Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
▪ Gjatë vitit 2007, akulli i Oqeanit të Ngrirë të Veriut arriti «në nivelet më të ulëta që kur filloi matja me satelit». Akulli zinte 4.280.000 km2, një rënie prej 23 për qind më shumë sesa rënia e regjistruar në vitin 2005.—QENDRA KOMBËTARE E TË DHËNAVE PËR BORËN DHE AKULLIN, SHBA.
▪ Shtetet e Bashkuara janë vendi më i armatosur në botë, pasi për çdo 100 nënshtetas ka 90 armë. India që «renditet e dyta për arsenalin e armëve për civilët», ka «vetëm 4 armë për çdo 100 veta».—TIME, SHBA.
▪ Në Majami, Florida, SHBA, lindi një foshnjë 21-javëshe e 6-ditëshe që peshonte më pak se 284 gramë. Kjo është «mbase foshnja më e parakohshme që është regjistruar e gjallë. Foshnjat më pak se 23-javëshe dhe nën 400 gramë konsiderohen të paafta për të mbijetuar».—AGJENCIA E LAJMEVE ROJTERS, SHBA.
Ujë të ëmbël nga deti
Agjencia e Lajmeve të Athinës thotë se në përpjekje për të përballuar mungesën e ujit në ishujt e detit Egje, shkencëtarët grekë kanë ndërtuar «të parën platformë shkripëzimi në botë që është autonome, pluskuese dhe ekologjike». Platforma, që ushqehet me energji nga turbinat me erë dhe panelet diellore në bord, prodhon ujë të pijshëm që mjafton për të plotësuar nevojat e përditshme të rreth 300 vetave. Ky sistem punon më së miri edhe në mot të keq, mund të mbikëqyret e të drejtohet në distancë dhe të zhvendoset kudo që nevojitet.
Zbulohen eshtra të lashta
Një raport i Agjencisë së Lajmeve Rojters nga Çerski, Sahë, në Rusi, thotë: «Në skajet më veriore të Siberisë . . . , nga ndryshimi i temperaturës po shkrin shtresa e akullit të përhershëm dhe po dalin në pah eshtrat e kafshëve parahistorike, si: mamuthët, rinoqerontët leshtorë dhe luanët.» Meqë koleksionuesit dhe institutet shkencore janë gati të paguajnë shuma të majme për ekzemplarë të mirë, kërkuesit, të ndihmuar edhe nga banorët e fiseve vendëse, po rrëmojnë nëpër tundër për eshtra të kushtueshme. Raporti thotë: «Akulli i përhershëm po shkrin dhe po thyhet kaq shpejt, saqë në disa vende . . . në çdo pak metra nën tokë duken kocka.»
Alkooli i konfiskuar shfrytëzohet për mirë
Deri para pak vitesh punonjësit e doganës në Suedi e derdhnin alkoolin që u konfiskonin kontrabandistëve. Sipas një raporti nga Stokholmi në Associated Press, sot kjo kontrabandë «po ndihmon në furnizimin me karburant të transportit publik të vendit». Gati e gjithë sasia prej 700.000 litrash pije alkoolike që u konfiskua në vitin 2006, u kthye në biogaz, një zëvendësues i lëndëve djegëse fosile, dhe «u përdor si karburant për autobusët, kamionët dhe trenat me biogaz». Raporti shpjegon se ky karburant «ka leverdi, ngaqë nuk shpenzohet për ta prodhuar». Gjithashtu është i mirë, sepse ndihmon në pakësimin e gazeve të efektit serrë në Suedi.
‘Epidemia e ndrojtjes’
Gazeta e Australisë Sunday Telegraph thotë: «Mesazhet në Internet, në celular dhe në iPod, po shkaktojnë në mbarë botën epideminë e ndrojtjes.» Sipas psikologes dhe studiueses Robin Abrahams, ndrojtja në ambientet shoqërore tani ka pushtuar të paktën gjysmën e popullsisë. Kjo është një rritje e konsiderueshme në krahasim me të kaluarën. «Teknologjia po na krijon mundësi të ikim nga situatat e vështira dhe po i bën njerëzit më të veçuar,—thotë Abrahamsi.—Njerëzit . . . preferojnë më shumë t’i dërgojnë njëri-tjetrit mesazhe në Internet a celularë, sesa të bisedojnë.»