Nga lexuesit tanë
Nga lexuesit tanë
Ç’e ardhme e pret krishterimin? (shkurt 2007) Shumë nga ato që thoni janë sipas Fjalës së Perëndisë dhe jam dakord me ju. Megjithatë ka dy gjëra në revistën tuaj që s’para më pëlqejnë. Njëra është që ulni kishat e krishtere dhe tjetra se e mbani veten më lart se të tjerët. Do të ishte mrekulli nëse të gjithë do të ishim në një mendje dhe do të kishim një fe, por ja që nuk është ashtu. Sipas meje, asnjë kishë ose fe nuk është më e mirë se tjetra.
S. S., Shtetet e Bashkuara
«Zgjohuni!» përgjigjet: Dëshmitarët e Jehovait nuk kanë gjë kundër njerëzve të feve të tjera si individë dhe as nuk mendojnë se janë më të mirë se të tjerët. E pranojmë se «të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e kanë arritur lavdinë e Perëndisë». (Romakëve 3:23) Duke pasur parasysh këtë, nuk kursejmë as veten, as gjërat që kemi, por harxhojmë shumë kohë për të shkuar në shtëpitë e njerëzve e për t’u treguar të vërtetat biblike, si dhe shpresën e mrekullueshme që jep Bibla. Gjithsesi, ashtu si Jezui dhe dishepujt e tij demaskuan me guxim hipokrizinë dhe shtrembërimet fetare, kështu bëjnë edhe Dëshmitarët e Jehovait.
Si do të përgjigjeshe? Më përpara rrallë e diskutoja këtë rubrikë me dy fëmijët e mi. Tani e shoh si një mjet të dobishëm për t’u rrënjosur në zemër fëmijëve të vërtetat e Biblës. Edhe mua më vlen si një mjet për të forcuar besimin.
I. H., Republika e Çekisë
Ju jam shumë mirënjohës për këtë rubrikë të mrekullueshme që më jep ide për studimin personal. Çdo gjë është e menduar mirë, deri në detajet më të vogla. Më afron edhe më shumë me Atin tim të mençur, Jehovain.
A. SH., Rusi
«Jehova, të lutem, më lër të të shërbej» (korrik 2007) Jetëshkrimi i Daniela Hollit ma forcoi besimin te Jehovai. Kur ishte e vogël, ajo nuk kishte frikë t’u tregonte të gjithëve në shkollë se ishte Dëshmitare e Jehovait. Jam e sigurt se njësoj bëjnë edhe shumë fëmijë Dëshmitarë që shkojnë në shkollë.
A. R., Madagaskar
Jam nëntë vjeçe. Sapo mbarova me mamin përvojën e Danielës. Kuptova sa me fat jam që i kam prindërit në të vërtetën dhe nuk e kam të vështirë t’i shërbej Jehovait. Më mbeti në mendje shprehja «kudo që të jemi, Jehovain e kemi gjithnjë pranë». Më pëlqeu edhe që Daniela, kur kthehej nga shkolla, ulej në krevat dhe i tregonte Jehovait si e kishte kaluar ditën, sikur të ishte babi i vet. Dua të mësoj nga kjo.
A. D., Itali
«Të rinjtë pyesin . . . Pse më mënjanojnë gjithnjë?» (korrik 2007) Ky artikull ishte fantastik sepse m’u duk sikur ishte shkruar për mua. Më pëlqyen edhe pyetjet që bëheshin dhe që ishte lënë vend për të shkruar përgjigjen. Faleminderit. Më ndihmoi jashtë mase.
K. A., Kanada