se paraqitja ka më shumë rëndësi se njeriu».Për këdo që i ka parë fëmijët të luajnë me kukulla, një gjë është e qartë: sido që të jetë kukulla: prej lecke, letre, druri, plastike ose prej një materiali tjetër, ajo nuk është vetëm një lodër. Asaj fëmija i beson sekretet, e ka shoqen e lojës, miken e fëmijërisë.
[Kutia në faqen 27]
Zgjohet interesi për KUKULLAT E VJETRA
Koleksionimi i kukullave është mjaft i përhapur. Në vitet 70 ai mori hov, e kështu lindi një treg ndërkombëtar. Koleksionistët kërkojnë si kukulla plastike që kushtojnë pak, ashtu edhe kukulla të rralla, si ato të firmës Kemer dhe Rajnhart. Një kukull e kësaj firme, e prodhuar në Gjermani në fillim të shekullit të 20-të, u shit në një ankand për 189.600 euro. Një nga koleksionet më të mëdha, që gjendet në Muzeun Kombëtar të Lojërave «Strong» në qytetin e Roçesterit, Nju-Jork, SHBA, ka rreth 12.000 kukulla.
[Kutia dhe figura në faqen 28]
Kukullat—Shqetësimi i prindërve
Si t’i mbrojnë prindërit fëmijët e tyre nga ndikimi i keq i disa kukullave? Gazeta The Washington Post shprehej me keqardhje: «Ashtu si industria e duhanit në të kaluarën, edhe industria e argëtimit dhe ajo e kukullave në përgjithësi nuk pranojnë asnjë lloj përgjegjësie, dhe ka të ngjarë që vetë nuk do të bëjnë ndryshime.» Është e qartë që përgjegjësinë duhet ta marrin përsipër prindërit.
Bibla i urdhëron prindërit t’u japin çdo ditë fëmijëve udhëzime të dobishme. (Ligji i përtërirë 6:6-9; Proverbat 22:6) Si t’i mësojnë prindërit fëmijët që të mbrohen nga ndikimi i dëmshëm i disa kukullave? Një nënë tha se i lexonte së bijës shkrimin e 1 Timoteut 2:9, ku përshkruhet veshja modeste dhe më pas arsyetonte me të. Biseda vazhdonte pak a shumë kështu:
Nëna: Si ngjajnë këto kukulla, si fëmijë apo si gra?
Vajza: Si gra.
Nëna: Nga e kupton?
Vajza: Se e kanë trupin si gra dhe kanë rroba e këpucë grash.
Nëna: Shumë mirë. Pas asaj që lexuam në Bibël, a mendon se veshja e këtyre kukullave është si ajo që duhet të veshin të krishterët?
Vajza: Jo.
Nëna: Pse jo?
Vajza: Sepse fundet i kanë shumë të shkurtra, . . . bluzat shumë të hapura . . . dhe u rrinë ngjitur pas trupit.
Kuptohet, duhen përpjekje t’u mësosh fëmijëve parimet e Perëndisë që pastaj të arrijnë në përfundime të tilla. Por ia vlen. Shumë prindër kanë nxjerrë dobi nga ndihma e siguruar me anë të librit Të mësojmë nga Mësuesi i Madh. Ky libër është botuar nga Dëshmitarët e Jehovait për t’i ndihmuar prindërit të rrënjosin te fëmijët e tyre parimet e Perëndisë.
Ju ftojmë ta merrni këtë libër 256-faqësh me ilustrime duke u shkruar Dëshmitarëve të Jehovait, Kutia Postare 118, Tiranë. Shënoni se dëshironi librin Të mësojmë nga Mësuesi i Madh.
[Figura në faqen 26]
Kukulla japoneze që servir çaj
[Figura në faqen 26]
Kukulla franceze «Bru»
[Burimet e figurave në faqen 26]
Sipër: © SHOBEI Tamaya IX; në mes: me mirësjelljen e Strong National Museum of Play, Roçester, Nju-Jork; poshtë: © Christie’s Images Ltd