Kur është e justifikuar vetëmbrojtja?
Pikëpamja e Biblës
Kur është e justifikuar vetëmbrojtja?
NJË zhurmë e papritur të zgjon në mes të natës. Dëgjohen hapa. Dikush të ka hyrë në shtëpi. Me zemrën që po të del nga kraharori, gjithë frikë, nis të mendosh se ç’duhet të bësh.
Të gjithë mund të gjendemi në një situatë të tillë. Krimet—duke përfshirë edhe ato të rënda—nuk janë më një dukuri vetëm e vendeve ose e qyteteve të mëdha. Në një klimë të vazhdueshme frike, shumë veta përpiqen të gjejnë mbrojtje tek armët ose tek artet marciale. Disa qeveri kanë dekretuar ligje që u japin të drejtë qytetarëve të mbrojnë veten, duke përdorur edhe teknika që mund të shkaktojnë vdekjen e agresorëve. Por, çfarë thotë Bibla për këtë çështje? A mund të jetë i justifikuar dikush të përdorë forcën për të mbrojtur veten dhe familjen?
Perëndia e urren dhunën
Bibla e dënon dhunën dhe ata që janë të dhunshëm. Psalmisti David tha për Perëndinë Jehova: «Atë që do dhunën, shpirti i Tij e urren.» (Psalmi 11:5) Perëndia i dënoi disa kombe të lashta, përfshirë edhe kombin e vet, ngaqë ishin të dhunshëm dhe gjakatarë. (Joeli 3:19; Mikea 6:12; Naumi 3:1) Edhe vrasjet e shkaktuara pa dashje, për shkak të pakujdesisë, konsideroheshin si një krim i rëndë në Ligjin që iu dha izraelitëve.—Ligji i përtërirë 22:8.
Bibla i nxit njerëzit të shmangin situatat që mund të çojnë në konflikte, duke ndjekur paqen çdo ditë. Përleshjet shpesh nisin nga zënkat më fjalë. Bibla vëren: «Ku s’ka dru, zjarri shuhet dhe ku s’ka shpifës, grindja fashitet.» Proverbat 26:20) Shpesh qetësia e fashit zemërimin dhe parandalon përplasjet e dhunshme. Apostulli Pavël shkroi: «Nëse është e mundur dhe aq sa varet nga ju, jini paqësorë me të gjithë.»—Romakëve 12:18.
(Kur të kërcënojnë
Edhe pse mund të ndjekësh paqen, kjo s’do të thotë që nuk do të jesh kurrë pre e sulmeve të dhunshme. Gjatë gjithë historisë shërbëtorët besnikë të Perëndisë kanë qenë viktima të krimeve të dhunshme. (Zanafilla 4:8; Jobi 1:14, 15, 17) Ç’duhet të bëjë dikush nëse kërcënohet nga një grabitës i armatosur? Jezui na mësoi: «Mos kundërvepro ndaj njeriut të lig.» (Mateu 5:39) Ai tha: «Atij që të merr veshjen e sipërme, mos ia mbaj as të poshtmen.» (Luka 6:29) Jezui nuk e miratoi kundërveprimin fizik për të mbrojtur zotërimet materiale. Përballë një grabitësi të armatosur, një njeri i mençur nuk do të rezistonte, por do t’i jepte gjërat me vlerë. Sigurisht që jeta është shumë më e çmuar se të mirat materiale.
Mirëpo, ç’të themi nëse jeta e dikujt kërcënohet nga një agresor? Për këtë na ndihmon një ligj që Perëndia i dha Izraelit të lashtë. Nëse një hajdut kapej ditën dhe vritej, ai që e vriste akuzohej për vrasje. Me sa duket, kjo bëhej për shkak se vjedhja nuk dënohej me vdekje dhe vjedhësi mund të identifikohej e të nxirrej para drejtësisë. Mirëpo, nëse dikush futej natën në shtëpinë e tjetrit dhe i zoti i shtëpisë e godiste për vdekje, i zoti i shtëpisë mund të shpallej i pafajshëm sepse mund ta kishte pasur të vështirë të shihte se ç’po bënte ai njeri dhe të kuptonte qëllimet e tij. I zoti i shtëpisë mund të mendonte me të drejtë se familja e tij ishte në rrezik, dhe kështu të mbrohej.—Dalja 22:2, 3.
Pra, Bibla tregon se një person mund të mbrojë veten dhe familjen kur sulmohet fizikisht. Ai mund të mbrohet nga goditjet, ta bllokojë agresorin, madje edhe ta godasë që ta çorientojë ose të mos jetë i zoti të vazhdojë sulmin. Qëllimi duhet të jetë të neutralizojë sulmin ose ta ndalë atë. Në këtë rast, nëse agresori dëmtohet rëndë ose vdes, vdekja e tij do të ishte aksidentale dhe e paqëllimshme.
Mbrojtja më e mirë
Qartë, ka rrethana kur vetëmbrojtja është e arsyeshme dhe e justifikuar. Të gjithë kanë të drejtë të mbrojnë veten dhe njerëzit e tyre të dashur nga sulmet dhe rreziqet vdekjeprurëse. Kur nuk është mundur të ikësh nga ndonjë situatë e tillë, nuk ka ndonjë urdhër biblik që të ndalojë vetëmbrojtjen në mënyrë të arsyeshme. Sidoqoftë, zgjedhja më e mençur është të bëjmë të pamundurën për të shmangur situata që mund të krijojnë përplasje të dhunshme.—Proverbat 16:32.
Bibla na inkurajon ‘të kërkojmë paqen dhe ta ndjekim’, në çdo aspekt të jetës. (1 Pjetrit 3:11) Kjo është një formulë praktike që ndihmon vërtet për të pasur një jetë paqësore.
A DONI TË DINI?
▪ Pse duhet ta shmangim dhunën?—Psalmi 11:5.
▪ Cila është zgjedhja më e mençur kur duam të mbrojmë të mirat materiale?—Proverbat 16:32; Luka 12:15.
▪ Cili qëndrim ndaj konflikteve mund të shmangë rrezikun?—Romakëve 12:18.
[Diçitura në faqen 11]
Bibla tregon se një person mund të mbrojë veten dhe familjen kur sulmohet fizikisht