Pemë që jetojnë në ujë
Pemë që jetojnë në ujë
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË AUSTRALI
Janë strehë për shumë specie në rrezik të gjitarëve, zogjve dhe zvarranikëve. Gjithashtu, ruajnë mjedisin duke filtruar ujin nga ndotësit. Në jug të Floridës, SHBA, rreth 75 për qind e peshqve që zihen për hobi dhe 90 për qind e atyre që zihen për tregti s’bëjnë dot pa to. Veç këtyre, krijojnë një barrierë që mbron zonat bregdetare nga stuhitë dhe baticat e zbaticat. Cilat janë? Mangrovat, pemët rrënjëmëdha të brigjeve!
MANGROVAT rriten përgjatë pjesës më të madhe të brigjeve tropikale të botës dhe janë pemë ose shkurre, ku bëjnë pjesë lloje nga disa familje. Zakonisht ato rriten afër bregut në zonat ndërbaticore mes tokës dhe detit, ku uji i detit përzihet me ujin e ëmbël. Megjithëse uji në këto zona është më i kripur nga sa mund të durojnë shumica e pemëve, mangrovat e kanë të lehtë të rriten në këto kushte. Si ia dalin? Përmes disa metodave mahnitëse që në ndonjë rast i përdorin njëherazi.
Në mes të kripës
Disa mangrova, të njohura si kripëpërjashtuese, kanë filtra që pengojnë futjen e kripës përmes cipës së rrënjëve. Ato e bëjnë kaq mirë këtë, sa një rrugëtar i etur mund të sigurojë ujë të pijshëm duke çarë rrënjët e tyre. Disa lloje të tjera e lënë kripën të futet dhe e depozitojnë në gjethet e vjetra ose pjesë të tjera që më pas bien.
Të tjera janë kripësekretuese që e lënë kripën të futet, por më pas e sekretojnë shpejt, zakonisht me anë të gjëndrave të veçanta të kripës që janë në gjethe. Po ta lëpish gjethen e kësaj mangrove, është shumë e kripur. Por, kujdes çfarë lloji zgjedh! Gjethet e saj nxjerrin edhe një lëng qumështor, që nëse të futet në sy, mund të të verbojë për njëfarë kohe. Megjithatë, ky lëng ka veti shëruese dhe është përdorur për të kuruar mahisjet dhe pickimet.
Si mbijetojnë?
Pjesa dërrmuese e pemëve kanë nevojë për tokë të ajrosur mirë që të mbijetojnë e të harlisen. Kurse toka ku jetojnë mangrovat zakonisht është e ngopur me ujë. Sekreti i mbijetesës së tyre janë rrënjët ajrore që zhvillohen mbi tokë, e kështu mund ta marrin ajrin direkt nga atmosfera. Ato kanë larmi formash. Disa, të quajtura rrënjë-gju, dalin nga toka e futen përsëri, duke formuar disa gunga që ngjajnë pak a shumë si gjunj të përkulur.
Rrënjët si tub ajri, si kunja ose si lapsa dalin vertikalisht. Rrënjët mbështetëse që më pas kthehen në rrënjë këmbalec, degëzohen në pjesën e poshtme të trungut. Rrënjët petashuqe ose në formë rripi dalin nga rrëza e pemës dhe formojnë kreshta të lakuara ngritur vertikalisht mbi tokë. Këto sisteme të ndryshme rrënjësh jo vetëm i japin mundësi pemës të marrë ajër, por edhe të jetë e qëndrueshme në tokë të butë.
Si shtohen?
Mangrova-gjyle ka një fryt të madh e të rrumbullakët plot me fara në forma të çrregullta. Kur piqet, fryti çahet dhe i lëshon farat në ujë. Disa i marrin me vete baticat e zbaticat dhe kështu gjejnë një vend për të mbirë.
Farat e mangrovave të tjera mbijnë kur janë ende të lidhura me pemën-mëmë. Kjo është tejet e pazakontë në botën bimore. Ato nxjerrin
filiza që bien nga pema në ujë, e pastaj mund të enden sa andej-këtej duke kërkuar një strehë.Mënyra si pluskon filizi i rrit në maksimum shancet për t’u vendosur në një vend të njelmët, që është mjedisi i tij ideal. Ai «vozit» horizontalisht në ujërat e kripura që janë më të pluskueshme, por kur hyn në ujëra të njelmëta, «vozit» vertikalisht, e kështu mund ta ketë më të lehtë të ngecë në llucë.
Botë brenda një bote
Mangrovat formojnë bazën e një sistemi të ndërlikuar ushqimor. Humusi dhe bimësia e shpërbërë e mangrovave janë një burim ushqimi për mikroorganizmat. Këta nga ana e tyre shërbejnë si ushqim për krijesat e tjera në zinxhirin ushqimor. Shumë gjallesa jetojnë, ushqehen, shtohen ose rritin të vegjlit në pyjet e mangrovave.
Për shembull, qindra lloje zogjsh përdorin këtë habitat për të ngritur foletë, për t’u ushqyer, si dhe për të pushuar gjatë shtegtimit. Vetëm në Belize, këto pemë strehojnë më shumë se 500 lloje të ndryshme zogjsh. Mjaft peshq nisin jetën mes mangrovave ose e sigurojnë ushqimin vetëm nga ekosistemi i tyre. Mbi 120 lloje peshqish janë zënë në pyllin me mangrova të Sandërbanit, mes Indisë dhe Bangladeshit.
Edhe bimët rriten mirë mes mangrovave. Në bregun lindor të Australisë, në këto pemë janë gjetur 105 lloje likenesh. Gjithashtu, në këtë habitat lulëzojnë edhe shumë fiere, orkide, veshtulla dhe bimë të tjera. Është e vërtetë
se mangrovat i sigurojnë një shërbim të domosdoshëm florës dhe faunës, që nga likenet deri te tigrat, pa lënë mënjanë njerëzit.Dobi të panumërta për njeriun
Përveçse ndihmojnë në ruajtjen e mjedisit, mangrovat sigurojnë direkt ose indirekt mjaft produkte, si dru zjarri, qymyr, tanin, ushqim për bagëti dhe ilaçe. Habitati i tyre siguron edhe ushqime të zgjedhura, si peshq, krustace, molusqe dhe mjaltë. Në fakt, dikur disa detarë mendonin se gocat e detit rriteshin në pemë, sepse mund të mblidheshin me lehtësi nëpër mangrova kur zbatica zbulonte rrënjët.
Veç këtyre, mangrovat sigurojnë lëndë të parë për industrinë tekstile, të letrës, të përpunimit të lëkurës dhe të ndërtimit. Industri të tjera që përfitojnë prej tyre, janë ajo e peshkimit dhe e turizmit.
Pavarësisht se rëndësia e tyre po vlerësohet gjithnjë e më shumë, pyjet e mangrovave po pakësohen afërsisht me 100.000 hektarë në vit. Shpesh ato shkatërrohen për t’u bërë vend projekteve të tjera në dukje më me përfitim, si për shembull, zhvillimit të agrokulturës dhe strehimit. Shumë njerëz i shohin moçalet e mangrovave thjesht si vende me llucë, me erë të keqe e plot mushkonja, që më mirë t’i shmangësh.
Megjithatë, e vërteta është se mangrovat shërbejnë për qëllime të vlefshme e madje jetëshpëtuese. Rrënjët e tyre ajrore, të veçanta e të afta për t’u përshtatur dhe rrënjët që filtrojnë kripën kanë krijuar ekosisteme të pasura dhe komplekse. Ato janë të domosdoshme për industritë pranë bregut, si ajo e peshkimit dhe e prodhimeve prej druri, pa përjashtuar botën e kafshëve të egra. Mbrojnë zonat bregdetare nga erozioni, duke zbutur uraganet e forta që përndryshe do t’u merrnin jetën mijëra njerëzve. Patjetër, duhet të jemi mirënjohës për mangrovat!
[Kutia dhe figura në faqen 24]
Gjueti për mjaltë të egër nëpër mangrova
Zona më e madhe në botë me pyje mangrove është në Sandërban, pjesë e deltës së gjerë të lumit Gang, që shtrihet mes Indisë dhe Bangladeshit. Ndër njerëzit që jetojnë në atë zonë janë movalët, që sigurojnë jetesën me to. Zanati i tyre është nga më të rrezikshmit në vend.
Zanati i movalëve është «gjuetia» e mjaltit. Çdo vit në prill dhe maj, ata rrezikojnë kokën për të kërkuar hojet e mjaltit të bletës trupmadhe në terrenin rrëshqitës të mangrovave. Bletët arrijnë deri në 3,8 centimetra gjatësi. Ato janë aq agresive, sa kanë vrarë edhe elefantë!
Ja pse gjuetarët mbajnë pishtarë të bërë me mangrova, tymi i të cilëve i shpërndan bletët. Ata që janë mendjehollë, nuk e prishin gjithë zgjoin, që bletët ta rindërtojnë. Kështu sigurohet mjaltë vit pas viti.
Bletët nuk janë i vetmi kërcënim për këta gjuetarë. Rreziqe të tjera janë krokodilët dhe gjarpërinjtë helmues që popullojnë zonat me mangrova. Sikur të mos u mjaftonin këto, ka edhe hajdutë që u zënë pritë kur dalin nga pylli me mjaltë dhe dyllë. Megjithatë, rreziku më i madh është tigri mbretëror i Bengalit. Çdo vit, kjo kafshë u merr jetën 15 deri në 20 gjuetarëve.
[Burimi]
Zafer Kizilkaya/Images & Stories
[Figurat në faqen 23]
Mangrovat dhe filizat e tyre harlisen në një mjedis ku pjesa më e madhe e bimëve s’do të kishin mbijetuar
[Burimet]
Sipër djathtas: Zach Holmes Photography/Photographers Direct; poshtë djathtas: Martin Spragg Photography (www.spraggshots.com)/Photographers Direct